Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka prezatuar të mërkurën certifikatën elektronike të vaksinës kundër koronavirusit.
Përmes një postimi në llogarinë e kësaj Ministrie në Facebook, qytetarëve u janë dhënë udhëzimet e duhura për shkarkim të kësaj certificate.
Ministria po ashtu ka bërë thirrje që qytetarët të mos pajisjen me kartela digjitale të operatorëve që i ka konsideruar të paautorizuar, duke thënë se ato nuk janë të vlefshme dhe se keqpërdorin të dhënat personale të qytetarëve.
Certifikata ka një QR-kod me informacione, si emri, data e lindjes, shteti që e ka lëshuar këtë dokument, lloji i vaksinës (ose dëshmia për ndonjë imunitet) dhe kur mbajtësi i kësaj certifikate është vaksinuar.
Procesi i imunizimit të popullatës në Kosovë ka nisur në muajin mars dhe deri më tani, rreth 460 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë kundër koronavirusit.
Të vaksinuarit në Kosovë pajisen me kartelë fizike vaksinimi kundër COVID-19.
Për të hyrë dhe dalë një person në dhe nga Republika e Kosovës, sipas masave në fuqi, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, të vendosura më 13 shtator nga Qeveria e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë pasuese: certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 ose testi i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Në rast se një person nuk e ka ndonjërën nga këto dëshmi, atëherë ai duhet të vetizolohet për shtatë ditë.