Ndërlidhjet

Ligjvënësit i bëjnë thirrje Bidenit të angazhohet për zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi


Ndërtesa e Kongresit amerikan.
Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Disa ligjëvënës amerikanë u kanë bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken që të angazhohen për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dyfishojnë vëmendjen e SHBA-së për zgjidhjen e tensioneve mes dy vendeve.

Thirrja është bërë përmes një letre të Grupit të Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, transmeton Zëri i Amerikës.

“Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i një mobilizimi ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që aleatja jonë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë.

Tensionet në veriun e Kosovës u përshkallëzuan për trembëdhjetë ditë pasi Kosova vendosi masën e reciprocitetit për çështjen e targave të automjeteve duke kërkuar që në territorin e saj të përdoren targa të përkohshme.

Qeveria e Kosovës pati thënë se e njëjta masë ndaj automjeteve të Kosovës po përdoret nga Serbia për shumë vite.

Në afërsit të dy pikave kufitare në veri, atë në Bërnjak dhe Jarinjë u vendosen njësitë speciale të Kosovës ndërsa serbët lokalë vendosen barrikada në rrugë.

Por, një marrëveshje për përdorimin e letrave ngjitëse që mbulojnë simbolet shtetërore në targa e dakorduar në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë më 30 shtator, mundësoi largimin e barrikadave dhe njësive speciale të policisë.

Grupi për çështjet shqiptare, që ka si bashkëkryetarë anëtarët e Kongresit Ritchie Torres the Jim Hines, në letrën e tyre thotë se masa e Kosovës u mor pas dhjetë vjetësh që Serbia e ka ndërmarë këtë veprim.

“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën si një komb të pavarur. Kjo reflektohet në një marrëveshje, në të cilën Serbia lejoi vetëm automjetet që shfaqnin targa me "KS" (Kosovë) dhe refuzoi hyrjen në automjetet që tregonin targa me "RKS" (Republika e Kosovës)”, thuhet në letrën e ligjvënësve.

Në letër ata përmendin përshkallëzimin e tensioneve mes dy vendeve pasi avionët luftarakë serbë fluturuan pranë kufirit Kosovë-Serbi.

“Shumica, nëse jo të gjitha pajisjet ushtarake serbe të përdorura u siguruan nga Rusia, aleati më i ngushtë i Serbisë. Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, vizitoi kufirin më 26 shtator 2021, së bashku me ministrin serb të mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq dhe shefin e shtabit të ushtrisë serbe Milan Mojsiloviq, çka shihet si një përligjie dhe mbështetje e mëtejshme e taktikave të Serbisë”, thuhet në letrën e ligjëvënësve amerikanë në të cilën gjithashtu inkurajohet administrate amerikane që të bashkohet me partnerët në BE dhe NATO, për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare.

Përveç bashkëkryetarëve të grupit të çështjeve shqiptare Torres dhe Himes, letra është nënshkruar edhe nga anëtarët e këtij grupi: Elissa Slotkin, Joe Courtney, Mondair Jones, Carolyn B. Maloney dhe James P. McGovern.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG