Ndërlidhjet

Pak nxënës e shumë mësimdhënës


Klasë në një nga shkollat e mbyllura në një fshat në Komunën e Kamenicës. Dhjetor, 2019.
Klasë në një nga shkollat e mbyllura në një fshat në Komunën e Kamenicës. Dhjetor, 2019.

Dy vajzat e Fekir Ilazit nga fshati Debëllde i Vitisë i ndjekin mësimet në fshatin Kabash, rreth 10 kilometra larg shtëpisë së tyre.

Babai i Medinës dhe Lumturies thotë se në fshatin e tyre nuk ka pasur mësim cilësor.

“Vajza e madhe e ka kryer klasën e tretë dhe e vogla të dytën në Debëllde - tash janë në të tretën dhe të katërtën në Kabash. I kam larguar nga shkolla në Debëllde, nuk ka pasur as mësim, as asgjë. Një orë e plotë mësimi nuk është mbajtur. Më shumë ka pasur mësues sesa nxënës. Tash në Debëllde, vëllai im i ka tre fëmijë në shkollë dhe një fqinj i imi dy”, tregon Ilazi për Radion Evropa e Lirë.

Ai çdo ditë i çon dhe i kthen vajzat e tij nga shkolla.

Fshati Debëllde është afër kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe ka rreth 120 banorë.

Kryetari i këtij fshati, Fazli Neziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se më mirë do të ishte të mbyllej shkolla, sesa të zhvillohet “mësim jocilësor”.

“Është vështirë të them të mbyllet një shkollë, por unë mendoj se nuk ka cilësi me kaq pak nxënës. Mendoj se më mirë do të ishte të barten nxënësit në një shkollë tjetër”, thotë Neziri.

Shkolla në Debëllde është paralele e Shkollës Fillore “Ndre Mjeda” në Kabash, ku ndjekin mësimet edhe Medina e Lumturia.

Drejtori i saj, Musa Murati, thotë për Radion Evropa e Lirë se është menduar të bëhet bartja e të gjithë nxënësve nga fshati Debëllde në Kabash, por, sipas tij, deri më tash kjo nuk ka ndodhur.

“Gjashtë nxënës janë për momentin [në fshatin Debëllde]. Funksionon klasa e parë, klasa e pestë dhe klasa e nëntë. Veç e veç janë, nuk janë të kombinuara. Numri i nxënësve është i vogël. Aty i kemi katër mësimdhënës për gjashtë nxënës”, thotë Murati.

Në shkollat e Komunës së Vitisë, 68 klasa kanë një deri në 9 nxënës, kurse në 155 klasa tjera numri i nxënësve sillet nga 10 deri në 19.

Rënia e natalitetit dhe emigrimi zvogëluan numrin e nxënësve

Në një raport të publikuar në maj të këtij viti nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thuhet se në disa komuna të Kosovës ka rënie të numrit të nxënësve deri në 40 për qind. Sipas këtij raporti, në 19 komuna në Kosovë janë 340 klasa që kanë më pak se 5 nxënës.

Agron Demi, nga ky institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kamenica, Vitia, Rahoveci, Dragashi dhe Deçani kanë rënien më të madhe të numrit të nxënësve.

Sipas tij, kjo rënie ka ndodhur si pasojë e rënies së natalitetit dhe emigracionit.

“Nga viti 2008-09 deri vitin e kaluar kanë qenë rreth 114 mijë nxënës më pak, por Ministria e Arsimit dhe shumica e komunave - me përjashtim të Kamenicës dhe Drenasit - nuk kanë ndërmarrë asgjë. Shqetësuese është se me rënien e numrit të nxënësve, ne kemi vërejtur se ka rritje të personelit arsimor”, thotë Demi.

Sipas tij, personeli në shkolla është shtuar “për të punësuar militantë partiakë apo familjarë”. Ai thotë se reformat ristrukturuese janë të domosdoshme, “jo vetëm për shkak të shpenzimeve, por edhe për mirëqenien e nxënësve”.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se çfarë hapash mund të ndërmarrë në lidhje me numrin e vogël të nxënësve në shkolla të caktuara.

Bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Ministria e Arsimit mund të nxjerrë akt nënligjor për caktimin e kritereve për themelimin e institucioneve të arsimit parauniversitar dhe për shuarjen e veprimtarisë së tyre.

Në vitin 2019, për shkak të numrit të vogël të nxënësve, Komuna e Kamenicës ka vendosur për mbylljen e 19 shkollave, nga 29 sa i ka pasur.

Një klasë në Kamenicë me vetëm tre nxënës. Dhjetor, 2019.
Një klasë në Kamenicë me vetëm tre nxënës. Dhjetor, 2019.

Ky vendim i ish-kryetarit Qëndron Kastrati, ndonëse është përcjellë me protesta nga banorët e fshatrave, është arsyetuar me pamundësinë e zbatimit të Kornizës Kurrikulare të Kosovës, e cila kërkon që të kalohet nga ligjërimi në punë grupore.

“Në klasat ku ka më pak se 15 nxënës është vështirë që të organizohet mësimi grupor me nxënës. Numri i vogël i nxënësve pamundëson edhe socializimin dhe të mësuarit nga ndërveprimi me bashkëmoshatarë”, është thënë në arsyetim.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, në vitin 2019, Qëndron Kastrati ka thënë se, gjatë viteve, numri i nxënësve në Kamenicë ka rënë për 44 për qind.

“Në Kosovë, ligjërisht e kemi obligim që një mësimdhënës të jetë për 20 nxënës në klasë, ndërsa ne e kemi raportin që në Kamenicë është një mësimdhënës për gjashtë nxënës. Ne nuk jemi duke bërë diçka të jashtëzakonshme, jemi duke bërë atë që e kemi obligim - të jenë 20 nxënës për klasë, jo më shumë”, ka thënë atëbotë Kastrati.

Nxënësit e shkollave të mbyllura në Kamenicë janë dërguar në shkolla të tjera me transport të organizuar nga komuna.

Mbyllje e shkollave në emër të cilësisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

Me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, komunat kanë të drejtë në vendimmarrje sa i përket arsimit publik fillor dhe të mesëm dhe në kuadër të kësaj kompetence mund të riorganizojnë arsimin publik fillor dhe të mesëm, duke u bazuar në standardet dhe legjislacionin e zbatueshëm.

Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, shkolla janë mbyllur edhe në Komunën e Drenasit.

Në shtator të vitit 2018, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka vendosur për mbylljen e tri shkollave në tri fshatra të kësaj komune: Abri, Gjergjicë dhe Godanc.

Rreth 200 nxënës të këtyre fshatrave janë transferuar në shkollat fillore të qytetit, pasi komuna u ka siguruar transportin.

Rinor Qehaja, nga Instituti për Studime të Arsimit Ed-Guard, thotë për Radion Evropa e Lirë se ristrukturimi i shkollave është problematikë, për të cilën nevojitet reagim institucional nga niveli qendror.

“Rikujtoj që problemi nuk është i kufizuar në Komunën e Kamenicës vetëm, përkundrazi është shumë më i shfaqur në komuna tjera. Implikimet e ristrukturimit janë më të thella... andaj, është i domosdoshëm koordinimi i mirë dhe komunikimi i hapur për ristrukturim në nivel vendi”, thotë Qehaja.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300,000 nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe të mesëm në mbi njëmijë shkolla.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG