Ndërlidhjet

I nominuari për ambasador në Serbi, "njeri i besueshëm i Bidenit"


Diplomati amerikan, Christopher Hill. Fotografi nga arkivi.
Diplomati amerikan, Christopher Hill. Fotografi nga arkivi.

Nominimi i diplomatit, Christoher Hill, për ambasador të ri amerikan në Serbi, është një sinjal se presidenti amerikan, Joe Biden, po dërgon në këtë vend një njeri të besueshëm, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-ambasadori i Serbisë në Uashington, Ivan Vujaçiq.

Hill është njohës i mirë i rajonit, pasi ishte zëvendës i Richard Holbrookut, negociatorit kryesor amerikan gjatë bisedimeve në Dejton, të cilat i dhanë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitet 1990.

Më parë Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar nominimin e tij. Pas nominimit nga presidenti Biden, konfirmimi duhet të bëhet nga ana e Senatit. Nëse e merr këtë konfirmim ai do ta zëvendësojë Anthony Godfreyn, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në Beograd që nga nëntori i vitit 2019.

Vujaçiq ka qenë ambasador i Serbisë në Uashington në periudhën 2002 deri më 2009. Ai thotë se presidenti amerikan mbase ka vendosur që të emërojë në poste diplomatike njerëz me të cilët ka bashkëpunuar derisa kryente funksionin e kreut të Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Duke folur për faktin se Christopher Hill është nominuar në këtë pozitë para se Godfreyt t'i skadojë mandati, ish-ambasadori serb Vujaçiq vlerëson se kjo është bërë për shkak të procedurave në Senat, duke pasur parasysh se, siç thotë ai, republikanët po sabotojnë emërimin e atyre që përzgjidhen nga ana e demokratëve.

"Unë mendoj se kjo është bërë në mënyrë që të vie në rend të ditës në një kohë të përshtatshme kur do të mund të arrihej një marrëveshje me republikanët për miratimin e nominimeve“, thotë Vujaçiq.

Diplomati Hill dhe Ballkani

Christoher Hill konsiderohet të jetë një ekspert i mirë për çështjet rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Në dhjetor të vitit 2020, në konferencën "Trashëgimia e Paqes - 25 vjet nga Marrëveshja e Paqes Dejton -Paris", ai pati thënë se Marrëveshja e Dejtonit - qëllimi i së cilës ka qenë ndalja e luftës - ka rezultuar me disa zgjidhje politike që nuk funksionojnë.

Siç pati thënë ai, nëse do të pyetej tani, do të këmbëngulte në krijimin e "qeverisjeve racionale" duke respektuar plotësisht standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

Diplomati Hill gjithashtu ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.

Ai punoi në Shkup si diplomat nga viti 1996 deri më 1999. Që nga dhjetori i vitit 1993 Shtetet e Bashkuara kishin një zyrë ndërlidhëse në atë vend ndërsa marrëdhëniet diplomatike u vendosën zyrtarisht më 13 shtator 1995.

Me dekret të ish-presidentit, Branko Cërvenkovski, diplomatit Hill iu pat ndarë urdhri "8 Shtatori”për shkak, siç ishte thënë," kontributit të jashtëzakonshëm dhe forcimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis dyja vendeve".

Për përvojat e tij diplomatike, Hill pati shkruar një libër të titulluar "Outpost: A Diplomat at Work" i cili u botua në vitin 2015.

Në to, ai kujton kohën kur kishte shkuar në Maqedoninë e atëhershme, për të cilën, siç thotë ai, përdorej shkurtesa absurde "IRJM" (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë). Sipas tij, ky emërim ishte ofendues për qytetarët e Maqedonisë.

“Unë nuk mund të shkoja vërdallë dhe ta quaja vendin IRJM. Askush në Maqedoni nuk kishte ndërmend të ndryshonte emrin e vendit të tyre për shkak të kërkesës së Greqisë. Prandaj fillova të them 'vendi yt' ose 'vendi yt i bukur' në vend të IRJM -së. Njerëzve u pëlqeu kjo në fillim, por më pas ata filluan të më pyesin: ‘Mirë, ambasador, ne jemi të kënaqur që mendoni se vendi ynë është i mrekullueshëm, por a do të donit të na thoni si quhet ai vend i mrekullueshëm? Disa muaj më vonë, fillova ta quaja vendin Maqedoni", shkruan Hill.

Në maj të vitit 1998, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e emëroi atë të dërguar për Kosovën, dhe gjatë ushtrimit të këtij funksioni ai pati shumë takime me udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë të Kosovës.

“Shqiptarët kishin një qëllim - të detyronin NATO-n, pra Shtetet e Bashkuara, të ndërhynin ushtarakisht në Kosovë. Ky konflikt me intensitet të ulët u shndërrua në një konflikt me një nivel të ulët inteligjence. Ndaj provokimeve të vogla, serbët do të hakmerreshin brutalisht me forcën e tyre, të cilat më vonë do të dokumentoheshin tërësisht dhe do të përdoreshin për të fituar simpatinë e botës për viktimat e Kosovës. Me intensifikimin e sulmeve u rrit edhe presioni për të bërë diçka", shkruante Hill në librin e tij.

