Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Izraeli po shqyrtojnë një Plan B ndaj Iranit


Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, Sekretarii Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed al-Nahyanin, në një konferencë të përbashkët shtypi në Departamentin e Shtetit në Uashington,13 tetor 2021.
Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, Sekretarii Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed al-Nahyanin, në një konferencë të përbashkët shtypi në Departamentin e Shtetit në Uashington,13 tetor 2021.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli thonë se janë duke shqyrtuar një Plan B për Iranin nëse ky vend nuk kthehet në negociatat që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, thanë se të dyja vendet tashmë kanë filluar diskutimet për "opsione tjera" nëse Irani refuzon ofertën për t’iu rikthyer zbatimit të plotë të marrëveshjes.

Dy shefat e diplomacisë nuk shtjelluan më shumë se cilat mund të jenë opsionet tjera ndaj Iranit.

"Ne do të shqyrtojmë çdo opsion për t'u marrë me sfidën e paraqitur nga Irani", tha Blinken në një konferencë për media se bashku me ministrin e Jashtëm, Yair Lapid dhe atë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zayed.

Bisedimet trepalëshe në Uashington u zhvilluan në përpjekje për të zgjeruar Marrëveshjet Abraham.

Këto marrëveshje u arritën më ndërmjetësimin e administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Ato mundësuan normalizimin e raporteve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtetet të tjera arabe.

Më 2018, ish-presidenti amerikan, Donald Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e fuqive botërore me Iranin dhe rivendosi sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit.

Që nga ajo kohë Teherani ka filluar me shkeljen e marrëveshjes duke përparuar pasurimin e uraniumit që mund të përdoret për prodhimin e armës bërthamore.

Atëbotë, SHBA-ja kishte deklaruar se marrëveshja bërthamore dështoi që të adresojë programin për raketa balistike të Iranit dhe mbështetjen që Teherani u jep grupeve terroriste në Lindjen e Mesme.

Që prej tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, shtetet e tjera nënshkruese – Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia – kanë tentuar që ta ruajnë këtë pakt.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka sinjalizuar një gatishmëri për t'u kthyer në marrëveshje nëse Teherani i kthehet zbatimit të saj të plotë.

Sekretari Blinken tha më 13 tetor se "koha po kalon" që Irani të kthehet në përputhje me marrëveshjen, i njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), por nuk pranoi të japë një datë si afat.

"Ne po i afrohemi një pike në të cilën rikthimi në marrëveshje nuk do të thotë në vetvete edhe përfitimet që dalin pres saj sepse Irani e ka përdorur këtë kohë për të avancuar programin e tij bërthamor në mënyra të ndryshme", tha Blinken.

Ministri izraelit Lapid ishte më i prerë.

Ai përsëriti paralajmërimet se, nëse është e nevojshme, Izraeli do të veprojë me forcë ushtarake për të ndalur Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore.

"Ekzistojnë momente kur vendet duhet të përdorin forcën për të mbrojtur botën nga e keqja. Nëse një regjim terrorist do të posedojë një armë bërthamore, ne duhet të veprojmë. Ne duhet ta bëjmë të qartë se bota e civilizuar nuk do ta lejojë atë. Nëse iranianët nuk besojnë se bota është serioze në ndalimin e tyre, ata do të përpiqen të posedojnë bombën bërthamore", tha Lapid.

Nëse Irani nuk i kthehet zbatimit të plotë të marrëveshjes, atëherë Uashingtoni është i gatshëm të marrë në konsideratë të gjitha opsionet, tha Rob Malley, i dërguari i posaçëm i SHBA -së për Iranin.

"Ne do të përgatitemi që t’i përshtatemi një realiteti tjetër në të cilin duhet të merremi me të gjitha opsionet", tha Malley në një paraqitje online.

"Ekziston mundësia që Irani të zgjedhë një rrugë tjetër, dhe ne duhet të koordinohemi me Izraelin dhe partnerët e tjerë në rajon", shtoi ai.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se nga data 15 deri më 21 tetor Malley do të udhëtojë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Arabinë Saudite për t’u koordinuar me aleatët e Gjirit.

Irani ka sinjalizuar se është gati të kthehet në negociatat e Vjenës, por nuk e ka bërë të ditur ndonjë datë.

Tashmë janë zhvilluar disa raunde diskutimesh mirëpo pa ndonjë rezultat.

SHBA-ja dhe Irani nuk zhvillojnë diskutime direkte, mirëpo të dyja delegacionet shkojnë në Vjenë dhe mbajnë bisedime me ndërmjetësimin e evropianëve.

Negociatat kanë ngecur, pjesërisht për shkak të zgjedhjeve iraniane që e sollën në pushtet presidentin e linjës së ashpër, Ebrahim Raisi.

Raisi ka theksuar nevojën që të hiqen sanksionet ndaj vendit të tij përmes mjeteve diplomatike.

Ekzistojnë shqetësime se ekipi i tij negociator mund të bëjë kërkesa të reja.

Irani ka mohuar prej kohësh se ka ambicie për të poseduar armë bërthamore.

Më 14 tetor në Iran do të qëndrojë, Enrique Mora, diplomati më i lartë evropian që koordinon bisedimet ndërkombëtare për të ringjallur marrëveshjen.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Ali Bagheri Kani, i cili pritet të udhëheqë ekipin e ri negociator të Iranit, konfirmoi se do të takohej me Moran.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG