Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli masa të reja kundër koronavirusit, që kërkojnë nga punëtorët në kompani të mëdha të vaksinohen.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden kritikoi miliona amerikanë që ende nuk janë vaksinuar, pavarësisht disponueshmërisë së vaksinave dhe variantit më ngjitës të koronavirusit, Delta.
“Ne kemi pasur durim, por durimi ynë po zvogëlohet. Refuzimi juaj na ka kushtuar të gjithëve”, tha Biden, duke vënë në dukje se shumica dërrmuese e infeksioneve të rënda janë në mesin e njerëzve të pavaksinuar.
Nën një strategji me gjashtë pika për luftimin e koronavirusit, Biden caktoi rregulla të reja për të gjithë punëdhënësit me më shumë se 100 punëtorë, që t’iu kërkojnë atyre të vaksinohen ose të testohen çdo javë për koronavirus.
Kjo do të prekë më shumë se 80 milionë njerëz në sektorin privat, vlerësoi Shtëpia e Bardhë. Kompanitë mund të gjobiten nëse nuk i ndjekin rregullat e reja.
Një element tjetër i planit janë vaksinimet e detyrueshme për të gjithë punonjësit federalë dhe kontraktorët federalë.
Republikanët akuzuan menjëherë presidentin demokrat për tejkalim të autoritetit.
Komiteti Kombëtar Republikan tha se do ta padisë administratën Biden për të parandaluar detyrimet për vaksinim.
“Ashtu si shumë amerikanë, unë jam pro vaksinës dhe kundër urdhërimit”, tha kryetarja e këtij komitetit, Ronna McDaniel.
“Shumë biznese të vogla dhe punëtorë nuk kanë para ose burime ligjore për të luftuar veprimet jokushtetuese të Bidenit dhe dekretet autoritare, por kur dekreti i tij të hyjë në fuqi, Komiteti Kombëtar Republikan do ta padisë administratën për të mbrojtur amerikanët dhe liritë e tyre”, tha McDaniel.
Cathy McMorris Rodgers, republikane në Komitetin e Energjisë dhe Tregtisë, që mbikëqyr politikën shëndetësore, tha se Biden po minon besimin në vaksina të sigurta dhe efektive.
“Ai po përdor frikën, kontrollin dhe detyrimet”, tha Rodgers.
“Kjo nuk ka të bëjë me lirinë ose zgjedhjen personale”, tha Biden, duke iu referuar disa republikanëve që kundërshtojnë vaksinat dhe maskat.
“Ka të bëjë me mbrojtjen e vetes dhe atyre përreth, të njerëzve me të cilët punoni, të njerëzve për të cilët kujdeseni, të njerëzve që doni. Puna ime si president është t’i mbroj të gjithë amerikanët”, tha Biden.
Plani i tij po ashtu kërkon vaksinimin e rreth 17 milionë punonjësve të kujdesit shëndetësor në objektet që marrin fonde nga Qeveria amerikane.
Mësuesve dhe stafit në programe të caktuara arsimore, të financuara nga Qeveria, do t'u kërkohet gjithashtu të vaksinohen.
Video:
Plani i presidentit po ashtu do të përdorë një ligj kombëtar të mbrojtjes, për të urdhëruar prodhuesit që të prodhojnë 280 milionë teste të shpejta për koronavirus.
Për më tepër, administrata Biden planifikon të ofrojë edhe vaksina përforcuese, nisur nga ky muaj, nga frika se efikasiteti i vaksinave zvogëlohet me kalimin e kohës ose për shkak të variantit më ngjitës Delta.
Me gjithë vaksinat e shumta falas, rreth tri të katërtat e amerikanëve që kanë të drejtë vaksinimi, kanë marrë së paku një dozë.
Sipas të dhënave nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 62 për qind e amerikanëve janë plotësisht të vaksinuar.
Koronavirusi ka vrarë më shumë se 654,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara. Vdekjet dhe shtrimet në spital janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit, për shkak të variantit Delta.
Facebook Forum