Ndërlidhjet

Ankthi që i nisi gazetarit iranian pas daljes nga burgu


Gazetari Masoud Kazemi me pranga në duar më 2019.
Gazetari Masoud Kazemi me pranga në duar më 2019.

Gazetari iranian, Masoud Kazemi, ka qenë tejet i gëzuar kur është liruar nga burgu famëkeq Evin, në prill të vitit 2020.

“Ankthi ka përfunduar zyrtarisht”, ka thënë në Twitter ish-redaktori i revistës mujore, Sedaye Parsi, duke publikuar një fotografi të burgut ku është mbajtur për 300 ditë.

Mirëpo ai nuk e ka pasur idenë që ankthi vetëm sa i ka filluar.

Pas lirimit të Kazemit, një degë e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike, e ka marrë atë në pyetje vazhdimisht dhe ka tentuar ta detyrojë që të “bashkëpunojë”.

Pas disa muajve të presionit dhe ngacmimeve për të punuar me Gardën Revolucionare, Kazemi ka ikur nga Irani drejt Turqisë, prej nga ai dhe gruaja e tij janë duke shpresuar se do të kërkojnë azil në një shtet të tretë.

Kazemi ka thënë se ende shqetësohet se mund të shënjestrohet nga zyrtarë të inteligjencës iraniane, të cilët janë të njohur për vëzhgim të aktivistëve iranianë në Turqi.

Kazemi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se katër ditë pas blerjes së një numri të telefonit, ai ka pranuar një thirrje nga ish-hetuesi i tij, i cili i ka thënë se vetëm ka dëshiruar ta përshëndesë, por Kazemi beson se ai ka qenë mesazh se atë nuk e kanë harruar dhe e dinë lokacionin e tij.

“Nuk ndihem i sigurt”, ka thënë Kazemi, i cili ka qenë në Turqi në katër muajt e fundit, ndërkohë që ka raportime se zyrtarët policorë turq, së fundmi kanë ndaluar dhe dëbuar shumë iranianë që janë duke kërkuar azil në Turqi.

Telashet e Kazemit kanë nisur në nëntor të vitit 2018, kur ai është ndaluar dhe më vonë është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim rreth akuzave për veprim në kundërshtim me sigurinë kombëtare dhe ofendim të liderit suprem të Iranit, akuza që kanë dalë nga artikujt e tij dhe postimet në rrjetet sociale.

Akuza të tilla zakonisht prezantohen kundër intelektualëve dhe aktivistëve që autoritetet dëshirojnë t’i heshtin.

Kazemi do të duhej të kryente dy vjet burgim dhe do të duhej të pezullonte profesionin e gazetarit për dy vjet pas lirimit.

Mirëpo për shkak të pandemisë së koronavirusit, Kazemi dhe mijëra të burgosur tjerë janë liruar përkohësisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse në burgjet e tejngarkuara të Iranit.

Kazemi dhe të tjerë, që kanë kryer një të tretën e burgimit janë liruar më pas plotësisht.

Megjithatë, lirimi nga burgu nuk e ka liruar atë nga kthetrat e degës së inteligjencës së Gardës Revolucionare, që së fundmi ka arrestuar një mori gazetarësh, aktivistësh dhe ambientalistë apo qytetarë me dy shtetësi.

“Gjatë kohës sime në burg, kam njohur shumë të burgosur politikë dhe kam qenë në kontakt me ta çdo ditë pasi jam liruar. Më pas mediave u kam dërguar informacione që janë publikuar pa përmendur emrin tim si burim. Kjo është arsyeja se pse jam marrë në pyetje herën e parë pas lirimit tim”, ka thënë ai.

Agjentët e inteligjencës ia kanë lëshuar Kazemit një incizim të një prej thirrjeve që ka realizuar ai me një të burgosur, dhe i kanë thënë se e dinë që ai është duke nxjerrë informacione jashtë burgut të Evinit.

Ai ka thënë se agjentët i kanë kërkuar të spiunojë miqtë dhe kontaktet, përfshirë gazetarët, aktivistë politikë dhe mbrojtës të të drejtave të grave.

Kazemi ka thënë se i është kërkuar të identifikojë disa njerëz mbrapa llogarive anonime, por shumë të popullarizuara në Twitter.

Kur Kazemi ka refuzuar, agjentë të inteligjencës e kanë kërcënuar me hapje të një rasti të ri kundër tij dhe i kanë bërë presion gruas së tij, Shima Tadresi, duke e rikthyer një rast të vjetër kundër saj, të lidhur me kritika për vendosje të detyrueshme të hixhabit.

Ai ka thënë se shumë gazetarë që janë përballur me presion të ngjashëm, ose kanë humbur vendet e punës, ose janë detyruar të largohen dhe të gjejnë vende të reja të punës.

Kazemi ka thënë se njeh gazetarë që janë duke shitur gazeta, apo janë duke punuar nëpër kafiteri.

Vetë Kazemi, që ka punuar për gazeten reformiste Sharq, ka ngjyrosur ndërtesa për të fituar para për jetesë.

Gazetari Masoud Kazemi duke ngjyrosur një banesë.
Gazetari Masoud Kazemi duke ngjyrosur një banesë.

Kur ka gjetur një punë në një kompani kontabiliteti, ai ka thënë se Garda Revolucionare e ka kërcënuar menaxherin e kompanisë, i cili ka vendosur të mos e pranojë në zyrë.

Në ditën kur i ka skaduaar ndalesa për udhëtim, ai ka aplikuar për pasaportë dhe ka udhëtuar në Turqi me gruan e tij, duke shpresuar se do të gjejë jetë më të mirë, dhe ku të dy do të mund të punojnë të lirë.

Vendimi i Kazemit për t’u larguar nga Irani flet për kushtet e vështira të gazetarëve në këtë shtet.

Dhjetëra prej tyre janë marrë në pyetje, u është bërë presion dhe janë dënuar me burgim. Disa janë detyruar të ikin derisa ata që kanë mbetur duhet të respektojnë rregulla dhe censurë të pashkruar.

Kazemi ka thënë se viteve të fundit është rritur presioni i zyrtarëve të inteligjencës ndaj gazetarëve.

“Më përpara, (autoritetet) kanë arrestuar shpejt gazetarët, mirëpo tani njoh shumë gazetarë që janë marrë ne pyetje dhe janë shqetësuar. Kompjuterët e tyre dhe pajisjet tjera – përfshirë telefonat mobilë – u janë konfiskuar dhe përmbajtja është përdorur për t’i kërcënuar ata ose për t’iu kërkuar që të bashkëpunojnë”, ka thënë ai.

“Kur një gazetar arrestohet, kjo gjë raportohet në media dhe grupet për të drejta të njerëzve dhe lirisë së mediave reagojnë, sikur që ka qenë rasti im. Mirëpo shtimi i presionit është më pak i kushtueshëm (për autoritetet, në krahasim me arrestimin)”, ka thënë Kazemi, duke shtuar se një presion i tillë ndaj gazetarëve zakonisht mbetet i pavërejtshëm.

Reza Moini, udhëheqës i zyrës për Iran dhe Afganistan në organizatën Reporterët pa Kufij, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në tre vjetët e fundit, më shumë se 50 gazetarë janë kërcënuar, janë marrë në pyetje – ndonjëherë edhe përmes telefonit - nga zyrtarë të inteligjencës në Iran, për shkak të punës së tyre që, lidhet me mbulim të temave të ndjeshme për qeverinë.

Irani zë vendin e 174-t, nga 180 sa janë në total, në Indeksin e Reporterëve pa Kufij, sa i përket lirisë së mediave në botë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG