Ndërlidhjet

SHBA: Ka përparim, por negociatat për targat vazhdojnë


Flamuri i Shteteve të Bashkuara.
Flamuri i Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara thonë se është bërë përparim në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave, por negociatat ende vazhdojnë.

“Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, thuhet në një postim në rrjetin Twitter të të ngarkuarit me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Ai në postimin e tij i bëri jehonë edhe njoftimit të zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano i cili më herët konfirmoi se negociatat janë duke vazhduar.

Njoftimi i Stanos u bë pak kohë pasi zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe shef i delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha se është arritur një draft me disa pika që do të mundësojnë zgjidhjen e përkohshme të situatës në veri, mirëpo që, sipas tij, dokumenti ende pret miratimin e Beogradit.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili është dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur që vetëm që pala serbe të jap dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi.

Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente:

  • Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës.
  • Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.
  • Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po marrin pjesë në takimet në Bruksel, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri, teksa rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG