Ndërlidhjet

Kurti: Çështja e të pagjeturve nuk mund të presë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë kapitull të ri dhe se çështja e të pagjeturve nuk mund të presë.

“Nuk mund të presim për marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke me Serbinë, kur janë në pyetje familjarët e 1,630 qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të pikëlluar që nuk i kanë më të dashurit e tyre edhe 22 vjet më vonë”, ka thënë Kurti para gazetarëve, pas një vizite që ka bërë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ai ka thënë se sa i përket diskutimit të çështjeve tjera në Bruksel, delegacioni i Kosovës ka bërë propozimet e veta, por ato nuk janë pranuar.

“Mund të hapen tema diskutimi mes Kosovës dhe Brukselit, mirëpo jo edhe me Serbinë”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka konfirmuar po të mërkurën se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, ka thënë Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve.

Pas përfundimit të takimit trepalësh, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se pozicionet e palëve në një sërë çështjesh vazhdojnë të jenë të largëta.

"Sapo kemi përfunduar diskutimet dyditore me shefat e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë. Pozicionet në një sërë çështjesh vazhdojnë të jenë të largëta. Na pret punë e madhe në të ardhmen", ka shkruar ai në Tëitter.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011.

Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kosova ende vazhdon të kërkojë 1.630 persona të zhdukur gjatë luftës më 1998/99, kryesisht shqiptarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG