Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është përjashtuar përkohësisht nga Partia Demokratike (PD), pas një cikli të gjatë akuzash në drejtim të tij nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Ambasada amerikane në Shqipëri.
Vendimin për përjashtimin e Berishës nga partia që ai vetë krijoi, e bëri të ditur kreu i sotëm i kësaj partie, Lulzim Basha, përmes një adresimi në media për këtë çështje.
Sipas zotit Basha, ky vendim bëhet “për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundim të kërkesës ligjore për transparencë”, pas shpalljes së zotit Berisha si person i padëshiruar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
“Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështjeje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, tha Basha.
Ai tha se Partia Demokratike mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga zoti Berisha duke thënë se ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar transparencë është e drejtë themelore e njeriut, dhe se “në rastin konkret çështja është komplekse për shkak se përfshin Departamentin amerikan të Shtetit”.
“Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacënueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë, në interes të demokratëve, në interes të së ardhmes së Shqipërisë. Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen”, shtoi Basha.
Largimi i Berishës nga PD vjen pasi Departamenti amerikan i Shtetit, i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në siç është thënë korrupsion të gjerë.
Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhej se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitime dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.
“Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara e arsyetojnë vendimin me faktin se, i njëjti është në vazhdën e riafirmimit të përkrahjes së SHBA-së, për reformat kryesore politike dhe institucionet demokratike të Shqipërisë.
Berisha i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që të publikohen fakte.