Ndërlidhjet

Opozita thotë se tërheqja nga gazi rrezikon partneritetin me SHBA-në


Termocentrali "Kosova B". Fotografi nga arkivi.
Termocentrali "Kosova B". Fotografi nga arkivi.

Tërheqja e Qeverisë së Kosovës nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC) ka hasur në kundërshtime nga partitë opozitare në Kosovë.

Reagime për tërheqjen nga projekti i infrastrukturës së gazit për këtë kanë ardhur edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, që e ka quajtur vendim të ngutshëm.

Nga MCC-ja thanë për Radion Evropa e Lirë se "vendet partnere udhëheqin me përzgjedhjen, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve” të mbështetura nga korporata".

Zëdhënësi i MCC-së, Marc Rockwell-Pate, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë tha se “MCC-ja mirëpret që të vazhdojë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, ndërsa ne punojmë për të ulur varfërinë dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike”.

“Përmirësimi i shkallës së investimeve potenciale është një pozitiv drejt finalizimit dhe nënshkrimit të kompaktit midis MCC-së dhe Kosovës”, tha zëdhënësi i MCC-së.

Pas disa muaj diskutime me përfaqësuesit e MCC-së, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli më 30 shtator ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Ajo ka thënë se kanë nevojë për më shumë informata, “për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Megjithatë, Rizvanolli ka bërë të ditur se do të shfrytëzojnë investimin e përcaktuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët, që gjithashtu e ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë.

Infrastruktura e gazit dhe termocentrali

MCC-ja kishte përcaktuar një shumë deri në 200 milionë dollarësh për të ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Opsioni që ishte më i studiuari për këtë projekt nga Qeveria e Kosovës është thënë se ka qenë ndërtimi i infrastrukturës së gazit, që do t’i jepte qasje Kosovës - përmes Maqedonisë së Veriut.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për tërheqje nga investimi në infrastrukturë të gazi ishte i ngutshëm.

“Ka qenë befasi që Qeveria e Kosovës ka vendosur të heqë dorë nga projekti i tillë. Po ndoshta ajo që është më inkurajues është se pritet të vazhdojë bashkëpunimi me MCC-në për të parë se si kjo korporatë mund të investojë në Kosovë në aspekte të tjera, përmes të ashtuquajturit program kompakt”, thotë Zeka.

Kostoja kapitale e investimit në infrastrukturën e gazit dhe termocentrali e cila ishte llogaritur se mund të kushtojë deri në 600 milionë euro ishte njëra prej dilemave që kishte Qeveria e Kosovës.

Zeka thotë se asnjë shtet partner i Kosovës e as Shtete e Bashkuara të Amerikës nuk do ta fusnin Kosovën në një pozitë të vështirë financiare. Duke u nisur nga kjo, ai thotë se projekti është dashur të vazhdojë.

“Kosova ka pasur nevojë të investojë në infrastrukturë e cila mundëson difersifikimin e burimeve të energjisë, respektivisht krijimin e infrastrukturës që do të mundësonte bartjen e gazit natyror. Kjo do të fuqizonte kapacitete industriale”, shprehet Zeka.

Haradinaj: Goditje ndaj shtetit dhe SHBA-së

Reagime pas tërheqjes Qeverisë së Kosovës nga ky projekt kanë ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe lideri i saj Ramush Haradinaj. Në një konferencë për media të premten, Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, po rrezikon partneritetin me SHBA-në.

“Refuzimi i qeverisë ndaj këtij projekti të interesit gjeostrategjik dhe gjeopolitik me dobishmëri të lartë ekonomike është goditje e drejtpërdrejt ndaj shtetit dhe partneritetit Kosovë-SHBA dhe interesave të SHBA-së në Ballkan”, tha Haradinaj.

Reagime ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Sipas LDK-së, Qeveria e Kosovës refuzoi projektin më gjeostraregjik amerikan në Ballkan, që do t’i siguronte shtetit furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik.

“Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Një ditë para tërheqjes së Qeverisë së Kosovës nga ky projekt, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte kërkuar aprovimin e projektit amerikan për infrastrukturën e gazit dhe termocentralin me gaz.

PDK-ja tha se anulimi i planeve për ndërtimin e planeve për infrastrukturën e gazit, “do të ishte një humbje e madhe për qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë, si dhe do të përbënte cenim direkt të interesave tona shtetërore e kombëtare”.

Kyçja e Kosovës në projektet rajonale të furnizimit me gaz natyror është paraparë edhe në Strategjinë e Energjisë e Republikë së Kosovës 2017-2026.

Në këtë strategji thuhet se projekti i gypit Trans Adriatik (TAP) i ka krijuar Kosovës mundësi të mëdha për t’u kyçur në rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror.

Kosova, sasinë më të madhe të energjisë elektrike, e prodhon nga djegia e qymyrit në termocentralet e Obiliqit. Rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, 2.7 për qind nga hidrocentralet si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet diellore.

Metoda e prodhimit të energjisë elektrike nga thëngjilli konsiderohet e dëmshme për mjedisin si dhe shkakton ndotje të lartë të ajrit.

Vitet e fundit, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, e po ashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG