Ndërlidhjet

Kryeministri polak: Putini, organizator i krizës me migrantë


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, akuzoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për, siç tha, orkestrimin e një vale të paprecedentë migrantësh, që përpiqen të hyjnë ilegalisht nga Bjellorusia në Poloni.

Polonia mbylli të martën një vendkalim kufitar me Bjellorusinë, pasi migrantët në anën bjelloruse u përpoqën të çanin një gardh, për të hyrë në territorin e saj.

Kriza me migrantë në këtë zonë po vazhdon tash e sa muaj.

Bashkimi Evropian e akuzon udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, për nxitjen e fluksit, si hakmarrje për sanksionet që ka ndërmarrë BE-ja kundër regjimit të tij.

“Ky sulm që po bën Lukashenka e ka trurin e tij në Moskë; organizator është presidenti Putin”, tha Morawiecki në një seancë urgjente të Parlamentit polak.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha në një konferencë për media në Varshavë se “regjimi bjellorus po sulmon kufirin polak dhe BE-në në një mënyrë të pashembullt”.

“Aktualisht kemi një kamp migrantësh, që janë të bllokuar nga pala bjelloruse. Janë rreth 1,000 njerëz, kryesisht të rinj. Këto janë veprime agresive që ne duhet t’i zmbrapsim, duke përmbushur detyrimet tona si vend anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Duda.

Mijëra njerëz - kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia - kanë bërë përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin e Polonisë, në muajt e fundit.

Të martën, Lituania është bërë vendi i dytë i BE-së - pas Polonisë - që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kufirin e saj me Bjellorusinë, për shkak të krizës me migrantë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG