Ndërlidhjet

Afganistani buzë kolapsit të përgjithshëm


Stafi i OKB-së shpërndan ndihma ushqimore në Herat, Afganistan, Gusht 2021. Foto nga faqja e internetit e OKB -së.
Stafi i OKB-së shpërndan ndihma ushqimore në Herat, Afganistan, Gusht 2021. Foto nga faqja e internetit e OKB -së.

Mbijetesa gjatë konfliktit në vendin e saj të shkatërruar nga lufta ka qenë shqetësimi më i madh për një mjeke në Afganistanin Qendror.

Ajo ndihmoi gratë gjatë shtatzënisë dhe lindjeve në një rajon rural të vendit.

“Ndodhte në ndonjë ditë që luftimet bëheshin këtu jashtë mureve të spitalit”, tha për Radion Evropa e Lirë, Zarghuna, një gjinekologe, e cila kërkoi që të citohet përmes pseudonimit dhe të mos zbulohet identiteti i saj për shkak të frikës për sigurinë e saj.

"Ato kohëra ishin të rrezikshme, mirëpo sot ne përballemi me një vrasës më të madh, urinë", tha ajo.

Kjo mjeke trajton rreth 70 gra në spitalin e saj në Provincën Maidan Wardak.

Çështja më urgjente, sipas saj, janë pasojat e pezullimit të ndihmës ndërkombëtare pasi talibanët morën pushtetin më 15 gusht.

Spitali ku ajo punon është mbështetur me ndihma nga organizata joqeveritare “Komiteti Suedez për Afganistanin (SCA)”. Kjo organizatë ka ndihmuar afganët në nevojë për më shumë se 40 vjet.

Gjendja në spital tani nuk është e mirë. Aty janë në përfundim furnizimet me ilaçe, stafi nuk mund të sigurojë ushqim për pacientë dhe po përballen me mungesë të energjisë.

"Këto ditë jam e detyruar që të bëj dritë me elektrik të dorës apo përmes telefonit derisa i ndihmoj gratë të lindin foshnjat e tyre. Spitali nuk ka para për të blerë karburant për gjeneratorin", tha Zarghuna.

"Ky është makth me të cilin tani duhet të përballemi tërë kohën", shtoi ajo.

Qëkur talibanët morën pushtetin, janë mbyllur qindra klinika dhe institucione tjera të kujdesit shëndetësor.

Kjo mjeke është e shqetësuar për mundësinë që Afganistani të bëhet sërish një ndër vendet më të këqija në botë për gratë dhe fëmijët.

Para 20 vjetësh, Afganistani kishte disa nga nivelet më të larta të vdekshmërisë së foshnjave në botë. Atëbotë, afro 90 fëmijë vdisnin në çdo 1,000 lindje, ndërsa 1,800 nëna vdisnin për çdo 100,000 lindje.

Sot, shkalla e vdekshmërisë së foshnjave është përgjysmë më e ulët ndërsa shkalla e vdekshmërisë së nënave qëndron në rreth 600 për 100,000 lindje.

Stafi i spitalit nuk është paguar që tre muaj.

Këngëtarja e ikur nga Afganistani vajton rënien e vendit në duart e talibanëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

“Unë kam tre fëmijë dhe jam përgjegjëse për kujdesin ndaj familjes. Unë nuk e kam marrë rrogën dhe nuk kam zgjidhje tjetër përveç se të largohem nga spitali”, tregoi Zarghuna.

Rreziku nga kolapsi i përgjithshëm

Qindra-mijëra punëtorë të kualifikuar kanë ikur jashtë vendit qëkur talibanët morën pushtetin.

Shumë projekte të zhvillimit dhe humanitare, anembanë Afganistanit janë në rrezik të mos realizohen.

Shumë organizata dhe fondacione ndërkombëtare janë larguar nga vendi apo e kanë zhvendosur stafin në vende tjera. Disa të tjera nuk janë ende të sigurta të vazhdojnë aktivitetin nën Qeverinë e udhëhequr nga talibanët.

Afganistani është në prag të një krize të rëndë humanitare dhe ekonomia e vendit është në rënie. Talibanët nuk e kanë bërë të qartë sesi do të veprojnë me organizatat humanitare të cilat ofrojnë mbështetje në kujdesin shëndetësor, arsim, bujqësi dhe zbutjen e varfërisë.

Dhuna dhe martesat me detyrim i shtyjnë gratë afgane të ikin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

Komuniteti ndërkombëtar ka premtuar më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për Afganistanin.

Mirëpo ndarja e ndihmave mund të bëhet pas negociatave me Qeverinë e udhëhequr nga talibanët, e cila ende nuk është njohur ndërkombëtarisht.

Talibanët ishin në pushtet gjatë viteve 1996 deri më 2001. Atëbotë ata kishin vendosur kufizime ndaj organizatave ndërkombëtare. Kjo nënkuptonte se ishte shumë e vështirë që ndihma të arrinte te popullata e shkatërruar nga lufta dhe fatkeqësitë natyrore.

“Afganët tani po përballen me kohërat e tyre më të vështira pas disa dekadash të luftërave, vuajtjesh dhe pasigurisë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres më 13 shtator.

Ai paralajmëroi se ekziston rreziku i një kolapsi të përgjithshëm për të gjitha shërbimet e vendit.

Puna me talibanët

Disa organizata joqeveritare në të kaluarën kanë pasur raporte pune me talibanët dhe kanë thënë se janë të gatshme të vazhdojnë aktivitetin e tyre sërish. Këtu hyn edhe organizata SCA.

Gjatë regjimit të talibanëve nga 1996-2001 kjo organizatë kishte realizuar projekte të mëdha humanitare duke ndihmuar mijëra klinika e shkolla, përfshirë disa për vajza.

Kjo organizatë bashkëpunonte me talibanët derisa ata merrnin kontrollin e 17 provincave, në të cilat organizata ka aktualisht projekte.

"Ne nuk shohim ndonjë ndryshim në mënyrën sesi veprojmë tani nën talibanët", tha Syed Habibullah, i cili drejton një shkollë të mesme për vajza në rrethin Jalrez të Maidan Vardak.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se talibanët e morën kontrollin e rajonit tre muaj para rënies së Kabulit.

"Islami nuk është dhunë, as ndarje"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:11:57 0:00

Nxënëset kishin frikë për të vazhduar shkollën pas marrjes së kontrollit të talibanëve, mirëpo me kërkesën e Habibullah, një zyrtar taliban zhvilloi një takim me të.

"Qari Sayed Aziz, përgjegjës për degën e arsimit të talibanëve këtu, na siguroi se nuk do të ketë asnjë problem. Na është thënë që t'ua përcjellim mësueseve dhe studenteve mesazhin që të respektojnë hixhabin, gjë që ato po e bënin gjithsesi. Në përgjithësi, deri më tani ne jemi të lumtur sepse talibanët nuk kanë krijuar ndonjë problem për ne", tha ai.

Qeveria e udhëhequr nga talibanët në Kabul i ka bërë jehonë, duke e cilësuar si një sukses të saj, ndihmën e premtuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vlerë prej 1.2 miliard dollarëve.

"Ne premtojmë se do të bashkëpunojmë plotësisht për të ofruar ndihmë për njerëzit në nevojë", u tha gazetarëve në Kabul më 14 shtator ministri i Jashtëm i talibanëve, Amir Khan Muttaqi.

Në anën tjetër, Komisioneri i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara, Filippo Grandi, tha se ende janë në bisedime me talibanët për ndihmën e premtuar.

"Ne diskutuam çështje të tjera të rëndësishme përfshirë sigurinë që gratë të kthehen të sigurta në punë, pastaj rëndësinë e arsimit për të gjithë fëmijët afganë dhe çështje tjera të sigurisë për afganët duke përfshirë edhe pakicat", tha ai më 15 shtator.

Zëvëndësdrejtoi i organizatës SCA, Ahmad Khalid Fahim, tha se talibanët i kanë lejuar gratë të marrin pjesë në arsim, kujdesin shëndetësor dhe projektet e tyre të zhvillimit.

"Ata kërkuan që punëtoret tona të respektojnë veshjen islame në përputhje me Ligjin e Sheriatit", tha ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se talibanët kanë kërkuar që në shkolla të ketë klasa të ndara për vajzat.

"Politika të tilla ndryshonin shumë nga rajoni në rajon dhe përfundimisht kishin të bënin me qëndrimet që kanë komandantët lokalë talibanë. Në përgjithësi kishte probleme, por në shumicën e rasteve, ne ishim në gjendje t'i zgjidhnim ato. Angazhimi ynë me talibanët në nivelet lokale kishte për qëllim sigurimin e qasjes", tha ai.

Qeverisje në hije

Pas rikthimit në vitin 1996, kryengritja e talibanëve u formësua në një lloj qeverie në hije.

Ata krijuan një administratë të përbërë nga komisione për sektorë të veçantë.

Fahim tha se organizatat joqeveritare mund të drejtoheshin te këto komisione nëse problemet e tyre nuk zgjidheshin në nivel lokal.

Si shembull ai mori kërkesën e talibanëve që gratë, të cilat punonin, të shoqëroheshin nga të afërmit meshkuj.

"Në shumicën e rasteve, kjo ishte e zbatueshme vetëm për gratë që udhëtonin larg shtëpisë në udhëtime më të gjata. Një rregull i tillë nuk vlente për gratë që shkonin në një klinikë ose shkollë në të njëjtin rreth në të cilin ato banonin", tha ai.

Sipas tij, në bazë të bisedave që ka pasur me kolegët që kanë punuar në atë kohë, talibanët e sotëm kanë ndryshuar shumë.

"Gjatë viteve 1990 ata nuk lejuan arsimin e lartë. Atëherë ata nuk i lejuan gratë të punojnë, por i lejuan gratë të punojnë në rajonet nën kontrollin e tyre me disa paralajmërime, të tilla si respektimi i veshjes islamike dhe shoqërimi nga një i afërm mashkull", tha ai.

Anders Fange ishte drejtor i SCA në vitet 1990 dhe ende kohë pas kohe i duhet të merret me talibanët në rolin e tij si anëtar i bordit të organizatës.

Vitin e kaluar ai ishte pjesë e një ekipi të organizatës që diskutuan për angazhimin e tyre në Afganistan me përfaqësuesit e talibanëve në zyrën e tyre në Doha të Katarit.

Ai u largua nga bisedimet pasi, sipas tij, talibanët donin të kontrollonin se kë ata punësonin.

"Tani kur ata janë qeveri do të jetë shumë problem nëse ata do të miratojnë emrat e të gjithë mësuesve që do të kemi në komitetin suedez", tha ai duke shtuar se të gjitha organizatat humanitare janë të shqetësuara nëse do të mund të rekrutojnë punonjës pa ndërhyrjen e talibanëve.

Gatishmëria për ndihmë

Fange tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ngre zërin për të ofruar ndihmë humanitare në ushqim, strehim dhe kujdes shëndetësor.

"Nëse për këtë Qeveria talibane vendos kushte, atëherë komuniteti ndërkombëtare duhet të marrë një qëndrim", tha ai.

Një pengesë e madhe është mosgatishmëria e donatorëve perëndimorë për të bashkëpunuar me talibanët.

"Mbase prioriteti për talibanët është vazhdimësia e qeverisjes së tyre, nga pikëpamja humanitare ata nuk janë ende të shqetësuar për situatën ekonomike dhe financiare", tha ai.

Talibanët do ta kenë të vështirë të paguajnë qindra-mijëra punëtorë pasi asetet afgane janë ngrirë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë pezulluar fondet për këtë vend.

Duke marrë parasysh varësinë e Kabulit nga fondet e huaja dhe mosgatishmërinë e organizatave ndërkombëtare për ndihmë, kriza ekonomike mund të kthehet shumë shpejt në një katastrofë humanitare.

OKB-ja vlerëson se tashmë 18 milionë afganë - gati gjysma e popullsisë së vendit - kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare.

Udhëheqësit e lartë talibanë nuk janë plotësisht të pavetdijshëm për këtë situatë.

"Amerika është një vend i madh, ata duhet të kenë një zemër të madhe", tha ministri taliban Muttaqi, duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të mos ngrijnë pasuritë e vendit të tij.

Por, në Uashington dhe kryeqytetet e tjera perëndimore që janë donatorë të Afganistanit, çdo marrëdhënie e ardhshme me Qeverinë e udhëhequr nga talibanët është e kushtëzuar me trajtimin ndaj popullatës afgane që do të bëjnë talibanët. Vendet perëndimore u kanë vënë kusht talibanëve që të parandalojnë që Afganistani të shndërrohet në një qendër terroriste globale.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG