Ndërlidhjet

Masa për t'u mbrojtur nga rritja e çmimeve në Maqedoninë e Veriut


Një person duke blerë gjësende në një treg në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Odat ekonomike kanë paralajmëruar se si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë, do të rriten edhe çmimet për produktet ushqimore.
Një person duke blerë gjësende në një treg në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Odat ekonomike kanë paralajmëruar se si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë, do të rriten edhe çmimet për produktet ushqimore.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike, e karburanteve dhe produkteve ushqimore në nivel botëror, po reflektohet edhe në Maqedoninë e Veriut, kanë thënë drejtuesit e Odave Ekonomike, duke kërkuar nga qeveria masa për zbutjen e pasojave që do të kenë kompanitë, por edhe konsumatorët.

“Çdo rritje e çmimit të energjetikëve ndikon negativisht në biznese pasi kjo nënkupton kosto shtesë të shërbimeve operative, dhe kjo ndikon edhe në rritjen e çmimeve operative të kompanive. Kjo do të reflektohet më pas në rritjen e çmimeve të produkteve të tyre, që në fund do ta ndiejnë qytetarët pasi do të ketë rritje të çmimeve të ushqimeve. Kjo duhet të alarmojë qeverinë që të ndërmarrë hapa sa më të shpejtë në zbutjen e problemit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Drilon Iseni, përfaqësues i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Rritja e çmimeve fillimisht është reflektuar në energjinë elektrike. Biznese të caktuar që kanë marrë fatura më të larta, madje deri në 60 për qind, kanë bërë të ditur nga Komisioni Rregullator për Energjetikë duke arsyetuar këtë më rritjen e çmimeve në suaza botërore.

“Në këtë periudhë, çmimi i energjisë elektrike në tregun e lirë është rritur dhe natyrisht që do të ketë ndikim edhe te disa kompani të caktuara maqedonase”, thuhet në një njoftim të Komisionit, i cili megjithatë mbetet në qëndrimin se energjia elektrike në Maqedoninë e Veriut mbetet më e ulët në krahasim me vendet tjera.

Nga Oda Ekonomike thonë se kriza botërore do të godasë standardin e qytetarëve, ndërsa paralajmërojnë rritje të çmimeve të produkteve ushqimore në masën mes 40 dhe 50 për qind.

“Ne për dukurinë e rritjes së çmimeve kemi folur që nga fillimi i vitit. Presim valë të re rritjes së çmimeve. Ne tani kemi shtrenjtim të mishit dhe prodhimeve të tij në masë e 10 për qind, shtrenjtim të bukës, të vajit e prodhimeve tjera, por duke para tregjet botërore, rritja e tyre mund të shkojë deri në 40 për qind nëse shteti dhe qeveria vazhdojnë të injorojnë thirrjet tona për ndihmë urgjente”, thotë Goce Trajçev nga Oda Ekonomike.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se Maqedonia e Veriut nuk mund t’i shmanget krizës botërore, por nuk beson se pasojat do të jenë në masën ashtu siç paralajmërojnë odat ekonomike.

“Mendoj se është tepruar me paralajmërimet se rritja e çmimeve mund të shkojë deri më 50 për qind. Kjo nuk është e vërtetë. Inflacionin e kemi nën kontroll dhe sillet rreth 2.7 për qind. Do të ishte shqetësuese nëse inflacioni do të ishte mbi 10, 15 apo edhe 20 për qind. Por, më duhet të them edhe këtë se ne nuk mund të jemi të izoluar nga bota, gjithçka që ndodh jashtë vendit tonë, kuptohet se do të reflektohet edhe te ne, pasi jemi treg i hapur që varemi nga tregjet evropiane”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ai ka thënë se në rast të nevojës shteti do të ndërhyjë në parandalimin e rritjes së çmimeve dhe mbrojtjen e bizneseve dhe konsumatorëve, ashtu siç ka vepruar gjatë pandemisë COVID-19.

“Ne jemi këtu për të ndihmuar, ashtu siç vepruam gjatë krizës me pandeminë kur qeveria bëri gjithçka për të ndihmuar qytetarët e bizneset, ashtu do të veprojmë dhe tani në rast të nevojës. Ne jemi këtu që t’i shërbejmë qytetarëve, ekonomisë dhe të ruajmë vendet e punës”, ka deklaruar Zaev.

Rritje të çmimeve të prodhimeve ushqimore, si pasojë e rritjeve të karburanteve, Maqedonia e Veriut regjistroi edhe para dy muajve, në veçanti te vaji, qumështi, mielli, mishi e prodhime tjera. Kriza ekonomike në vend mori hov gjatë pandemisë, kur si pasojë e mbylljes së vendit dhe masave shtrënguese u shuan rreth 6,000 biznese ndërsa mijëra persona humbën vendet e tyre të punës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG