Ndërlidhjet

Pekini përkrah kujdesshëm shpresat e talibanëve për njohje ndërkombëtare


Luftëtarë talibanë duke ecur mbrapa flamujve të tyre në rrugët e Kabulit. Shtator 2021.
Luftëtarë talibanë duke ecur mbrapa flamujve të tyre në rrugët e Kabulit. Shtator 2021.

Kina është duke bërë thirrje që të hiqen sanksionet kundër Afganistanit, në kuadër të përpjekjeve të gjera të Pekinit që të fitojë përkrahje politike ndërkombëtare për regjimin e talibanëve.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u ka bërë thirrje homologëve të tij gjatë takimit me ministrat e 20 vendeve më të industrializuara (G20) që është mbajtur më 23 shtator, që të zhbllokohen asetet e huaja të Afganistanit dhe të ndalet “presioni politik” ndaj talibanëve, të cilët kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi në Kabul, në gusht të këtij viti.

“Sanksionet ekonomike në Afganistan duhet të marrin fund”, ka thënë Wang gjatë disa deklaratave të bëra virtualisht.

“Sanksionet e njëanshme apo kufizimet ndaj Afganistanit duhet të hiqen sa më shpejt që është e mundshme”.

Ministri i Jashtëm Wang Yi gjatë takimit të ministrave të G20-ës.
Ministri i Jashtëm Wang Yi gjatë takimit të ministrave të G20-ës.

Talibanët nuk janë njohur ndërkombëtarisht, prej kur kanë marrë pushtetin në gusht të këtij viti, ndërkohë që janë tërhequr forcat e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara nga Afganistani.

Prej atëherë, talibanët kanë krijuar qeveri të përkohshme të udhëhequr nga figura të linjës së ashpër, e cila është përballur me kritika të llojit se ka dështuar që të adresojë shqetësimet më të mëdha për trajtim të afganëve, sidomos të grave dhe lidhjet me grupe terroriste.

Kina është duke u paraqitur si mbështetëse pragmatike e regjimit të ri të talibanëve dhe ka marrëdhënie me talibanët për kohë të gjatë, të fokusuar në mbrojtje të sigurisë kineze dhe shqetësime tjera kundër-terrorizimit.

Prej marrjes së pushtetit nga talibanët, Pekini ka bërë zotime për investime në ekonominë e Afganistanit dhe ka thënë se do të dërgojë ndihmë humanitare në këtë shtet.

Si përgjigje ndaj këyre zotimeve, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë se Kina është partnerja më e afërt e talibanëve.

Kina po ashtu ka nisur t’iu kërkojë edhe vendeve tjera që të bashkëpunojnë me grupin, strategji që ka nisur të ketë rezultatet e veta.

Kirgizia është bërë vendi i parë i Azisë Qendrore që ka dërguar delegatë për t’u takuar me talibanët në Kabul, pasi Talantbek Masadykov, zëvëndës-shefi i Këshillit të Sigurisë së Kirgizisë dhe zyrtarë tjerë, janë takuar me përfaqësuesit talibanë më 23 shtator.

Ky takim është përcjellë nga një tjetër takim më 26 shtator në mes të ministrit në detyrë për Punë të Jashtme nga radhët e talibanëve, Amir Khan Muttaqi, dhe ambasadorit të Kazakistanit në Kabul, për të diskutuar tregti bilaterale.

Përkrahje ngurruese

Thirrjet e Pekinit për bashkëpunim më të madh me talibanët kanë marrë hov në javët e fundit dhe kanë qenë në qendër të vëmendjes në Dushanbe, gjatë një samiti të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, të mbajtur më 16 dhe 17 shtator.

Kjo Organizatë, e udhëhequr nga Kina, përfshin edhe Indinë, Kazakistanin, Kirgizinë, Pakistanin, Rusinë, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin, si anëtarë.

Takimi i fundit në Taxhikistan ka pasur në fokus Afganistanin dhe ka qenë njëherësh takimi i parë i përbashkët me Organizatën për Traktat të Sigurisë Kolektive, aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia, që nuk përfshin Kinën.

Presidenti kinez, Xi Jinping, duke marrë pjesë përmes video-lidhjes në samitin e mbajtur në Dushanbe.
Presidenti kinez, Xi Jinping, duke marrë pjesë përmes video-lidhjes në samitin e mbajtur në Dushanbe.

Duke folur në samit përmes video-lidhjes, lideri kinez, Xi Jinping dhe presidenti rus, Vladimir Putin, janë zotuar që të punojnë së bashku për të parandaluar përhapjen e dhunës dhe jostabilitetit jashtë kufijve të Afganistanit, teksa kanë bërë të ditura planet për të këmbyer informacione dhe për të zhvilluar biseda të rregullta për situatën në këtë shtet.

“Anëtarët e këtyre organizatave janë vende fqinje të Afganistanit dhe është komunitet me siguri të përbashkët”, ka thënë Xi në samit.

“Në këtë kohë kritike, është thelbësore që të punojmë së bashku për të siguruar paqe dhe stabilitet. Shpresoj që këto propozime do të kontribojnë në qëllimet për të arritur siguri të përbashkët në rajonin tonë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke marrë pjesë përmes video-lidhjes në samitin e zhvilluar në Dushanbe.
Presidenti rus, Vladimir Putin, duke marrë pjesë përmes video-lidhjes në samitin e zhvilluar në Dushanbe.

Putin po ashtu ka dhënë shenja për zbutje të tonit të Kremlinit ndaj talibanëve duke bërë thirrje për koordinim më të mirë në rajon drejt njohjes potenciale të grupit si qeveri legjitime në Kabul.

Teksa ka komentuar kryengritjen 20-vjeçare kundër Qeverisë në Kabul dhe mbështetësve të saj, lideri rus ka përgëzuar talibanët për kthim në pushtet pa “gjakderdhje” dhe ka thënë se shtetet tjera do të duhet të gjejnë një rrugë për të punuar me grupin.

“Sa i përket njohjes, ne duhet të harmonizojmë pozicionet tona dhe të ndërtojmë dialog”, ka thënë Putin.

Kremlini është po ashtu në proces të negociimit të një vizite të delegacionit të talibanëve në Moskë, sipas një raportimi të agjencisë ruse të lajmeve, RIA Novosti.

Disponim të ngjashëm ka shpërfaqur edhe Pakistani, mbështetës i madh i talibanëve dhe vend kyç në rajon, i cili u ka kërkuar shteteve tjera që të bashkëpunojnë me grupin e talibanëve.

“Në të njëjtën kohë, komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë: Cila është alternativa? Cilat janë opsionet? Ky është realitet, dhe a mund ta shmangin realitetin?” ka thënë ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mahmood Qureshi për agjencinë e lajmeve AP, gjatë një interviste të realizuar më 24 shtator.

Rrugë e gjatë përpara

Pavarësisht pranimit në rritje të udhëheqësisë së talibanëve nga disa fqinj të Afganistanit, militantët ende kanë përpara rrugë të gjatë në synimin e tyre për njohje ndërkombëtare.

Taxhikistani, i cili ndan 1,357 kilometra kufi me Afganistanin, vazhdon të kundërshtojë regjimin e talibanëve dhe u ka mundësuar politikanëve dhe zyrtarëve tjerë të Qeverisë së rrëzuar afgane që të jetojnë në këtë shtet, prej nga është raportuar se janë duke kërkuar mbështetje financiare dhe politike.

Zyrtarët në Dushanbe kanë ngritur alarmin për militantët taxhikë, të cilët kanë luftuar me talibanët, dhe të cilët potencialisht mund të bëjnë plane për të kaluar kufirin me Taxhikistanin, ka thënë një zyrtar kufitar i Taxhikistanit për Shërbimin Taxhik të Radios Evropa e Lirë.

Këto veprime kanë nxitur reagim të ashpër nga Abdul Ghani Baradar, ushtrues detyre i pozitës së udhëheqësit të Qeverisë së përkohshme të talibanëve, i cili ka akuzuar Taxhikistanin për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Afganistanit, gjatë një interviste për rrjetin Al-Jazeera më 26 shtator.

Shumë liderë perëndimorë ende kundërshtojnë ashpër grupin, dhe Kinës do t’i duhet të vazhdojë lobimin në emër të talibanëve, për të fituar qasje në fondet tejet të nevojshme për të qeverisur Afganistanin.

Sipas Bankës Botërore, Afganistani është varur tash e një kohë nga ndihma e huaj, e cila përbën 43 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm.

Mirëpo qasja në fonde është ngrirë prej kur talibanët kanë ardhur në pushtet.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bllokuar qasjen në 440 milionë dollarë si ndihmë për shkak se nuk e njeh regjimin e talibanëve si qeveri legjitime.

Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian kanë pezulluar ndihmat po ashtu.

Përpjekjet për njohje të talibanëve vijnë teksa Afganistani e gjen veten buzë shkatërrimit ekonomik dhe përkeqësimit të krizës humanitare.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të BE-së, kanë premtuar më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë urgjente, mirëpo Uashingtoni ka bllokuar asetet e bankës qendrore të Afganistanit, në vlerë të 9.5 miliardë dollarëve, të cilat mbahen në SHBA.

Kjo gjë e faktorizon Uashingtonin kur është fjala për të ardhmen ekonomike të Afganistanit, gjë që zemëron Pekinin, në anën tjetër, në përpjekjet për të lobuar te shtetet tjera, që ta njohin udhëheqësinë në Kabul.

“Rezervat e Afganistanit janë asete kombëtare, që duhet të jenë në pronësi të njerëzve të shtetit dhe të shfrytëzohen nga po ata, dhe jo të përdoren si mjet për të ushtruar presion politik në Afganistan”, ka thënë Wang gjatë takimit me ministrat e G20-ës.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG