Ndërlidhjet

OBSH: Vaksinat do të duhej të funksiononin ndaj Omicronit  


Një qytetar duke u vaksinuar në SHBA. Fotografi nga arkivi.
Një qytetar duke u vaksinuar në SHBA. Fotografi nga arkivi.

Vaksinat ekzistuese do të duhej të mbronin njerëzit që infektohen me variantin Omicron nga rastet e rënda të COVID-19, tha një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ky njoftim vjen pasi testet e para laboratorike të variantit të ri të koronavirusit në Afrikën e Jugut sugjeruan se Omicroni mund të shmangë pjesërisht mbrojtjen e ofruar nga vaksina Pfizer.

Hulumtuesit thanë se “ka pasur një rënie shumë të madhe” lidhur me atë sesa mirë antitrupat e prodhuara nga vaksinat neutralizojnë variantin e ri.

Por, Mike Ryan nga OBSH-ja tha se nuk ka asnjë sinjal që dëshmon se Omicroni shmang më shumë mbrojtjen nga vaksinat, krahasuar me variantet e tjera.

“Ne kemi vaksina jashtëzakonisht efektive që kanë dëshmuar se janë efektive kundër të gjitha varianteve deri më tani, në kuptimin e sëmundjes së rëndë dhe hospitalizimeve dhe nuk ka asnjë arsye që të presim që nuk do të jetë kështu” edhe për variantin Omicron, tha drejtori për emergjenca në OBSH, Mike Ryan.

Ai tha për agjencinë AFP se të dhënat sugjerojnë se Omicroni nuk i bën njerëzit më të sëmurë sesa varianti Delta dhe variantet e tjera.

“Nëse asgjë tjetër, Omicroni duket se shkakton sëmundje më të lehtë”, tha ai.

Por, aftësia e variantit Omicron për të shmangur antitrupat e prodhuara nga vaksinat, nuk dihet ende plotësisht, tha Alex Sigal, virologjist në Institutin për Hulumtime Shëndetësore të Afrikës, i cili udhëhoqi hulumtimin.

Ai tha se rezultatet e hulumtimit, që u bazuan në testet e gjakut të marrë nga 12 persona, “ishin më të mira sesa që prisja nga Omicroni”.

Sigal tha se vaksinimi, i kombinuar edhe me infektimin paraprak, ka mundësi që të neutralizojë variantin. Kjo sugjeron se mund të ketë përfitime të mëdha nga marrja e dozës përforcuese të vaksinës.

Shkencëtarët besojnë se infektimet paraprake, të kombinuara me vaksinim apo me marrjen e dozës përforcuese, ka gjasa të rrisin nivelin e neutralizimit të virusit, që me gjasë do të mbrojë njerëzit nga sëmundja e rëndë.

Frikë nga Omicroni, bota në kërkim të imunizimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:36 0:00

Të dhëna të tjera lidhur me efektivitetin e vaksinës së Pfizerit kundër variantit Omicron pritet të publikohen në ditët në vijim. Ndërkaq, po ashtu nuk ka të dhëna të rëndësishme sesi vaksina Moderna, Johnson & Johnson dhe vaksinat e tjera kundër koronavirusit funksionojnë kundër variantit të ri.

Eksperti kryesor i sëmundjeve ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, ka thënë se të dhënat e para sugjerojnë se varianti Omicron mund të jetë më i transmetueshëm, por mund të shkaktojë simptoma më të lehta.

Varianti Omicron është varianti që ka më së shumti mutacione nga të gjithë variantet e zbuluar deri më tani.

Ky variant fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut dhe që atëherë është shpërndarë në shumë shtete në mbarë botën.

Që prej fillimit të pandemisë në mbarë botën janë regjistruar mbi 267 miulionë raste dhe mbi pesë milionë vdekje, thuhet në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG