Ndërlidhjet

OKB-ja posedon raporte për shkeljet që po bëjnë talibanët


Luftëtarët talibanë me një automjet patrullojnë rrugët e Kabulit, 23 gusht 2021.
Luftëtarët talibanë me një automjet patrullojnë rrugët e Kabulit, 23 gusht 2021.

Shefja për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, thotë se ka pranuar raporte të besueshme që tregojnë për krime dhe shkelje serioze të të drejtave të njeriut nga ana e talibanëve në Afganistan.

Sipas saj, në këto raporte thuhet se ata po kryejnë ekzekutime masive të civilëve dhe po kufizojnë të drejtat e grave.

Bachelet i kërkoi Këshillit të OKB -së për të Drejtat e Njeriut që të krijojë një mekanizëm për të monitoruar nga afër veprimet e talibanëve.

Ajo u bëri thirrje talibanëve që të angazhohen për respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave si dhe pakicave etnike dhe fetare, dhe të përmbahen nga aktet e hakmarrjes.

Këshilli i OKB -së për të Drejtat e Njeriut mbajti më 24 gusht një takim emergjent me kërkesë të Pakistanit dhe Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

Takimi mbahet derisa trupat amerikane po shtojnë përpjekjet për të evakuuar mijëra njerëz nga Kabuli, pasi më parë talibanët paralajmëruan se evakuimet mund të vazhdojnë vetëm edhe për një javë.

"Unë fuqishëm i nxis talibanët që të miratojnë normat e qeverisjes së përgjegjshme dhe të respektojnë të drejtat e njeriut" tha Bachelet në Këshill.

Talibanët e sunduan Afganistanin midis viteve 1996 dhe 2001. Ata nuk i lejuan gratë të punonin, vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën dhe gratë duhej të mbulonin fytyrat dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, nëse donin të dilnin nga shtëpitë e tyre.

Ato që shkelën rregullat ndonjëherë u dënuan me rrahje publike nga policia fetare e talibanëve.

Pasi morën kontrollin e Afganistanit pas 20 vjetësh të prezencës së huaj ushtarake, talibanët tani janë nën vëzhgimin e udhëheqësve perëndimorë nëse kanë ndryshuar, përfshirë edhe mënyrën se si i trajtojnë vajzat dhe gratë.

Shumë vende dhe organizata kanë shprehur dyshime në lidhje me premtimet e talibanëve se kësaj rradhe do të sundojnë ndryshe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG