Ndërlidhjet

BE-ja kritikon Serbinë për mohimin e gjenocidit


Fotografi e bërë nga droni në Qendrën Memoriale Potoçari në Bosnjë e Hercegovinë. 16 prill 2021.
Fotografi e bërë nga droni në Qendrën Memoriale Potoçari në Bosnjë e Hercegovinë. 16 prill 2021.

Ditëve të fundit, ka pasur reagime nga institucionet e Bashkimit Evropian lidhur me debatin në Serbi mbi përgjegjësinë për krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Disa reagime kanë qenë direkte dhe janë lidhur me aktivitetin e Policisë së Serbisë për të parandaluar fshirjen e një murali kushtuar liderit ushtarak të serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje. Por, disa reagime kanë qenë më shumë të përgjithësuara, pa iu referuar rasteve të caktuara.

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian përmes një letre drejtuar udhëheqësve në Serbi, tha se “një shtet që aspiron anëtarësimin në BE, nuk mund të angazhojë policinë për të ruajtur një mural të një krimineli të luftës”.

“Mbrojtja e muralit është edhe një shembull se çfarë mendon Qeveria e Serbisë dhe presidenti (serb, Aleksandar) Vuçiq për pajtimin, sundimin e ligjit, demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal. Edhe një herë, në mënyrë eklatante, autoritetet e Serbisë dhe zyrtarët politikë kanë dëshmuar se nuk respektojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe vendimet e saja, sikurse edhe viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e nënshkruar nga disa deputetë të PE-së, në mesin e të cilëve edhe Tonino Picula nga Kroacia dhe Viola von Cramon nga Gjermania.

Hidhet ngjyrë në muralin e Ratko Mlladiqit në Beograd
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:04 0:00

Burimet në Parlamentin Evropian kanë thënë se letra i është ofruar për nënshkrim edhe raportuesit për Serbinë, Vladimir Bilçik, por ai nuk e ka nënshkruar. Më vonë, Bilçik përmes rrjeteve sociale ka thënë se në raportin e tij për Serbinë është thënë qartë se dënohet çdo glorifikim i kriminelëve të luftës dhe mohimi apo relativizimi i krimeve.

Thirrje për pajtim dhe tejkalim të trashëgimisë nga e kaluara dhe përmbajtje nga glorifikimi i kriminelëve të luftës, ka bërë edhe Komisioni Evropian.

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian për fqinjësi, zgjerim dhe partneritet ndërkombëtar, ka thënë se “BE-ja ka një qëndrim të qartë dhe të prerë për nevojën që në mënyrë efektive të tejkalohet trashëgimia nga e kaluara, përmbajtja nga çfarëdo glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimit të krimeve të luftës dhe për forcimin e pajtimit”.

“Secili shtet që aspiron për t’u anëtarësuar në BE pritet të zbatojë dhe promovojë vlerat bazë të BE-së, siç është sundimi i ligjit, demokracia dhe drejtësia. Siç kemi thënë edhe në paketën e fundit të zgjerimit, Serbia duhet të vazhdojë të thellojë reformat edhe në lirinë e shprehjes dhe në procedimin e rasteve të krimeve të luftës. Kjo është esenciale për vendim për të lëvizur në rrugëtimin drejt BE-së”, ka thënë Pisonero.

Ajo ka thënë se BE-ja refuzon dhe dënon çfarëdo mohim, relativizimi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë.

“Zbatimi i vendimeve të tribunaleve ndërkombëtare dhe promovimi i një ambienti të përshtatshëm për pajtim dhe tejkalim të së kaluarës nga lufta, janë kyçe për të gjitha vendet e rajonit, për të avancuar në procesin e integrimit në BE”, ka thënë Pisonero.

Në Serbi, nga niveli më i lartë shtetëror vazhdojnë të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, ndonëse në disa raste e përmendin si “krim të tmerrshëm”, por duke refuzuar që ta përdorin termin gjenocid.

Gjatë luftës në Bosnje, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Ndërkaq, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko ka marrë vendim që mohimi i gjenocidit të dënohet. Ky vendim ka nxitur tensione të reja në Bosnje e Hercegovinë.

Edhe në Mal të Zi, kur në parlament u miratua rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë pati tensione politike, me ç’rast nga detyrua u shkarkua edhe një ministër, i cili tha se nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG