Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha se vendi i tij “ka mbetur seriozisht prapa” në fusha të caktuara shoqërore dhe ekonomike dhe se Qeveria duhet të veprojë “për të përmirësuar jetesën e njerëzve”.
Duke folur në mbledhjen e parë të kabinetit të tij, që u miratua një ditë më herët, Raisi tha se situata në Iran “duhet të ndryshojë me siguri”.
Irani është duke bërë përpjekje të frenojë pandeminë e koronavirusit.
Zyrtarët atje fajësojnë variantin më ngjitës Delta për, siç thonë, valën e pestë të infeksioneve.
Të tjerë kritikojnë vendimin e autoriteteve për të ndaluar importimin e vaksinave të bëra nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, me arsyetimin se ato mund të shkaktojnë “komplikime të panjohura dhe të pakthyeshme”.
Kjo ka bërë që vaksinimi kundër koronvirusit në Iran të mbetet shumë prapa pritshmërive.
Raisi, një ultrakonservator, u zotua se do t’i rrisë importet e vaksinave dhe se do të rrisë prodhimin vendor, duke thënë se përpjekjet e deritanishme kanë qenë “të nevojshme, por jo të mjaftueshme”.
Ai nuk dha asnjë detaj mbi planet e tij.
Autoritetet iraniane kanë miratuar përdorimin urgjent të dy vaksinave të zhvilluara në vend.
Më shumë se 16.3 milionë nga 83 milionë banorët e Iranit kanë marrë një dozë të vaksinës, por vetëm 5.4 milionë kanë marrë të dytën, ka thënë Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi më 20 gusht.
Irani është vendi më i goditur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme. Ai ka regjistruar mbi 4.7 milionë raste të të infektuarve dhe mbi 104,000 viktima.
Raisi po ashtu tha se Qeveria duhet të frenojë inflacionin, pasi sanksionet financiare, të vendosura nga Uashingtoni, po e shkatërrojnë ekonominë.