Ndërlidhjet

Në Serbi me “Made in Suhareka”     


Merdare - Pikëkalimi kufitar me Serbinë
Merdare - Pikëkalimi kufitar me Serbinë

Mosnjohja e certifikatës së origjinës së produkteve të prodhuara në Republikën e Kosovës dhe procedurat tjera jotarifore nga shteti i Serbisë kanë bërë që kompania e këpucëve “Solid” nga Suhareka të eksportojë me vështirësi produkte në tregun e Serbisë, thotë Shpejtim Kuqi, drejtor i kësaj fabrike.

Barrierat tregtare kanë shtyrë Kuqin që në etiketat e produkteve që eksporton në Serbi, ta heqë emërtimin ‘Kosovë’.

“Tashmë e kemi gjetur një metodë më të thjeshtë. Nga etiketa e kemi hequr emërtimin Kosovë dhe e shkruajmë Suharekë, për shkak se ata nuk e pranojnë [emërtimin Kosovë]. Kjo është një nga pengesat - ndërrimi i emërtimit”, thotë Kuqi për Radion Evropa e Lirë.

Përveç certifikatës së origjinës, deklaratat doganore të mallrave dhe faturat komerciale janë disa dokumente tjera, në të cilat shkruan Republika e Kosovës, e që nuk pranohen nga autoritetet doganore të Serbisë.

Për shkak të këtyre problemeve, Kuqi thotë se eksporti i produkteve të kompanisë së tij në shtetin e Serbisë, ka rënë për rreth 70 për qind gjatë viteve të fundit, pasi bizneset atje, sipas tij, hezitojnë të bashkëpunojnë.

Kompania “Solid”, përveç në tregjet e rajonit, eksporton edhe në Francë, Itali, Poloni. Kuqi thotë se me këto shtete, nuk ka ndonjë barrierë apo problem.

Qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, ajo ka pasur sfida të ndryshme sa u përket shkëmbimeve tregtare me Serbinë, pasi kjo e fundit nuk e njeh shtetin e Kosovës, respektivisht dokumentet e institucioneve të saj.

Kosova ka nisur të lëshojë dokumente me vulën "Doganat e Kosovës" nga viti 2008, duke e zëvendësuar vulën e Misionit të Kombeve të Bashkuara - UNMIK.

Rukiqi: Problemet e Serbisë janë politike, jo ekonomike

Në një diskutim publik të hënën, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se autoritetet doganore në Serbi nuk e njohin asnjë dokument ku shkruan Republika e Kosovës dhe se një gjë e tillë paraqet problem serioz për bizneset në Kosovë.

Sipas Rukiqit, këto barriera më tepër kanë konotacion politik sesa tregtar, kur “dihet fakti se Kosova eksporton sasi jo të madhe të mallrave në Serbi dhe nuk e rrezikon konkurrencën atje”.

Vetëm në muajin shtator, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova ka eksportuar në Serbi mallra në vlerë prej rreth 3.3 milionë eurosh. Gjatë kësaj periudhe, Serbia ka importuar në Kosovë mallra me vlerë mbi 25 milionë euro.

“Veprimet e Serbisë janë administrative, politike, që kanë për qëllim të minojnë çdo shenjë, produkt apo veprim, i cili ka ndonjë element të subjektivitetit shtetëror të Kosovës. Unë mund t’i përmbledh sfidat në katër grupe: është pjesa politike, pjesa e barrierave administrative, jotarifore, teknike, pjesa e barrierave që lidhen më transit dhe konkurrenca jo e drejtë, që e kanë mundësuar një debalancë të madhe tregtare”, tha Rukiqi në një diskutim në Komisionin për Ekonomi dhe Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Marrëveshja me Serbinë i eliminon barrierat tregtare

Arton Demhasaj, njohës i çështjeve politike në Prishtinë, thotë se për heqjen e barrierave ekonomike, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet politike.

“E, ky normalizim politik mund të arrihet nëse arrihet një marrëveshje [politike] mes këtyre dy vendeve, që pastaj të reflektojë në eliminim të të gjitha barrierave ekonomike. Mendoj se çështjet politike janë çështjet kryesore”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Hajdari: Po përgatitemi për reciprocitet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajadari, ka thënë se Kosova vazhdon të trajtohet si e pabarabartë nga Serbia.

Më herët, ajo ka paralajmëruar masa reciprociteti, por nuk ka treguar konkretisht se për cilat produkte apo dokumente bëhet fjalë.

Për shkak të barrierave tregtare, Qeveria e Kosovës, në nëntor të vitit 2018, ka vendosur taksë 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Në prill të vitit 2020, Qeveria e parë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim që ta zëvendësojë këtë taksë me reciprocitet.

Vendimi për reciprocitet obligonte që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet në certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse, si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.

Por, me të marrë detyrën në qershor të vitit 2020, pasardhësi i Kurtit, Avdullah Hoti, tani ish-kryeministër, e ka hequr masën e reciprocitetit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG