Ndërlidhjet

Europol: Belgjika dhe Holanda, qendra kryesore të kokainës


Drogë e konfiskuar - fotografi ilustruese
Drogë e konfiskuar - fotografi ilustruese

Belgjika dhe Holanda janë bërë qendra kryesore për trafikun e kokainës në Evropë, tha të martën agjencia policore e Bashkimit Evropian - Europol.

Në një raport prej 27 faqesh, të publikuar bashkë me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Krim dhe Drogë, Europol tha se bandat kriminale përdorin qytetet porte të Roterdamit, Hamburgut dhe veçanërisht Antverpin për të transportuar drogën në Holandë, nga ku shpërndahet pastaj në të gjithë Evropën.

Kjo ka bërë që Spanja të kapërcehet si rrugë kryesore e kontrabandës, tha agjencia Europol.

Sipas saj, vetëm vitin e kaluar, në Antverp të Belgjikës u kapën rreth 65.6 tonë kokainë.

Në shkurt, Gjermania dhe Belgjika kapën bashkërisht 23 tonë - një sasi kjo që u cilësua si rekorde.

Në raport thuhet se tregu i kokainës në Evropë u rrit kryesisht me furnizimet e shtuara nga Kolumbia, ku një marrëveshje e paqes me grupin gueril FARC, e arritur në vitin 2016, ka hapur tregun për konkurrencë.

Raporti po ashtu thekson se bandat evropiane të drogës shpesh operojnë përgjatë vijave familjare, etnike ose gjuhësore, “duke përfshirë bandat marokene dhe shqiptare”, si dhe “grupin mafioz Ndrangheta të Italisë”.

Pas kanabisit, kokaina tani është droga e dytë më e popullarizuar në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, thuhet në raport.

Vlerësimet e fundit sugjerojnë se vitin e kaluar kanë qenë rreth 4.4 milionë përdorues të saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG