Ndërlidhjet

Merkel mbështet nismën Ballkani i Hapur


Rama pret Merkelin në Tiranë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:53 0:00

Rama pret Merkelin në Tiranë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se mbështet projektin e tregut të përbashkët rajonal, i quajtur Ballkani i Hapur, një iniciativë që deri disa muaj më parë njihej si mini-Shengeni ballkanik.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës së saj në Tiranë, kancelarja gjermane u shpreh se nisma është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe sesa më shumë shtete të bashkëpunojnë në këtë drejtim, aq më mirë është për rajonin.

“Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me katër marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha kancelarja Merkel.

Duke folur për Procesin e Berlinit, ajo tha se “shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtimin e bashkëpunimit” dhe se ky proces “nuk ka dështuar”.

“Mendoj se shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtimin e bashkëpunimit dhe shumëçka është në rrugën e duhur”, deklaroi Merkel.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nisma Ballkani i Hapur ka dalë nga Procesi i Berlinit, dhe nuk është në kontradiktë me të.

“Open Balkan (Ballkani i Hapur) është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është në kontradiktë me Procesin e Berlinit. Është mekanizëm për të përshpejtuar Procesin e Berlinit”, theksoi Rama.

Sipas kreut të Qeverisë shqitpare, “rezultatet e Open Balkan kanë filluar të flasin dhe do të flasin gjithmonë e më shumë”.

Gjatë konferencës për mediat me kancelaren gjermane, Rama tha se Serbia kishte hezitim për këtë nismë për shkak të lëvizjes së lirë, dhe kritikoi Kosovën që refuzon t’i bashkohet kësaj nisme.

“(Serbia) Nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusnim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementët, atëherë lëvizje e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. Dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Balkan”, u shpreh kryeministri Rama.

Kurti: Nuk do të jemi pjesë e nismës Ballkani i Hapur

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se shteti i tij nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.

Ai ka thënë këtë nuk ia ka kërkuar as kancelarja gjermane, Angela Merkel, në takimin që kanë zhvilluar më 14 shtator në Tiranë.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, këtë iniciativë deri tani e përkrahin vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ideja e mini-Shengenit ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kosova refuzon të jetë pjesë e kësaj iniciative dhe e ka quajtur të rrezikshme.

Një ditë më parë, Merkel vizitoi Beogradin ku tha se një nga qëllimet e Gjermanisë është që të shohë anëtarësimin e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por shtoi se të gjitha ato kanë një “rrugë të gjatë” përpara.

Ajo shtoi se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kur bëhet fjalë për Serbinë, është një çështje që do të zgjidhet “në fund të një procesi”.

“Disa çështje do të zgjidhen në fund të një procesi. Të gjithë e dinë se disa vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Çështja duhet të zgjidhet. Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para se të zgjidhen gjërat e tjera dhe pastaj i gjithë procesi”, tha Merkel.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Merkel takoi kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës.

Zëdhënësja e Qeverisë gjermane, Martina Fietz tha se “përveç bisedimeve dypalëshe, bashkëpunimi rajonal do të jetë një temë e rëndësishme” e udhëtimit dyditor të Merkelit.

Pas 16 vjetësh në pushtet, Merkel do të largohet nga pozita e kancelares në fund të mandatit të saj të katërt, përkatësisht pas zgjedhjeve të 26 shtatorit në Gjermani.

Vizita e saj në Ballkan vjen gjithashtu përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkan, që do të mbahet në tetor.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG