Ndërlidhjet

BE akuzon Bjellorusinë për abuzim me migrantë


Rriten tensionet në kufirin Bjellorusi-Poloni
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Rriten tensionet në kufirin Bjellorusi-Poloni

Komisioni Evropian ka akuzuar liderin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka se është duke joshur migrantët me premtime të rreme për hyrje të lehtë në Bashkimin Evropian.

Veprimet e Lukashenkas janë konsideruar “jonjerëzore, dhe të stilit të bandave”.

Të paktën 2,000 migrantë tani janë në kufirin bjellorus me Poloninë.

“Pasi të arrijnë në Bjellorusi, ata dërgohen drejt kufirit dhe detyrohen të bëjnë kalime ilegale në Bashkimin Evropian”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Lideri bjellorus, në anën tjetër, ka hedhur poshtë pretendimet se është duke organizuar këtë gjë.

Polonia ka mbyllur kufirin me Bjellorusinë më 9 nëntor, pasi migrantët nga ana bjelloruse kanë tentuar të kalojnë përtej ndalesës me gjemba, duke përshkallëzuar krizën me migrantë që ka alarmuar Bashkimin Evropian.

Zyrtarët polakë kanë thënë se bëhet fjalë për mbyllje të pikës kufitare Bruzhi-Kuznica, afër së cilës migrantët kanë ndërtuar kampe.

Qeveria e Polonisë ka publikuar më 8 nëntor, disa incizime në Twitter, në të cilat shihen disa njerëz që tentojnë të kalojnë ndalesat me gjemba.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka thënë të martën se “stabiliteti dhe siguria e gjithë BE-së është në rrezik”.

Ministria e Brendshme në këtë shtet, ka thënë se ka penguar përpjekjet.

Ministria e Jashtme e Bjellorusisë ka thënë më 9 nëntor se dëshiron ta paralajmërojë paraprakisht anën polake kundër çfarëdo provokimi ndaj Republikës Bjelloruse, për të arsyetuar përdorimin ilegal të forcës kundër personave të paarmatosur, shumica prej të cilëve janë gra dhe fëmijë.

Situata e fundit në kufi ka rritur krizën që është prezente në këtë rajon për disa muaj.

Bashkimi Evropian akuzon liderin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, se është duke dërguar migrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika për në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, dhe më pas po i dërgon ata në kufi me vendet e BE-së: Lituani, Letoni dhe Poloni, në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të Brukselit, që kanë në qendër shtypjen që i ka bërë qeveria opozitës.

Lukashenka, në anën, tjetër, mohon akuzat.

Komiteti Shtetëror i Bjellorusisë, ka thënë se “qasja jonjerëzore” e autoriteteve polake i ka dëshpëruar refugjatët.

Anton Bychkovsky, zëdhënës i Komitetit, ka thënë për agjencinë e lajmeve Associated Press, se ata njerëz duan “të ushtrojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për status të refugjatit në BE”.

Bychkovsky ka insituar se ata nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar më 8 nëntor me kryeministrat e Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë, dhe më pas u ka bërë thirrje vendeve të bllokut evropian “që të miratojnë regjimin e sanksioneve ndaj autoriteteve bjelloruse që janë përgjegjëse për këtë sulm hibrid”.

BE-ja do të analizojë mënyra për sanksione, duke përmendur edhe përfshirjen e linjave ajrore të vendeve të treta në listë të zezë, të cilat “janë aktive në trafikim të njerëzve”, ka thënë ajo.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Gjermani, Horst Seehofer, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të veprojë, duke thënë se as Polonia, dhe as Gjermania, nuk mund ta menaxhojnë të vetme krizën.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur shqetësim për “imazhet dhe raportimet” që janë të lidhura me kufirin Bjellorusi-Poloni.

Polonia veçse ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kufi dhe ka rritur numrin e ushtarëve dhe pjesëtarëve të gardës.

Ligjvënësit kanë miratuar edhe ndërtimin e një muri në vlerë të 407 milionë dollarëve në kufirin lindor.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, ka thënë në Twitter që më shumë se 12,000 ushtarë janë të angazhuar në kufi dhe një forcë vullnetare e mbrojtjes është vënë në gatishmëri.

Zyrtarët e Lituanisë janë duke u përgatitur për mundësinë e përballjes me një situate të ngjashme në kufi me Bjellorusinë, andaj Ministria e Brendshme ka propozuar shpalljen e situatës së jashtëzakonshme.

“Jemi duke u përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm”, ka thënë Rustamas Liubajevas, udhëheqës i gardës kufitare të Lituanisë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG