Ndërlidhjet

Në Kosovë arrin grupi i parë i afganëve


Kosova mirëpret afganët
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:42 0:00

Kosova mirëpret afganët

Në Kosovë të dielën më 29 gusht, arriti grupi i parë i qytetarëve afganë, prej 111 personash, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Ata u transportuan nga Gjermania me një avion të forcave ajrore amerikane, i cili aterroi në Kosovë pak pas orës 20:00. Autoritetet kosovare po ashtu njoftuan se gjatë të hënës pritet të arrijë grupi tjetër i afganëve.

Qytetarët afganë, që kanë punuar me NATO-n, së bashku me familjet e tyre, do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, derisa t'iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara. Në mesin e tyre ka gra dhe fëmijë.

Afganët që kanë arritur në Kosovë, do të strehohen në ish-kampin e kompanisë Bechtel Enka, që gjendet pranë bazës ushtarake amerikane "Bondsteel" në Ferizaj.

Për të pritur qytetarët afganë, në Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari" dolën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett.

Grupi i parë i afganëve arrin në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Grupi i dytë i afganëve do të vijë të hënën në Kosovë

Gjatë një konference për media nga Aeroporti "Adem Jashari", ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se grupi i radhës i afganëve pritet të vijnë në Kosovë të hënën.

Ai tha se të gjithë shtetasit afganë që arritën në Kosovë do të testohen për koronavirus dhe nëse ka raste pozitive, janë caktuar edhe vende për karantimin e tyre. Po ashtu, ai tha se shtetasit afganë do të vaksinohen kundër koronavirusit, nëse nuk janë të vaksinuar.

"Fluturimet e ardhshme pritet të ndodhin qysh nesër. Tashmë kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme. Është çështje e organizimit të aleatëve tanë për sa i takon fluturimeve apo nisjeve të avionëve të tyre për në Kosovë", tha Sveçla.

Ai shtoi se numri i shtetasve afganë që do të strehohen përkohësisht në Kosovë ende nuk dihet saktë, por tha se "do të jetë një numër i përballueshëm për ne".

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani tha se qytetarët e Kosovës e dinë se çfarë do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia, andaj ajo tha se për afganët, Kosova ka hapur "jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona".

"Ne jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të të gjithë këtyre partnerëve prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te shteti i fundit i NATO-s në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe ata që vijnë këtu në Kosovë të ndihen që më në fund janë të sigurt", tha Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se afganët që kanë arritur në Kosovë janë mysafirë dhe se tashmë ata janë të sigurt.

"Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna për aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si. Pra të gjitha çështjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike dhe logjistike sesi këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim pas një konflikti që e lanë pas në atdheun e tyre", tha Kurti.

Në aeroport ishin të pranishme edhe forca policore të Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it për të mbajtur sigurinë. Aty po ashtu u panë edhe disa autobusë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që u përdorën për transportimin e afganëve.

Autobusët e FSK-së brenda aeroportit të Prishtinës presin që të transportojnë afganët.
Autobusët e FSK-së brenda aeroportit të Prishtinës presin që të transportojnë afganët.

Më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se do të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Kosova tashmë ka miratuar mbrojtjen e përkohshme për afganët që kanë punuar me forcat amerikane, me ato të NATO-s dhe për familjet e tyre. Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Në Shqipëri veçse kanë arritur afër 500 afganë që kanë ikur nga Kabuli. Shqipëria ka thënë se mund të strehojë deri në 4.000 afganë. Po ashtu, e gatshme për të strehuar afganë është shprehur edhe Maqedonia e Veriut, e cila po pret që të arrijnë afganët.

Shqipëria mirëpret edhe dy grupe me qytetarë afganë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00

Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera po përshpejtojnë përpjekjet e tyre për të evakuuar qytetarët afganë dhe shtetasit e tyre nga aeroporti i Kabulit, teksa afati i 31 gushtit për tërheqjen e trupave nga Afganistani po afrohet.

Disa shtete të NATO-s, përfshirë Francën, kanë njoftuar se kanë përfunduar misionet e evakuimit.

Evakuimet kanë vazhduar edhe pas një sulmi vetëvrasës pranë aeroportit të Kabulit, përgjegjësinë e të cilit e mori grupi Shteti Islamik. Nga ky sulm u vranë rreth 170 persona, përfshirë edhe 13 ushtarë amerikanë.

Në kundërpërgjigje të këtij sulmi, më 28 gusht, SHBA-ja tha se ka vrarë përmes një sulmi me dron në lindje të Afganistani, dy anëtarë të këtij grupi që besohet se kanë qenë të përfshirë në sulmin pranë aeroportit të Kabulit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG