Ndërlidhjet

Kosovarët mirëpresin qytetarët afganë 


Grupi i parë i afganëve që arritën në Kosovë më 29 gusht 2021.
Grupi i parë i afganëve që arritën në Kosovë më 29 gusht 2021.

Në Kosovë janë strehuar 111 qytetarët e parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Prej tyre, 55 janë gra dhe fëmijë, kurse të tjerët janë burra.

Asnjë prej tyre nuk kanë rezultuar pozitivë në testet e bëra për koronavirus, i ka thënë Radios Evropa e Lirë një burim nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ata janë vendosur në ish-kampin e kompanisë Bechtel Enka, që gjendet pranë bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Ferizaj.

Ndonëse është paralajmëruar që të hënën, më 30 gusht, do të vijë edhe një grup tjetër i afganëve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka konfirmuar se ata mund të vijnë gjatë së hënës, derisa nuk kanë dhënë detaje se ku do të vendoset grupi i dytë, që pritet të vijë.

“Dëbimin nga shtëpitë e përjetuam edhe ne”

Disa nga qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se Kosova duhet t’i ndihmojë popujt në nevojë.

“Mendoj që edhe pse jemi një shtet i vogël dhe jo shumë i zhvilluar, e kemi provuar vetë këtë sfidë (të largimit nga shtëpitë). Kështu që, me atë çfarë mund t’iu japim edhe atyre që kanë nevojë”, thotë Vjosa nga Prishtina.

Njëjtë mendon edhe pensionisti Gani Sinani nga Kamenica.

“Gjithsesi se duhet t’i strehojmë ata. Duhet t’iu ndihmojmë njerëzve në këto kriza. Duhet të jemi zemërhapur”, thotë Sinani.

Kosova mirëpret afganët
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:42 0:00

Kurtish Kurtishi nga Presheva dhe Shkumbin Gjonbalaj nga Prishtina, thonë se i kanë të freskëta kujtimet kur u larguan nga shtëpitë e tyre në vitin 1999.

“Është gjest obligativ dhe human. Mendoj se është obligim, sidomos për ne që e kemi përjetuar eksodin, atë histori të dhimbshme. Prandaj e arsyetoj plotësisht strehimin e tyre”, thotë Kurtishi.

“Për mendimin tim, Kosova ka bërë mirë që ka strehuar afganët. Njerëzit janë në nevojë. E kemi provuar edhe ne fatin e tyre. Është akt humanitar”, thotë Gjonbalaj.

Balaj: Strehimi i afganëve pozicionon Kosovën përkrahë aleatëve

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se rreth 2.000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka kapacitete teknike për strehimin e tyre.

“Strehimi i qytetarëve afganë nga Kosova është një vendim i drejtë, jo vetëm nga aspekti moral dhe humanitar që Kosova po e zgjatë dorën e ndihmës për njerëzit në nevojë në kohë të krizave, por gjithashtu rikonfirmohet pozicionimi strategjik i Kosovës karshi aleatëve të NATO-s”, thotë Balaj.

Strehimi i tyre, thotë Balaj, nuk bart pasoja të sigurisë për Kosovën, për shkak se të njëjtin kanë kaluar përmes një procesi të verifikimit nga institucione amerikane të sigurisë, por edhe të institucioneve të Kosovës.

“Shumica prej tyre janë qytetarë që kanë punuar në një formë apo tjetër me NATO-n, janë anëtarë të shoqërisë civile në Afganistan, janë gazetarë, etj...pra është një profil ndryshe, që ka një potencial më të vogël të rrezikut”, thotë Balaj.

Në Kosovë të dielën më 29 gusht, arriti grupi i parë i qytetarëve afganë. Ata u transportuan nga Gjermania me një avion të forcave ajrore amerikane.

Qytetarët afganë, që kanë punuar me NATO-n, së bashku me familjet e tyre, do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, derisa t'iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Qindra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG