Ndërlidhjet

SHBA: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet


Flamuri i SHBA-së dhe i Kosovës pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Flamuri i SHBA-së dhe i Kosovës pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa i takon qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë, Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar thirrjeve të Bashkimit Evropian që të dyja palët të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet.

“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Më herët zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se të dy palët duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere e cila do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljes së tensioneve.

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e lirë.

Sipas vendimit të autoriteteve në Prishtinë, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Të njëjtën masë e ka zbatuar tash e sa vite edhe Serbia për automjetet nga Kosova.

Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG