Ndërlidhjet

‘Ligjet kundër mjedisit’ nxisin protesta të reja në mbarë Serbinë


Protestuesit bllokojnë një autostradë në Beograd më 4 dhjetor 2021.
Protestuesit bllokojnë një autostradë në Beograd më 4 dhjetor 2021.

Mijëra qytetarë protestuan dhe bllokuan rrugët në Beograd dhe disa qytete të tjera në mbarë Serbinë, për të kundërshtuar ndryshimet ligjore, që sipas tyre favorizojnë kompanitë private në dëm të qytetarëve dhe mjedisit.

Protestuesit më 4 dhjetor bllokuan rrugët kryesore dhe një autostradë në Beograd, ndërkaq protesta të ngjashme u organizuan edhe në Novi Sad, Zrenjanin, Shabac, Nish, Kragujevc, Suboticë, Uzhicë, Rashkë. Gjatë këtyre protestave u raportuan incidente të vogla.

Në Novi Sad u raportua për një përleshje mes protestuesve dhe një grupi të rinjsh të cilët hodhën gur në drejtim të personave që protestonin.

Policia nuk ishte prezente gjatë protestës dyorëshe.

Kjo është fundjava e dytë me radhë që qytetarët protestuan kundër vendimeve të fundit të autoriteteve për të ulur pragun e referendumit dhe për të lejuar shpronësimin e shpejt të pronës private, nëse autoritetet e vlerësojnë se është në interes të publikut.

Këto protesta vijnë pas dekadash të neglizhencës, pasi Serbia përballet me probleme të mëdha mjedisore siç janë ndotja e ajrit dhe ujit, menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe çështje të tjera.

Para nisjes së tubimeve, Ministria e Brendshme serbe paralajmëroi se bllokimet e rrugëve janë të jashtëligjshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të ndërmerren veprime ndaj protestuesve “për aq kohë sa ata nuk vënën në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve dhe institucioneve”.

Më 27 nëntor, mijëra protestues bllokuan rrugë dhe ura në Beograd, Novi Pazar, Zrenjanin, Shabac, Kragujevc dhe qytete të tjera serbe.

Grupet që kundërshtuan protestat e aktivistëve mjedisorë u përleshën mes vete në disa qytete dhe disa protestues u ndaluan nga autoritetet e rendit.

Protestave, që po organizohen nga organizata joqeveritare, u janë bashkuar edhe përfaqësuesit e disa partive opozitare dhe shoqatave lokale.

Grupet e mjedisit dhe organizatat e shoqërisë civile argumentojnë se ndryshimet e fundit ligjore në Ligjin për Shpronësim dhe Ligjin për Referendum do të hapin rrugën për kompanitë e huaja për të anashkaluar pakënaqësitë e qytetarëve për projektet, siç është edhe projekti i kompanisë Rio Tinto që ka nisur ndërtimin e një miniere të litiumit në perëndim të Serbisë.

Autoritetet serbe kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ligjet e miratuara ishin të nevojshme për shkak të projekteve infrastrukturore.

Vuçiq është shprehur se do të mbahet referendum lidhur me minierën e Rio Tintos.

Ekspertët kanë paralajmëruar se ndërtimi i minierës së litiumit në perëndim të Serbisë, do të shkatërronte tokat bujqësore dhe do t’i ndoste ujërat.

Kompania Rio Tinto ka thënë se do të respektojë të gjitha ligjet serbe dhe ka mohuar se projekti për minierën rrezikon mjedisin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG