Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.
"Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa", tha Vuçiq pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë, që u thirr për shkak të masës së reciprocitetit për targat, të vënë nga Qeveria e Kosovës.
Presidenti Vuçiq, tha se Serbia kërkon tërheqjen e trupave “që pushtuan” veriun e Kosovës.
Pavarësisht se paralajmëroi masa, ai tha se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe të “sigurisë së popullatës serbe në Kosovë”.
Vuçiq tha se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
"Në muajin e ardhshëm, ne do të kërkojmë një përgjigje dhe heshtja e mundshme do të jetë një shenjë e qartë për ne se marrëveshja nuk ekziston dhe se ata nuk duan që ajo të pranohet", tha Vuçiq.
Ai shtoi se këtë mëngjes ka biseduar me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore sesi duhet të duket një "zgjidhje kompromisi".
"Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është një kompromis, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë", tha Vuçiq.
Qytetarët serbë edhe gjatë të martës kanë vazhduar protestën, duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator nga Kuvendi i Kosovës, se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.
Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, si shenjë pakënaqësie edhe më 20 shtator, kur ka nisur të zbatohet kjo masë.
Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhama para dhe prapa.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.