Ndërlidhjet

MPJD: Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë për shkak të deklaratave provokuese


Petar Petkoviq, foto nga arkivi.
Petar Petkoviq, foto nga arkivi.

Kosova ia ka ndaluar hyrjen drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për shkak të siç thuhet, pavarësisht se ai në vazhdimësi ka dhënë garanci se do të përmbahet nga deklaratat nxitëse, në vizitat e tij të fundit në Kosovë, ai ka bërë “deklarata provokuese”.

Petkoviq ka thënë se Kosova nuk e lejoi që të qëndrojë në një vizitë dyditore në Kosovë, të planifikuar më 3 dhe 4 shtator.

“Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Megjithatë, MPJD nuk ka sqaruar se cilat deklarata të Petkoviqit i cilëson si provokuese dhe nxitëse të urrejtjes.

Nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, më herët gjatë të premtes thanë se Petkoviq ishte planifikuar që të qëndronte dy ditë në Kosovë, për të vizituar disa subjekte afariste “ku shteti i Serbisë ka siguruar vende të reja pune” si dhe për të vizituar disa familje që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Sipas kësaj zyreje, kjo është ndalesa e tretë me radhë që Kosova i vendos Petkoviqit dhe kjo “në prag të vazhdimit të dialogut në Bruksel javën e ardhshme”. Nga kjo zyrë paralajmëruan se këto ndalesa do të jenë pjesë e diskutimeve në Bruksel.

Nga zyra e Petkoviqit thanë se arsyetimi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës për ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë “është i pabazuar”.

Më 20 gusht, Serbia tha se në Mitrovicë të Veriut ka vendosur gurthemelin e të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Në këtë ngjarje, Petkoviq kishte deklaruar:

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq”.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thanë se për më tepër, Petkoviq nuk kishte paralajmëruar vizitën në Kosovë më 3 dhe 4 shtator.

“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit ka miratuar hyrjen”, thanë nga MPJD-ja.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2011 kishin arritur edhe marrëveshje për vizitat zyrtare, ku thuhet se palët duhet ta njoftojnë njëra-tjetrën për vizitat në shtetet përkatëse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG