Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka miratuar dhënien e vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.
Përmes një komunikate për media, Ministria ka bërë të ditur se vaksinimi i kësaj grup-moshe do të bëhet në gjitha qendrat e Kosovës vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor dhe se nuk ka nevojë për caktim të terminit paraprakisht.
“Përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të papërfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi”, është thënë mes tjerash në njoftim.
Në një hulumtim të kryer së fundmi në Izrael, vaksina kundër koronavirusit e kompanisë Pfizer/BioNTech ka dalë të jetë shumë efektive në parandalimin e infektimit dhe simptomave të rënda nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian tashmë kanë miratuar dhënien e vaksinës Pfizer për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.
Nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Serbia po ashtu janë duke vaksinuar fëmijët e kësaj grup-moshe.
Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 160.000 raste të infektimit me koronavirus.
Prej tyre 2.977 persona kanë vdekur.
Prej nisjes së fushatës së vaksinimit 730.037 persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi derisa 838.946 persona kanë marrë dozën e parë.
Deri më 2 nëntor në orën 15:00 është vaksinuar plotësisht 40.6 për qind e popullsisë së përgjithshme.