Ndërlidhjet

Certifikata për COVID-19, e detyrueshme për të gjithë punëtorët italianë


Pamje nga një hotel në Sicili të Italisë.
Pamje nga një hotel në Sicili të Italisë.

Italia u bë vendi i parë evropian që e bëri certifikatën për sëmundjen COVID-19 të detyrueshme për të gjithë punëtorët.

Qeveria italiane miratoi të enjten një masë të re, e cila i bën të detyrueshme certifikatat digjitale si për sektorin publik, ashtu edhe për atë privat.

Detyrimi do të nisë nga data 15 tetor.

Ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, u tha gazetarëve se masa e re ka për qëllim t’i bëjë vendet e punës më të sigurta dhe ta forcojë edhe më shumë fushatën e vaksinimit.

Me certifikata, të gjithë punëtorëve do t’u kërkohet të dëshmojnë se janë vaksinuar kundër sëmundjes COVID-19, janë shëruar nga infeksioni, ose kanë rezultuar negativë ndaj sëmundjes.

Vetëm pensionistët dhe qytetarët e papunë u tha se do të përjashtohen nga posedimi i certifikatës.

Secili punonjës që nuk arrin të paraqesë një certifikatë të vlefshme, do të pezullohet pa pagesë pas pesë ditësh, por nuk do të mund të pushohet nga puna.

Ata që nuk janë të vaksinuar, gjithashtu mund të gjobiten deri në 1,500 euro.

Senati italian votoi me shumicë dërrmuese në favor të masës: 189 vota për, 32 kundër dhe dy abstenime.

Italia e ka bërë të detyrueshme certifikatën për mësuesit dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik qysh më herët, ndërsa punonjësve të kujdesit shëndetësor u është kërkuar vaksina qysh në prill.

Aktualisht, gati 75% e qytetarëve mbi 12 vjeç të Italisë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG