Ndërlidhjet

Ekzekutimet dhe rrahjet me kamxhik, të pashmangshme në Afganistan


Një vrasës i dyshuar është gjunjëzuar në qendër të stadiumit kombëtar të futbollit në Kabul, pak para se të vritej nga vëllai i viktimës, 13 mars, 1998.
Një vrasës i dyshuar është gjunjëzuar në qendër të stadiumit kombëtar të futbollit në Kabul, pak para se të vritej nga vëllai i viktimës, 13 mars, 1998.

Rikthimi i ekzekutimeve të tmerrshme publike dhe goditjet me kamxhik janë të pashmangshme në Afganistan, pasi talibanët janë duke e transformuar sistemin gjyqësor me një interpretim të ashpër të ligjit islamik, thotë një studiues ligjor afgan.

“Do të kthehemi prapa”, thotë Haroun Rahimi, profesor në Universitetin Amerikan të Afganistanit, me qendër në Kabul.

“Së shpejti do të shohim rrahje me kamxhik për tradhti bashkëshortore dhe dehje në publik. Dhe, do të shohim se si do t’i ekzekutojnë njerëzit për vrasje”.

“Këto gjëra përfundimisht do të ndodhin”, thotë Rahimi, i cili kërkoi strehim në Turqi, pasi talibanët morën kontrollin e Kabulit, muajin e kaluar.

“Ndoshta nuk do të bëhen me zhurmën që janë bërë në të kaluarën, por do të jenë disi publike”, thotë ai.

Rahimi i bazon parashikimet e tij në vendimet e fundit të gjykatave nën hije të talibanëve dhe në mënyrën se si luftëtarët talibanë kanë përdorur prej kohësh dy parimet kryesore të ligjit islamik: “hudud” dhe “kisas”.

Dënimet hudud dhe kisas

Sipas interpretimit të rreptë të Ligjit islamik të Sheriatit, dënimet hudud janë të caktuara dhe të detyrueshme për ata që kryejnë “krime kundër Zotit”, shpjegon Rahimi.

Krimet e tilla përfshijnë tradhtinë bashkëshortore, pirjen e alkoolit dhe disa lloje vjedhjesh.

Gjykatat e talibanëve gjithashtu mund të nxjerrin vendime sipas një përkufizimi më të gjerë të krimeve hudud, që përfshijnë braktisjen e Islamit ose rebelimin kundër një sundimtari ligjor islamik.

Krimet hudud nuk mund të falen dhe dënimet duhet të kryhen në publik. Dënimet përfshijnë goditje me kamxhik për pirje të alkoolit, amputim të dorës për vjedhje dhe vrasje me gurë për shkelje të kurorës.

Një hajduti të dyshuar i është prerë dora në stadiumin e futbollit në Kabul, 7 gusht, 1998.
Një hajduti të dyshuar i është prerë dora në stadiumin e futbollit në Kabul, 7 gusht, 1998.

Rahimi thotë se provat e shumta që kërkohen në rastet hudud, nënkuptojnë që gjykatat në shumicën e vendeve të tjera që veprojnë me ligjin islamik, rrallë lëshojnë dënime hudud.

Gjykatat në ato vende kanë vendosur që dënimet hudud të shmangen nëse ekziston dyshimi ose paqartësia më e vogël në një rast.

Por, regjimi taliban në vitet 1996-2001 ka kryer ekzekutime të shumta publike, amputime dhe rrahje me kamxhik në stadiumet sportive të Afganistanit.

Kisas, në anë tjetër, është një formë e drejtësisë ndëshkuese - ose “një hakmarrje e drejtë” - në rastet e krimeve kundër njeriut.

Me kisas, një person i dënuar për vrasje ekzekutohet publikisht me kërkesë të familjes së viktimës.

Familjarët e viktimës gjithashtu mund të kërkojnë “paratë e gjakut” - një pagesë kjo hakmarrëse nga vrasësi.

Rahimi thotë për Radion Evropa e Lirë se talibanët do të kenë shumë presion nga bashkësia ndërkombëtare, për t’i minimizuar zhurmat publike rreth dënimeve hudud dhe kisas.

“Ju gjithashtu duhet ta dini se ekziston një varg në Kuran që thotë ‘merrni dëshmitarë’ kur ka rrahje me kamxhik. Bëjeni publikisht, jo larg syve të njerëzve”, thotë Rahimi.

“Rrahja me kamxhik do të ndodhë, sepse është në Kuran. Është një varg në Kuran që i referohet asaj. Pra, nëse talibanët thonë se nuk do t’i godasin njerëzit, ata thjesht do të ishin një grup tjetër. Nuk do të ishin talibanë, ideologjikisht”, thotë Rahimi.

Sipas tij, edhe dënimet kisas janë në Kuran.

“Kurani, në fakt, e përshkruan këtë praktikë dhe thotë të mos jesh zemërgjerë për gjëra të tilla. Thotë ta bësh. Unë nuk mendoj se talibanët do të tregojnë fleksibilitet në këtë drejtim”, thotë Rahimi.

Struktura gjyqësore e talibanëve

Talibanët e kanë cilësuar sistemin gjyqësor të Qeverisë së mëparshme të Afganistanit si të ngadalshëm dhe të korruptuar. Por, ata nuk do të krijojnë sistem të ri gjyqësor nga fillimi.

Ekspertët presin që struktura e ardhshme gjyqësore e Afganistanit të bazohet në gjykatat nën hije që talibanët kanë krijuar në të gjithë vendin gjatë dy dekadave të fundit. Ato kanë qenë pjesë e një strategjie talibane, për të minuar institucionet e Qeverisë qendrore afgane.

Këto gjykata nën hije kanë imituar strukturën gjyqësore të Qeverisë afgane, të mbështetur ndërkombëtarisht.

Kështu, gjykatat e talibanëve janë ngritur në nivele qarqesh, si për çështjet penale, ashtu edhe për ato civile.

Gjykatat e provincave, pastaj, janë krijuar për të dëgjuar apelimet kundër vendimeve të gjykatave të qarqeve, ndërsa në Pakistan është ngritur një gjykatë supreme nën hije, me mandat për të dëgjuar apelimet kundër vendimeve të gjyqtarëve talibanë të provincave.

I gjithë sistemi i gjykatave nën hije është mbikëqyrur nga Mullah Abdul Hakim Ishaqzai.

Abdul Hakim Haqqani
Abdul Hakim Haqqani

I njohur edhe si Abdul Hakim Haqqani, Hakim, 64 vjeç, i cili vjen nga qarku Maivand i provincës Kandahar, është shpallur ministër i Drejtësisë në Qeverinë e re talibane, më 7 shtator.

Si mik i themeluesit të talibanëve dhe udhëheqësit të parë suprem, të ndjerit Mullah Mohammad Omar, Hakim ka luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e talibanëve.

Ai gjithashtu ka drejtuar ekipin negociator të talibanëve në Doha të Katarit dhe është anëtar i këshillit udhëheqës të talibanëve, i njohur si Shura Kueta.

Autoritet mbi Hakimin është udhëheqësi suprem i talibanëve, Mawlawi Haibatullah Akhundzada.

Emërimi i gjyqtarëve talibanë

Instituti për Zhvillime të Jashtme (ODI), me seli në Londër, ka kaluar vite duke dokumentuar se si komisioni gjyqësor i Hakimit ka krijuar gjykata nën hije në të gjithë Afganistanin, për të trajtuar çështjet penale dhe civile.

Sundimi Rebel i Ligjit - një studim i publikuar nga ky institut në maj të vitit 2020 - ka arritur në përfundimin se gjykatat nën hije kanë qenë një pjesë thelbësore e strategjisë së talibanëve për të krijuar mbështetje dhe legjitimitet në sytë e afganëve, që nuk kanë pasur asnjë mënyrë tjetër për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet civile.

Gjykatat nën hije të talibanëve shpesh kanë punuar në zona të izoluara rurale, ku Qeveria qendrore afgane nuk ka qenë e pranishme.

“Duke shfrytëzuar pakënaqësitë me mungesën e qasjes në drejtësi, gjykatat talibane i kanë zgjidhur shpejt mosmarrëveshjet, që mekanizmat shtetërorë dhe zakonorë nuk kanë mundur”, ka konstatuar ODI.

“Ofrimi i drejtësisë gjithashtu u ka mundësuar talibanëve të infiltrojnë zona të reja, të zbusin terrenin për operacionet e ardhshme dhe të zbatojnë një sërë rregullash të rrepta mbi popullsinë civile”, ka thënë ODI.

Ashley Jackson, bashkudhëheqëse e Qendrës për Studimin e Grupeve të Armatosura pranë ODI-t, ka bërë kërkime në terren për studimin Sundimi Rebel i Ligjit.

Ajo ka intervistuar qindra njerëz që kanë kaluar nëpër gjykatat nën hije të talibanëve viteve të fundit, përfshirë afganë në provincat perëndimore Herat dhe Farjab, provincat jugore Helmand dhe Kandahar dhe pjesë të Afganistanit lindor.

“Ka njëfarë dallimi në mënyrën se si funksionojnë gjykatat nën hije” në pjesë të ndryshme të Afganistanit, “veçanërisht për gratë dhe veçanërisht për çështje më të ndjeshme”, thotë Jackson për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, gjykatat talibane në Afganistanin juglindor duket se kanë qenë më të ndikuara nga strukturat e forta fisnore, sesa në pjesën perëndimore të vendit.

Ajo ka zbuluar se komandantët lokalë talibanë kanë pasur “njëfarë ndikimi” në emërimet në gjykatat e territorit të tyre.

Por, ajo refuzon të thotë se emërimet e gjykatave nën hije janë bërë nga komandantët ushtarakë.

Në Afganistanin lindor, thotë Jackson, “rrjeti Haqqani definitivisht nuk i kontrollon emërimet e gjyqtarëve vendas”.

“Ata në komisionin e drejtësisë kanë rol udhëheqës në këto emërime”, thotë ajo.

Sipas saj, gjyqtarët e emëruar rrallë vijnë nga qarku ose provinca ku ndodhet gjykata.

Ata shpesh sillen nga diku tjetër, në mënyrë që të jenë “të paanshëm”, thotë Jackson.

Abuzimet me të drejtat

Në një studim të publikuar në qershor të vitit 2020, organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW) ka dokumentuar abuzime të shumta nga gjykatat nën hije të talibanëve.

Sipas organizatës, të afërmit e punonjësve të Qeverisë afgane kanë qenë në shënjestër për dënim kolektiv, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Punonjësit e rrëmbyer të Qeverisë, ose afganët e akuzuar nga talibanët si spiunë të Qeverisë, shpesh janë burgosur pa afat ose janë ekzekutuar.

Sipas HRW-së, për gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës në familje, gjykatat e talibanëve nuk ofrojnë as “mundësi të kufizuara për drejtësi”.

Gratë afgane gjithashtu janë penguar të ikin nga dhuna në familje, ka konstatuar HRW.

Tregtia e armëve merr hov në Afganistan pas kthimit të talibanëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Lëvizja përpara

Florian Weigand, bashkautor i studimit të ODI-t, thotë për Radion Evropa e Lirë se pret që talibanët të vazhdojnë me një strukturë gjyqësore të bazuar në gjykatat e tyre nën hije.

Ai thotë se pret që talibanët tani ta transferojnë gjykatën e tyre supreme nga Pakistani në Kabul ose Kandahar, “ose kudo që ata vendosin ta kenë kryeqytetin e tyre të ri”.

“Në aspektin burokratik do të jetë shumë e vështirë. Ata kanë nevojë për gjyqtarë të kualifikuar. Kanë nevojë për njerëz që bëjnë drejtësi. Dhe, ata duhet të jenë në gjendje t'i paguajnë ata njerëz”, thotë Weigand.

Rahimi pajtohet, duke thënë: “Nga provat e vogla që kemi për gjërat që po ndodhin, duket se talibanët janë të kënaqur me strukturën e gjykatave që kanë”.

Por, Rahimi thotë se talibanët gjithashtu mund të kenë nevojë të krijojnë një lloj gjykate speciale për t'u marrë me rastet e ndërlikuara tregtare, në mënyrë që të krijojnë besim te joafganët, bashkësia ndërkombëtare dhe investitorët.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG