Ndërlidhjet

Mali i Zi i ofron azil politik biznesmenit të kërkuar nga Rusia


Biznesmeni Telman Ismailov.
Biznesmeni Telman Ismailov.

Mali i Zi i ka ofruar azil politik biznesmenit azerbajxhanas, Telman Ismailov, ka konfirmuar avokati i tij, Milosh Vuksanoviq, për Radion Evropa e Lirë (RFE) të premten, më 22 tetor.

"Ismailovit iu garantua azili politik në Mal të Zi nga organi kompetent në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi dhe ai u lirua nga paraburgimi", tha Vuksanoviq.

Ismailov u arrestua në Podgoricë pasi ndaj tij kishte një urdhër-arrest dhe kërkesë për ekstradim. Biznesmeni Ismailov po qëndronte në paraburgim i cili ishte vendosur nga Gjykata e Lartë e Podgoricës.

Gjykata pati thënë ka "rrezik të arratisjes" pas arrestimit të tij.

Ndërkohë, më 15 tetor, Mali i Zi ka pranuar një kërkesë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme e Rusisë për ekstradimin e Ismailovit.

Avokati Vuksanoviq beson se ai nuk mund të ekstradohet në Rusi “pasi iu ofrua azili politik”.

“Interpretimi im i Ligjit për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare, është që një person që gëzon azil në Mal të Zi nuk mund të ekstradohet në një shtet tjetër”, tha Vuksanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Mediat kanë raportuar se ai kërkohet për përfshirje në vrasjen e dy biznesmenëve, por pas arrestimit në Mal të Zi, avokati tij pati thënë se Ismailov e mohon këtë dhe e quan urdhër-arrestin i Rusisë ndaj tij si rezultat të një persekutimi politik dhe ekonomik.

Mediat raportuan se në fund të vitit 2018, djali i tij Alekper Ismailov bleu gjysmën e kapitalit aksionar të Kazino Avala në Budvë të Malit të Zi.

Megjithatë në Regjistrin Qendror të Bizneseve në Mal të Zi, më 4 tetor 2021, emri i Alekper Ismailov nuk është i shkruar si pjesë e pronësisë së kompanie.

Babai i tij, dikur ka qenë një nga biznesmenët me lidhje të shumta në Rusi. Më 2009 autoritetet ruse ia mbyllën një treg në ambient të jashtëm për shkak të “shkeljeve sanitare dhe të sigurisë" dhe kryerjen e aktiviteteve të paligjshme.

Në atë kohë, Komiteti Hetues i Rusisë tha se ai treg funksiononte si një "shtet brenda një shteti". Kritikët thonë se mbyllja e tregut Cherkizovsky mund të ketë qenë pjesë e një beteje për pasuri të patundshme në Moskë.

Ky biznesmen ka qenë në shënjestër të presidentit rus, Vladimir Putin, për shkak të stilit të tij të jetës luksoze.

Putin pati thënë se miliarda dollarët e fituar në Rusi, duhet të investohen në vend, dhe jo në projekte jashtë.

Ismailov përfundimisht pati ikur nga Rusia dhe pronat e tij atje u konfiskuan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG