Ndërlidhjet

Gjenerali britanik paralajmëron për rrezikun e një lufte mes Rusisë dhe Perëndimit


Gjenerali britanik, Nick Carter.
Gjenerali britanik, Nick Carter.

Zyrtari më i lartë ushtarak i Britanisë ka përmendur ndryshimin e “karakterit të luftës” dhe ka paralajmëruar se ekziston rrezik i madh që vendimet e gabuara të çojnë në një luftë midis Rusisë dhe Perëndimit.

Gjenerali Nick Carter tha se ka një vullnet të armiqve autoritarë për të përdorur çdo mjet, duke përfshirë migrantët, çmimet e gazit ose sulmet kibernetike, për të arritur qëllimet e tyre në skenën ndërkombëtare.

Carter, që është shef i stafit të mbrojtjes britanike, i tha Radio Times se “mjetet tradicionale diplomatike dhe mekanizmat” që ishin gjatë Luftës së Ftohtë dhe në një epokë të dominimit të Shteteve të Bashkuara, nuk janë më.

“Pa këto mjete dhe mekanizma ka një rrezik më të madh që këto përshkallëzime ose ky përshkallëzim mund të çojë në llogaritje të gabuara. Për mua kjo është sfida kryesore që ne do të përballemi”, tha ai.

Komentet e tij vijnë në kohën e tensioneve të rritura në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, ku aleatja e Minskut, Rusia, ka vendosur patrulla me avionë që kanë kapacitete bërthamore.

Mijëra migrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika janë dyndur drejt kufijve mes Bjellorusisë dhe Polonisë, me shpresë që të arrijnë në Perëndim.

Sipas gjeneralit Carter, këto patrullime në kufirin në Bjellorusi reflektojnë edhe mosmarrëveshjet ndërmjet Moskës dhe NATO-s mbi Ukrainën, ku separatistët e mbështetur nga Rusia po luftojnë për shtatë vjet me radhë dhe në rajonin e Detit të Zi, ku përshihet Kriema, të cilën Rusia e aneksoi më 2014.

Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi SHBA-në më 13 nëntor, duke thënë se aktivitetet e SHBA-së dhe NATO-s në Detin e Zi paraqesin “sfidë serioze” për Rusinë.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë vazhdimisht kanë paralajmëruar për kërcënimin ndaj ndonjë sulmi ushtarak rus, pasi është raportuar se Rusia ka dërguar trupa pranë kufirit me Ukrainën.

Ndërkaq, mercenarët rusë po luftojnë në Afrikën Qendrore, inteligjenca ruse është akuzuar për vrasje të profilit të lartë jashtë vendit, Bjellorusia ka kërcënuar se do të bllokojë furnizimet me gaz rus për Evropën Perëndimore dhe grupe që kanë lidhje me inteligjencën ruse janë përfshirë në sulme të mëdha kibernetike në Perëndim gjatë viteve të fundit.

“Karakteri i luftës ka ndryshuar”, tha Carter.

“Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm që njerëzit të mos përfundojnë duke lejuar që natyra luftarake e disa prej politikave tona të bie në një pozicion ku përshkallëzimi çon në llogaritje të gabuara”, shtoi ai.

Autoritetet e aviacionit në Britani thuhet se kanë shoqëruar dy avionë rusë jashtë zonës së interesit të Mbretërisë së Bashkuar më 12 nëntor dhe Londra tha se ka dërguar një ekip të vogël ushtarak për mbështetje “inxhinierike” në kufirin e Polonisë, që është anëtare e BE-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG