Agjencia e inteligjencës së Republikës Çeke tha të martën se aktivitetet e spiunazhit rus në territorin e saj ishin goditur gjatë vitit 2020, sidomos nga kufizimet e vendosura si pasojë e pandemisë së COVID-19.
Në raportin e tij vjetor, kjo agjenci tha se kufizimet kishin reduktuar "mundësitë për shkëmbime të inteligjencës në fushat tradicionale të interesit, të tilla si politika, sfera akademike apo tregtia".
Por, Agjencia e Inteligjencës çeke po ashtu raportoi një rritje të interesit rus për të kontaktuar entitetet çeke pro-ruse dhe entitete anti-sistem në këtë shtet duke tentuar të vendosë kontakte.
“Rusia synon të përdorë territorin çek për të fituar akses me shtetasit çekë, por edhe për të krijuar kontakte me shtetas të huaj”, tha Agjencia e Inteligjencës së Çekisë, duke shtuar se Rusia gjithashtu kishte vazhduar sulmet kibernetike ndaj objektivave të këtij shteti, raporton AFP.
Raporti i kësaj agjencie po ashtu tha se Kina mbeti një "kërcënim kompleks i inteligjencës në rritje" me spiunët e saj duke përdorur mbulesë diplomatike dhe gazetareske.
“Aktivitetet e inteligjencës kineze ishin më intensive në fushën e politikës dhe inteligjencës shkencore dhe teknike”, thuhet në raport.
Shërbimi i inteligjencës tha gjithashtu se neveria ndaj kufizimeve të COVID-19 kishte shkaktuar një "lëvizje të mohimit të COVID-it" në Republikën Çeke duke vënë në dyshim masat e marra nga qeveria dhe seriozitetin e vetë sëmundjes.