Ndërlidhjet

BE: Federata e Boksit e Kosovës të trajtohet njësoj si të tjerat


Selia e Komisionit Evropian në Bruksel
Selia e Komisionit Evropian në Bruksel

Bashkimi Evropian e mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano i bëri komentet për Radion Evropa e Lirë, pas vendimit të autoriteteve të Serbisë për t’iu ndaluar hyrjen në Serbi boksierëve nga Kosova.

Boksierët kosovarë do të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boskit, që ka nisur në kryeqytetin serb.

Serbia e pengoi shkuarjen e boksierëve kosovarë në fundjavë, për shkak të simboleve shtetërore.

Më 23 tetor, Asociacioni Botëror i Boksit tha se Kosova është anëtare fuqiplotë e tij dhe se pret pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj.

Kampionati nisi në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.

“BE mbështet plotësisht Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit në pritjet që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohet njësoj sikur delegacionet e secilit anëtar tjetër”, tha Stano.

“Siç e kemi thënë disa herë në të kaluarën, normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar mirëkuptimin. Autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet t’i kursejnë përpjekjet për të siguruar që shkëmbimi i tillë bëhet rregullisht, në mënyrë të papenguar dhe pa asnjë shqetësim”, shtoi Stano.

Të hënën, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, e kritikoi mungesën e reagimit të BE-së ndaj vendimit të Serbisë.

“Kemi kërkuar reagim edhe nga BE-ja, e cila në raste të tjera ka qenë shumë e kujdesshme gjatë reagimeve, por, për çudi, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim për shkelje të pastër të të drejtave themelore të sportistëve”, tha Çeku.

Ai paralajmëroi se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG