Ndërlidhjet

Lajçak paralajmëron zhvillime në procesin e dialogut


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak është takuar të martën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak ka shkruar në Twitter pas takimit se ka zhvilluar një takim të gjatë dhe të detajuar me presidentin Vuçiq.

“Në vazhdim të diskutimeve të mia për rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pata një bisedë të gjatë dhe të detajuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shumë gjëra për të bërë pas takimeve që kisha këtë javë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Një ditë më parë, më 22 nëntor, Lajçak, në Vjenë të Austrisë takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin tha se diskutoi për progresin në dialog.

“Sot në Vjenë pata një diskutim të thellë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për gjendjen aktuale dhe rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi Lajçak të hënën në Twitter.

Takimet e Lajçak me zyrtarët e Prishtinës dhe Beogradit, pasojnë ftesën e 15 nëntorit, të ministrave të Bashkimit Evropian për angazhim konstruktiv të palëve në gjetjen e një zgjidhjeje pozitive.

I pyetur nëse do të takohet me presidentin e Serbisë këtë vit, një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 16 nëntor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se kjo do të varej nga rezultati i takimit në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në Bruksel, më 16 dhe 17 nëntor, shefi i delegacionit të Kosovës për bisedimet, Bisnik Bislimi si dhe shefi i delegacionit serb, Petar Petkoviq, zhvilluan takime të ndara me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Megjithatë, takimet përfunduan pa një takim trepalësh për shkak se pala serbe kishte kërkuar që të diskutohej për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë të cilën e kundërshton kategorikisht pala kosovare.

Shefi i delegacionit të Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, pas takimeve në Bruksel tha se pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet joshumicë, sepse ato, sipas tij, duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Ndërkohë shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ka insistuar që të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër.

Për një takim të mundshëm para fundit të këtij viti në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se shpreson edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrel.

Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011.

Që nga ajo kohë janë arritur një serë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.

Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Pauzën më të gjatë, dialogu e pati në fund të vitit 2018, kur asokohe Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Më vonë, pengesë në dialog u bë, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Ky mekanizëm nuk është formuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, cilësoi shumicën e pikave të marrëveshjes jo në përputhje me Kushtetutën.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG