Ndërlidhjet

Vazhdon kaosi në aeroportin e Kabulit


Skena kaotike në qendrën e evakuimit jashtë aeroportit të Kabulit më 21 gusht. Mijëra njerëz po tentojnë të largohen nga vendi.
Skena kaotike në qendrën e evakuimit jashtë aeroportit të Kabulit më 21 gusht. Mijëra njerëz po tentojnë të largohen nga vendi.

Në aeroportin e Kabulit po vazhdon një situatë kaotike ku dhjetëra mijëra njerëz po synojnë të largohen nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë në përdorim linjat ajrore komerciale për të përshpejtuar evakuimet, derisa presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se procesi mund të zgjasë më shumë se afati i paraparë deri në fund të muajit gusht.

Ndërkohë talibanët thonë se nuk do të pranojnë asnjë zgjatje të tërheqjes përtej 31 gushtit.

"Nëse SHBA-ja ose Britania e Madhe do të kërkonin kohë shtesë për të vazhduar evakuimet - përgjigjja është jo. Ose do të kishte pasoja. Do të krijojë mosbesim mes nesh”, tha zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen për Sky News.

Forcat gjermane thanë më 23 gusht se gjatë një përleshjeje të armatosur në anën veriore të aeroportit, një roje afgane është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur.

Shkëmbimi i zjarrit shpërtheu midis personave të armatosur të paidentifikuar, forcave amerikane dhe gjermane dhe rojeve afgane, u tha në deklaratë, pa u specifikuar nëse afgani i vdekur ishte një nga luftëtarët talibanë të vendosur për të ruajtur aeroportin.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime në lidhje me një kërcënim të mundshëm rreth aeroportit nga militantët e grupit terrorist Shteti Islamik në Afganistan të njohur si IS-K. Ky grup është një armik i talibanëve.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, në një deklaratë për CNN tha se është “real” një kërcënim i tillë.

Javën e kaluar gjatë kaosit në aeroportin e Kabulit kanë vdekur shtatë afganë, mirëpo nuk është njoftuar se si kanë ndodhur vdekjet e tyre.

Më 22 gusht luftëtarët talibanë qëlluan me armë në ajër jashtë aeroportit të Kabulit për t’i detyruar njerëzit që të krijojnë radhë të pritjes në mënyrë që të shmangen rrëmujat.

Në anën tjetër, ushtria amerikane ka qenë vazhdimisht në kontakt me talibanët për të lehtësuar evakuimet. Presidenti Biden ka thënë se grupi ka qenë "bashkëpunues" rreth aeroportit, derisa mijëra njerëz janë mbledhur përreth tij.

Një zyrtar i NATO -s tha se në shtatë ditët e fundit, të paktën 20 persona kanë vdekur brenda dhe përreth aeroportit.

Disa u qëlluan dhe të tjerët vdiqën pasi u shtypën nga turmat.

Presidenti Biden ka bërë të ditur më 22 gusht se rreth 28.000 njerëz ishin evakuuar nga Kabuli që nga 14 gushti, përfshirë 11.000 të transportuar gjatë fundjavës.

Ai gjithashtu tha se ekipi i tij i sigurisë kombëtare po diskutonte mundësinë e zgjatjes së afatit të 31 gushtit për largimin e ushtrisë amerikane në mënyrë që të sigurojë që qytetarët amerikanë, të huajt e tjerë dhe afganët në rrezik, të kenë siguri gjatë largimit nga vendi.

"Më lejoni të jem i qartë, evakuimi i mijëra njerëzve nga Kabuli do të jetë i vështirë dhe i dhimbshëm", tha Biden.

Presidenti Biden përsëri mbrojti politikën e administratës së tij ndaj Afganistanit dhe tërheqjen e trupave amerikane nga ky vend.

Procesi i evakuimit

Ambasada amerikane në Afganistan lëshoi një alarm të ri të sigurisë duke paralajmëruar qytetarët që të mos udhëtojnë në aeroportin e Kabulit pa udhëzime nga një përfaqësues i Qeverisë amerikane.

Disa qytetarë amerikanë po fluturojnë me helikopterë nga destinacionet brenda Kabulit direkt në aeroport.

Pentagoni, ndërkohë, urdhëroi gjashtë kompani ajrore tregtare të ndihmojnë transportin e njerëzve pas evakuimit të tyre.

Gjithsej, 18 avionë komercialë nga transportuesit kryesorë si United, American dhe Delta do të përdoren për të transportuar njerëz nga vende të përkohshme pas mbërritjes nga Afganistani.

Avionët nuk do të udhëtojnë për në Kabul.

Zhvillimet tjera në Afganistan

Raportohet se udhëheqësit talibanë kanë filluar bisedimet për formimin e një qeverie. Derisa ata po përpiqen të konsolidojnë kontrollin e tyre në Kabul dhe të vendosin rendin dhe ligjin, në një rajon verior ata po sfidohen nga luftëtarët që refuzojnë të njohin pushtetin e talibanëve.

Pjesëtarët e mbetur të forcave të sigurisë qeveritare thuhet se janë mbledhur në Luginën Panjshir, në veri të kryeqytetit, në përpjekje për formimin e Frontit të Rezistencës Kombëtare (NRF).

Sipas disa raportimeve, talibanët po dërgojnë qindra luftëtarë në këtë rajon.

Zëvëndëspresidenti i Afganistanit, Amrullah Saleh, i cili është i strehuar në këtë zonë tha se militantët talibanë kanë "grumbulluar forca pranë hyrjes së Panjshirit".

Një nga drejtuesit e NRF-së është Ahmad Masud, djali i komandantit të famshëm anti-sovjetik dhe anti-taliban, Ahmad Shah Masud.

Masud tha më 22 gusht se ai shpresonte se do të zhvilloheshin bisedime paqësore me lëvizjen islamike, por se forcat e tij në Panjshir ishin gati për të luftuar.

"Ne duam t'i bindim talibanët se negociatat janë e vetmja rrugë", tha ai.

Megjithatë, sipas zëdhënësit të NRF-së, Ali Maisam Nazary, grupi është i përgatitur për një "konflikt afatgjatë".

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG