Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është pranuar kërkesa e avokatit Nebojsha Vllajiq për të zgjatur afatin për mbajtjen e dënimit me burg për Ivan Todosijeviqin, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, me arsyetimin se “gjendet jashtë vendit”.
Lista serbe është parti udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila është formuar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërsa Todosijeviq, përveçse është deputet në Kuvendin e Kosovës, kryen edhe funksionin e kryetarit të organit të përkohshëm komunal të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Ky organ funksionon sipas sistemit të Serbisë dhe konsiderohet si strukturë paralele nga autoritetet e Kosovës.
Më 24 gusht, Todosijeviq është dënuar me dy vjet burgim, për shkak të mohimit të masakrës së Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 shqiptarë të Kosovës, më 1999.
Todosijeviq është dashur që më 6 tetor të lajmërohet për vuajtje të dënimit.
Por, avokati i tij, Nebojsha Vllajiq, ka thënë se Todosijeviq nuk ka marrë fare ftesë për ta vuajtur këtë dënim, ndonëse drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar të kundërtën në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, më 24 shtator.
“Ivan Todosijeviq ka marrë ftesën që më 6 tetor, në orën 12, të lajmërohet në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë për të vuajtur dënimin me dy vjet burgim”, ka thënë Petkoviq, duke pretenduar se kjo është “goditje e re nga Prishtina”.
Autoritetet serbe, në krye me presidentin Aleksandar Vuçiq, thonë se Todosijeviq “është dënuar padrejtësisht vetëm pse e ka thënë të vërtetën”.
Më 25 gusht, Vuçiq, në një video-regjistrim të publikuar në profilin e Instagramit “buducnostsrbije” (Ardhmëria e Serbisë), ka vlerësuar se Todosijeviqin “e kanë dënuar gjyqtarët shqiptarë, ndonëse, sipas Marrëveshjes së Brukselit, kanë qenë të detyruar ta gjykojnë dy gjyqtarë serbë dhe një shqiptar”.
Atëbotë, ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të jenë të bashkuar për dhe rreth Todosijeviqit, “ashtu siç ne në Serbinë qendrore do të jemi pranë tij, familjes së tij dhe pranë gjithë popullit serb në Kosovë”.
Avokati nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me vendndodhjen e klientit të tij, do të thotë, nëse ai është në Kosovë apo Serbi.
“Nuk mund t’ju them këtë, mos më pyetni fare diçka të tillë”, ka thënë Vllajiq.
Nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë se nuk mund të flasin lidhur me atë se cilat do të jenë pasojat ndaj Todosijeviqit, në qoftë se ai nuk lajmërohet fare për vuajtjen e dënimit, sepse “në rastin konkret, do të mund të hidhej poshtë procedura për ekzekutimin e dënimit penal”.
Për çfarë saktësisht është dënuar Todosijeviq?
Ivan Todosijeviq është dënuar për shkak të deklaratës se “shkasi për agresionin kundër vendit tonë ishte e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë, Reçaku i trilluar”.
Në shënimin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë, në mars të vitit 2019, Todosijeviq ka thënë: “Ishin këta terroristë shiptari [v.j. term pezhorativ për shqiptarët] ata që e shpikën gjithë këtë, që kryen krimet më të mëdha në Kosovë, për të cilat, deri më sot, askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, ata vranë nikoqirë dhe policë të mirë serbë në vendin e tyre të punës. Festën e tyre të përgjakshme e vazhduan gjatë agresionit dhe pas mbërritjes së të ashtuquajturit mision paqeruajtës në Kosovë”.
NATO-ja ka kryer sulmeve ajrore ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë me qëllim ndalimin e dhunës në Kosovë nga ushtria, policia dhe njësia paraushtarake serbe.
Kësaj i ka paraprirë masakra e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.