Hill për bisedimet në Rambuje

Si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Kosovën, diplomati Hill pati marrë pjesë në negociatat e Rambujesë më 1998.

Pas dështimit të këtyre negociatave, nisi ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër forcave serbe për shkak të krimeve të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës.

Në një fjalim para anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm Amerikan më 2015 në lidhje me përvojat e tij diplomatike në Ballkan, Hill iu referua gjithashtu rolit të Shteteve të Bashkuara në atë periudhë:

“Evropianët nuk ishin edhe për një luftë tjetër në Evropë. Askush në Evropë nuk e pranonte propozimin e atyre që thoshin: ‘Është koha për të hedhur bomba në Serbi sepse kjo do të ishte një mënyrë për të zgjidhur shpejt problemin’. Shumë nga ato që bëmë në lidhje me situatën në Bosnjë dhe Kosovë, në parim, nënkuptonte se ne duhej të bisedonim me evropianët dhe t'ua "shisnim" atyre një plan për autonomi midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Kur kjo nuk dha fryte askush nuk mund të thoshte: ‘Nuk e provuam diplomacinë. Po, ne e bëmë”', tha Hill.

Diplomati Hill thotë në librin e tij se Shtetet e Bashkuara kanë bërë "përpjekje të jashtëzakonshme" për të bindur përfaqësuesit e Kosovës që të pranojnë marrëveshjen e propozuar në Rambuje "përndryshe sulmet ajrore ndaj Serbisë do të ishin të pamundura".

“Veton Surroi (atëherë anëtar i delegacionit shqiptar të Kosovës) është i vetmi politikan kosovar që guxoi të pranojë marrëveshjen në emër të të gjithë delegacionit të Kosovës, duke u hapur rrugën sulmeve ajrore, pasi pala serbe tashmë e kishte refuzuar propozimin. Ndërkohë, situata në terren u përshkallëzua, me lajme gjithnjë e më të shpeshta për masakrat ndaj civilëve, dhe pas përpjekjes së fundit për të arritur një marrëveshje me (presidentin e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan) Millosheviqin, SHBA-ja dhe vendet tjera të NATO-s filluan sulmet ajrore ndaj Serbisë”, shkruan Hill.

Pa ndryshime të qëndrimit të SHBA-së për dialogun në Bruksel

Ish-ministri i Jashtëm i Jugosllavisë së atëhershme, Vlladisllav Jovanoviq deklaroi për televizionin serb Prva më 14 tetor se Hill ka aftësi diplomatike, por edhe një "grusht të fortë".

"Pasi është një sinonim i politikës së shkopit dhe karotës, kjo do të thotë se nuk është vetëm i vështirë, por nëse është e nevojshme, shumë i vështirë, sepse ai zhvillon negociata nën kërcënimin e përdorimit të masave më të forta, siç janë sanksionet financiare, izolimin apo ndonjë lloj tjetër të kërcënimit ose ndëshkimit", tha Jovanoviq.

Në pyetjen se çfarë mund të presin serbët nga një nominim i tillë, ish-ambasadori Ivan Vujaçiq thotë se politika e jashtme e SHBA-së nuk është çështje personale.

Ai shton se ekziston bashkëpunimi midis agjencive dhe strukturave të ndryshme të Departamentit të Shtetit, së bashku me Pentagonin dhe Departamentin e Financave.

"Emërimi i Christopher Hill është kryesisht një shenjë se po dërgohet një njeri i besueshëm, i cili ka përvojë në këtë rajon, dhe ky është dallimi më i madh mes tij dhe ambasadorëve të tjerë amerikanë që kanë shërbyer këtu pa pasur një përvojë të madhe me këtë rajon", vlerëson Vujaçiq.

Ai gjithashtu beson se Hill nuk do të sjellë dinamikë të re në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, marrë parasysh faktin se deri më tani Uashingtoni është përpjekur të mbështesë Bashkimin Evropian në angazhimet e tij për t'i dhënë një epilog dialogut.

"Unë mendoj se ata do të jenë më shumë mbështetës për Evropën sesa do të ndjekin një politikë specifike, domethënë, nëse ata e ndjekin atë, atëherë ajo do të jetë absolutisht në përputhje me pikëpamjet e vendeve kryesore të BE -së", thotë Vujaçiq.

Në karrierën e tij diplomatike, Christopher Hill ishte edhe ambasador i Shteteve të Bashkuara në Irak, Korenë e Jugut dhe Poloni. Ai gjithashtu shërbeu si Ndihmëssekretar i Shtetit për Azinë Lindore dhe kryenegociator me Korenë e Veriut nga viti 2005 deri më 2009.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG