Ndërlidhjet

S’ka vaksina aq sa ka interesim


Qytetarët në Prishtinë duke u regjistruar në sallën "1 Tetori" para se të marrin dozën e vaksinës. 23 gusht 2021.
Qytetarët në Prishtinë duke u regjistruar në sallën "1 Tetori" para se të marrin dozën e vaksinës. 23 gusht 2021.

Përpjekjet për të rezervuar termin për vaksinim kundër sëmundjes COVID-19 janë të kota për Valentina Aliun nga Fushë Kosova. Ajo thotë se pas rritjes së numrit të viktimave dhe personave të infektuar, është shumë e interesuar që të vaksinohet sa më shpejtë.

“Jam munduar të aplikoj në platformën e-kosova, por nuk ka terminë të lirë. Po frikësohem shumë sepse ka shumë raste pozitive edhe pse unë e kam përfunduar koronavirusin”, thotë Aliu.

Ky është mesazhi që po iu paraqitet shumicës së qytetarëve që po duan të rezervojnë një termin për vaksinim kundër COVID-19 më 30 gusht.
Ky është mesazhi që po iu paraqitet shumicës së qytetarëve që po duan të rezervojnë një termin për vaksinim kundër COVID-19 më 30 gusht.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se terminë të rinj do të gjenerohen varësisht prej stokut të vaksinave dhe ekipeve të vaksinimit në dispozicion.

Të hënën në mbrëmje Ministria ka njoftuar se janë hapur termine të reja shtesë për qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të dielën, ka deklaruar se në stoqe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë mbi 53.000 doza të vaksinës Pfizer dhe mbi 132.000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë i thanë Radios Evropa e Lirë se çdo të hënë, Kosova pranon nga një kontingjent vaksinash nga kontrata me kompaninë amerikane, Pfizer. Edhe këtë të hënë, sipas tyre, do të arrijnë rreth 55.000 doza të vaksinës. MSH-ja po ashtu tha se gjatë 30 gushtit janë caktuar mbi 14.000 terminë për vaksinim.

Edhe në institucionet shëndetësore në qytetin e Fushë Kosovës konfirmojnë se vaksina të mjaftueshme ka vetëm për terminët e rezervuar paraprakisht.

Fitnete Ferizi, koordinatore e Qendrës së Vaksinimit në Fushë Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se posedojnë dy lloje të vaksinave (Pfizer dhe AstraZenecas) dhe gjatë një dite administrojnë mbi 450 doza të vaksinës.

“Edhe sot (30 gusht) vaksinimi është duke u realizuar sipas planit dhe qytetarët mund të përzgjedhin vaksinën që dëshirojnë”, thotë Ferizi.

Ndryshe, së fundmi Kosova ka administruar rreth 15.000 doza të vaksinës brenda një dite, ndërkaq në fillim të gushtit kjo shifër arrite deri në mbi 20.000.

Deri më tani, Kosova ka dhënë mbi 808.000 doza të vaksinës kurse mbi 269.000 të tjerë janë vaksinuar me të dy dozat. Një person konsiderohet i vaksinuar plotësisht duhet që të kalojnë dy javë nga doza e dytë.

Përveç kontratës me Pfizerin për blerjen e mbi 1.2 milion dozave të vaksinës, Kosova ka marrë donacione të vaksinave nga organizata dhe shtete të ndryshme. Mekanizmi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka dhuruar 360.000 doza të vaksinës AstraZeneca, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do t’i japin Kosovës mbi 500.000 doza të Pfizerit, Kroacia ka dhuruar 30.000 doza dhe Norvegjia mbi 182.000 doza të vaksinës AstraZeneca. Po ashtu Bashkimi Evropian ka premtuar 95.000 doza të Pfizerit.

Javëve të fundit, në Kosovë është përkeqësuar situata epidemiologjike dhe kjo ka bërë që të rritet interesimi i qytetarëve për vaksinim.

Të dielën, Kosova regjistroi 36 viktima, që është shifra më e lartë e vdekjeve brenda një dite që prej fillimit të pandemisë. Ndërkaq, të hënën, autoritetet raportuan për 20 viktima të tjera dhe 932 raste të reja me koronavirus.

Krahas rritjes së rasteve të reja me COVID-19, në Kosovë është rritur edhe numri i personave që po kërkojnë hospitalizim. Vetëm gjatë 30 gushtit, sipas autoriteteve në spitalet dhe klinikat e Kosovës, janë të shtrirë 1.142 pacientë, 60 prej të cilëve janë në kujdes intensiv.

Më 30 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë të cilat sipas Qeverisë së Kosovës, kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG