Ndërlidhjet

Bideni e paralajmëron Rusinë nëse e pushton Ukrainën


Fotografi e publikuar nga Shtëpia e Bardhë e takimit përmes video-lidhjes ndërmjet presidentit amerikan, Joe Biden dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Në takim ishte i pranishëm edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. 7 dhjetor 2021.
Fotografi e publikuar nga Shtëpia e Bardhë e takimit përmes video-lidhjes ndërmjet presidentit amerikan, Joe Biden dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Në takim ishte i pranishëm edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. 7 dhjetor 2021.

Presidentët e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë pasur bisedime të tensionuara, por “të sinqerta dhe profesionale”, teksa Moska ka vendosur dhjetëra mijëra trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke bërë që Uashingtoni të lëshojë një paralajmërim të fortë ndaj ndonjë pushimi të mundshëm rus.

Asnjëra palë nuk duket se lëvizi nga qëndrimet e veta gjatë dy orëve të bisedimeve përmes video-lidhjes më 7 dhjetor, por Bideni shprehu “shqetësimin e thellë” lidhur me lëvizjes e forcave ruse, teksa Putini kërkoi “garanci ligjore” që do të parandalonin zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.

Ky takim virtual ishte takimi i tretë ndërmjet dy liderëve që prej se Bideni mori postin e presidentit në muajin janar. Por, këto bisedime ishin më të vështirat, pasi shqetësimet mbi synimet e Rusisë ndaj Ukrainës janë shtuar në mbarë Evropën dhe në mesin e aleatëve të NATO-s.

Kremlini tha se Putini i ka thënë Bidenit se NATO-ja po forcon potencialin e saj ushtarak pranë kufijve të Rusisë “dhe po bën përpjekje të rrezikshme për ta pushtuar territorin ukrainas”.

“Prandaj, Rusia është seriozisht e interesuar për marrjen e garancive të besueshme, garanci ligjore që do të përjashtonin mundësinë e zgjerimit të NATO-s në lindje dhe vendosjen e sisteme të armëve sulmuese në shtetet ngjitur me Rusinë”, tha Kremlini.

Putini dhe zyrtarë të tjerë rusë, gjatë javëve dhe muajve të fundit, kanë përsëritur se ideja që Ukraina t’i bashkohet NATO-s është “vijë e kuqe” të cilën Perëndimi nuk duhet ta shkelë.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë tha se Biden nuk ka bërë “zotime ose koncesione” sa i përket kërkesave të Putinit.

“Presidenti Biden shprehu shqetësimin e thellë të SHBA-së dhe aleatëve tanë evropian mbi përshkallëzimin e forcave të Rusisë në përreth Ukrainës dhe ia bëri të qartë se SHBA-ja dhe aleatët tanë do të përgjigjen me masa të forta ekonomike dhe masa të tjera, nëse do të ketë përshkallëzim ushtarak”, tha Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti Biden ka ripërsëritur mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe ka bërë thirrje për shtensionimin e situatës”, shtoi Shtëpia e Bardhë.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se 90,000 forca ruse janë vendosur përgjatë kufirit të Ukrainës – përfshirë edhe në gadishullin e Krimesë, që Moska e aneksoi më 2014. Zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se Rusia do të dërgojë 175,000 trupa në kufi.

Kjo është një prej lëvizjeve më të mëdha të forcave ruse karshi Ukrainës në vitet e fundit, duke përjashtuar këtu stërvitjet ushtarake për të cilat autoritetet njoftojnë paraprakisht.

Pas takimit Biden-Putin, këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan ofroi detaje të tjera të bisedës mes liderëve.

“Presidenti (Biden) ishte i qartë se ku qëndron SHBA-ja për të gjitha këto çështje”, tha ai.

“Ne ende nuk besojmë se presidenti Putin ka marrë vendim. Ajo çfarë bëri sot presidenti Biden ishte që të tregonte për të gjitha pasojat nëse ai (Putini) vendos që të lëvizë”, tha Sullivan.

Para takimit virtual me Putinin, Biden ka biseduar me liderët e Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë dhe një bisedë e ngjashme është planifikuar që të mbahet pas takimit me Putinin.

SHBA-ja ka bërë publikisht disa kërcënime lidhur me hapat që mund të ndërmarrë nëse Rusia lëvizë drejt pushtimit të Ukrainës.

Ukraina është në luftë në rajonet lindore të vendit, në Donetsk dhe Luhansk që prej vitit 2014, konflikt që shpërtheu vetëm disa muaj pasi u mbajtën protesta masive, që bënë që presidenti pro-rus, të largohej nga vendi.

Por, në mesin e disa sinjaleve që kanë dalë në sipërfaqe janë përpjekjet e reja për të bllokuar gazsjellësin “Rrjedha Veriore 2”, një gazsjellës që kalon në Detin Baltik, e që do të rriste furnizimet me gaz rus në Evropë. Ndërtimi i këtij projekti është kundërshtuar nga Shtëpia e Bardhë, që ka tensionuar raportet edhe me Gjermaninë.

Administrata e Bidenit, duke mos dashur që të zemërojë një aleate si Gjermaninë, hoqi dorë nga vendosja e sanksioneve ndaj ndërtuesve të gazsjellësit.

Sullivan tha se nëse Rusia dëshiron që ta transportojë gazin përmes “Rrjedhës Veriore 2”, “nuk duhet ta pushtojë Ukrainën”.

Ndërkaq, Rusia vazhdimisht ka mohuar se furnizon dhe financon luftëtarët separatistë në lindje të Ukrainës, pavarësisht se dëshmi të shumta e thonë të kundërtën. Mbi 13,200 persona kanë vdekur që prej nisjes së konfliktit dhe mbi 1 milion të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Pas takimit ndërmjet Bidenit dhe Putinit në Gjenevë, që u zhvillua në qershor, shumë ekspertë shpresuan që konflikti në Ukrainë do të shkonte drejt zgjidhjes, teksa Uashingtoni dhe Moska kërkonin mënyra për të përmirësuar raportet.

Por, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe grumbullimi i një numri të madh të forcave ruse në kufi me Ukrainën, ka bërë që inteligjenca amerikane të lëshojë paralajmërime.

Në korrik, dy liderët kishin zhvilluar bisedë telefonike dhe Bideni i bëri thirrje Putinit që të bëjë më shumë në ndaljen e sulmeve kibernetike ndaj SHBA-së. Shumica e sulmeve kibernetike kryhen nga grupe që operojnë ose janë nga Rusia.

Bideni madje ka dërguar në Moskë zyrtarë të lartë, përfshirë drejtorin e CIA-s, Bill Burns dhe nënsekretaren e Shtetit për çështje politike, VIctoria Nuland, me synimin që të përmirësojë raportet me Rusinë.

Javën e kaluar, një zyrtar amerikan i tha The Washington Post dhe mediave të tjera amerikane, se Rusia do të përdorë deri në 175,000 trupa në një ofensivë shumëfrontëshe ndaj Ukrainës në fillim të vitit të ardhshëm.

Edhe pse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk pritet të anëtarësohet edhe disa vjet, Putini dhe zyrtarët e tjerë rusë kanë thënë se një anëtarësim i tillë paraqet “vijë të kuqe” për Kremlinin, ku shumë e shohin zgjerimin e NATO-s në ish-republikat sovjetike, si tradhti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG