Shumica e viktimave që u shënuan të dielën në Kosovë kanë qenë të pavaksinuar kundër koronavirusit, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Minsitria e Shëndetësisë.
Të dielën, më 29 gusht, Kosova regjistroi 36 viktima, që është numri më i lartë i viktimave të regjistruara brenda një dite, që prej shfaqjes së pandemisë në mars të vitit 2020.
Nga kjo ministri thanë se disa nga viktimat kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Mbi 90 për qind të viktimave të regjistruara, fatkeqësisht kanë qenë të pavaksinuar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti nga Zyra për media e Ministrisë së Shëndetësisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur "ditë të rëndë" për Kosovën pasi vendi regjistroi 36 viktima.
"Situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve. Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë", ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.
Në Kosovë administrohen vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të cilat jepen përmes dy dozave.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, një person konsiderohet plotësisht i vaksinuar dy javë pasi të ketë marrë dozën e dytë të vaksinës.
Varianti Delta – që është variant më ngjitës i virusit – është bërë variant dominues edhe në Kosovë.
Sipas një studimi të publikuar në The New England Journal of Medicine, personat e vaksinuar nuk janë plotësisht imunë nga infeksionit me koronavirus, por edhe nëse infektohen, ata kanë të ngjarë të përjetojnë simptoma të buta ose aspak simptoma.
Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) thotë se disa të dhëna tregojnë se te personat e pavaksinuar, varianti Delta mund të shkaktojë më shumë sëmundje të rënda, sesa variantet paraprake.
Në dy studime të ndara, në Kanada dhe në Skoci, pacientët e infektuar me variantin Delta, për shkak të gjendjes së tyre, kishin më shumë mundësi të përfundonin të shtrirë në spital, sesa pacientët me variantin Alfa, ose atë fillestar të COVID-19. Ndërkaq, shumica e madhe e personave që janë shtrirë në spital dhe e personave që kanë vdekur nga COVID-19, ishte e pavaksinuar.
Megjithatë, sipas CDC, personat që janë të vaksinuar plotësisht, dhe janë infektuar me variantin Delta, mund ta përhapin atë te të tjerët, mirëpo për një kohë më të shkurtër.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Prishtinë, Arben Vishaj më herët gjatë gushtit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se personat e vaksinuar, por që janë infektuar me koronaviurs, kanë pasqyrë më të lehtë klinike.
“Vaksinimi ka një efekt të jashtëzakonshëm në rrjedhën e sëmundjes. Ndonëse vaksinimi nuk është 100 për qind që të mbron nga infeksioni, por duket se në masë të lartë të mbron që të mos zhvillohet forma e rëndë dhe të mos përfundojnë pacientët me vdekje”, ka thënë Vishaj.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të dielën se viktimat ishin të grupmoshave të ndryshme.
Njëmbëdhjetë viktima bënin pjesë në grupmoshën 60-69 vjeç, tetë ishin të grupmoshës 80 vjeç e sipër, nëntë në atë 70-79 vjeç, tri viktima të grupmoshës 50-59 dhe atë 30-39 vjeç, një viktimë i përkiste grupmoshës 40-49 vjeç dhe një viktimë ishte e grupmoshës 20-29 vjeç.
Sipas të dhënave, që prej 13 marsit 2020 e deri më 29 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 142.671 raste me koronavirus dhe 2.457 viktima.
Autoritetet qeveritare e kanë cilësuar si të rëndë situatën me pandeminë në Kosovë dhe më 28 gusht, Qeveria e Kosovës njoftoi për masa të reja kundër pandemisë.
Ndërkaq, sa i përket fushatës së vaksinimit, MSH-ja njoftoi se brenda një dite janë administruar 11.458 doza.
Në total, Kosova ka administruar 808.078 doza, ku 269.312 persona janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës.