Ndërlidhjet

Zyrtari taliban: Ndëshkimet e ashpra dhe ekzekutimet do të kthehen


Zyrtari taliban, Mullah Nooruddin Turabi.
Zyrtari taliban, Mullah Nooruddin Turabi.

Një nga themeluesit e talibanëve dhe zbatuesi kryesor i interpretimit të ashpër të ligjit islamik, kur kanë sunduar ata për herë të fundit në Afganistan, ka thënë se lëvizja e linjës së ashpër do të kryejë ekzekutime dhe amputime të duarve, ndonëse jo në publik.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, Mullahu Nooruddin Turabi, ka hedhur poshtë zemërimin për ekzekutimet e talibanëve në të kaluarën, të cilat zakonisht kanë ndodhur para turmave në stadium, dhe ka paralajmëruar botën kundër ndërhyrjes te udhëheqësit e rinj të Afganistanit.

“Secili na ka kritikuar në të kaluarën për ndëshkimet në stadium, mirëpo ne nuk i kemi diskutuar kurrë ligjet e tyre dhe ndëshkimet”, ka thënë Turabi për agjencinë e lajmeve Associated Press, duke folur nga Kabuli.

“Askush nuk do të na tregojë se cilat duhet të jenë ligjet tona. Ne do ta ndjekim Islamin dhe do t’i bazojmë ligjet tonë në Kuran”.

"Islami nuk është dhunë, as ndarje"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:11:57 0:00

Prej kur talibanët kanë ardhur në pushtet më 15 gusht në Kabul, dhe kanë marrë kontrollin e shtetit, afganët dhe bota kanë shikuar nëse ata do të rikthejnë rregullin e ashpër të viteve 1990.

Komentet e Turabit kanë vënë në dukje sesi udhëheqësit e këtij grupi mbeten të ngulitur në një botëkuptim tejet konservator dhe të ashpër, pavarësisht se po mbështesin ndryshimet teknologjike, si videot dhe telefonat personalë.

Turabi, tani të 60-at, ka qenë ministër i Drejtësisë dhe kryetar i së ashtuquajturës Ministri e Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Imoralitetit, gjatë udhëheqësisë së kaluar të talibanëve.

Atëherë, bota ka dënuar ndëshkimet e talibanëve, të cilat kanë ndodhur në stadiumin e sporteve në Kabul, apo në ambientet e xhamisë, Eid Gah, e cila zakonisht vizitohet nga qindra burra afganë.

Ekzekutimet e vrasësve të dënuar janë kryer zakonisht me një plumb në kokë nga familjarët e viktimës.

Për hajnat e dënuar, ndëshkimi ka qenë amputimi i dorës dhe ndonjëherë edhe këmba.

Gjykimet dhe dënimet kanë qenë rrallë publike dhe gjyqësori është bazuar në favor të klerikëve islamikë, njohuria e të cilëve për ligjin ka qenë e kufizuar ndaj udhërave fetarë.

Turabi ka thënë se atëbotë, gjyqtarët – duke përfshirë gratë – kanë gjykuar rastet, mirëpo baza e ligjeve të Afganistanit ka qenë Kurani.

Ai ka thënë se ndëshkimet e njëjta do të rikthehen.

“Këputja e duarve është shumë e nevojshme për sigurinë”, ka thënë ai, duke thënë se ky vendim ka pasur efekt parandalues. Ai ka thënë se kabineti është duke analizuar nëse do t’i bëjë ndëshkimet në publik, apo do të zhvillojë “një politikë”.

Ditëve të fundit në Kabul, luftëtarët talibanë kanë rikthyer ndëshkimet që zakonisht kanë përdorur në të kaluarën – turpërimin publik të burrave që janë akuzuar për vjedhje të vogla.

“Burka nuk është kulturë afgane”
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Në të paktën dy raste javën e kaluar, burrat në Kabul janë mbledhur mbrapa furgonëve, me duar të lidhura dhe janë shëtitur nëpër rrugë për t’i përçmuar.

Në një rast, fytyrat e tyre janë lyer për t’i identifikuar si hajduë.

I veshur me një turban të bardhë dhe mjekër po ashtu të bardhë, Turabi ka treguar gjatë intervistës këmbën e tij artificiale.

Ai ka humbur njërën këmbë dhe njërin sy gjatë luftimeve me forcat sovjetike në vitet 1980.

Nën udhëheqësinë e talibanëve, ai është në krye të udhëheqjes së burgjeve.

Ai është në mesin e liderëve talibanë, përfshirë anëtarëve të kabinetit të formuar vetëm nga burrat, disa prej të cilave janë në listën e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë regjimit paraprak të talibanëve, ai ka qenë një prej zyrtarëve më të egër dhe më pakompromis të grupit.

Kur talibanët kanë marrë pushtetin më 1996, një prej veprimeve të tij të para ka qenë kur i ka bërtitur një gruaje, duke kërkuar që ajo të largohet nga dhoma me burra.

Frika nga talibanët hesht muzikantët afganë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:58 0:00

Turabi është njohur për nxjerrjen e kasetave muzikore nga makinat si dhe mbledhjen e qindra metrave të kasetave të shkatërruara nëpër rrugë.

Ai u ka kërkuar burrave të vendosin turbanë në të gjitha zyrat qeveritare dhe ndjekësit e tij kanë rrahur burrat, mjekra e të cilëve ka qenë e shkurtuar.

Sportet kanë qenë të ndaluara dhe Turabi u ka kërkuar burrave të shkojnë në xhami për t’u falur pesë herë në ditë.

Gjatë intervistimit nga AP, Turabi ka folur me një gazetare.

“Ne kemi ndryshuar nga e kaluara”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se talibanët tani do të lejojnë televizionin, telefonat mobilë, fotografitë dhe videot, “sepse kjo është e nevojshme për njerëzit dhe ne jemi seriozë për këtë gjë”.

Një fillim i ri për gratë afgane
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Ai ka sugjeruar se talibanët kanë parë mediat si rrugë për të përhapur mesazhet e tyre.

“Tani e dimë se në vend që të arrijmë te qindra persona, ne arrijmë te miliona persona”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar që nëse ndëshkimet do të bëhen publike, atëherë njerëzit do të lejohen që të bëjnë fotografi dhe video, për t’i parë të tjerët dhe për të parandaluar që një vepër e njëjtë të mos përsëritet.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë tentuar të përdorin kërcënimin e izolimit – dhe dëmit ekonomik që do të vinte bashkë me të – për t’iu bërë presion talibanëve që të zbusin regjimin e tyre dhe për t’iu bërë vend në pushtet grave dhe minoriteteve tjera.

Mirëpo Turabi ka hedhur poshtë kritikat për regjimin e kaluar taliban, duke thënë se ka rezultuar me më shumë stabilitet.

Ndonëse banorët e Kabulit shpresin shqetësim për udhëheqësit e rinj talibanë, disa e kanë pranuar se kryeqyteti është bërë më i sigurt në muajin e kaluar.

Para regjimit të talibanëve, banda me hajdutë janë parë nëpër rrugë dhe shkalla e krimit ka bërë që shumë njerëz të mos dalin nëpër rrugë në mbrëmje.

“Nuk është gjë e mirë të shohësh këta njerëz duke u turpëruar në publik, mirëpo ndalon kriminelët sepse kur njerëzit i shohin, mendojnë ‘Nuk dua që ky të jem unë’”, ka thënë Amaan, pronar dyqani në qendër të Kabulit.

Ai ka kërkuar të identifikohet vetëm me një emër për shkaqe të sigurisë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG