Ndërlidhjet

SHBA-ja do të dërgojë këtë javë vaksina kundër COVID-19 në Kosovë  


Doza të vaksinës Pfizer/BioNTech. Fotografi nga arkivi.
Doza të vaksinës Pfizer/BioNTech. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë këtë javë në Kosovë një kontingjent prej 35.100 vaksinash kundër COVID-19, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Ai tha se vaksinat dërgohen përmes programit COVAX dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë.

Dozat për Kosovën janë pjesë e një blerjeje prej gjysmë miliardi të vaksinës Pfizer të siguruar nga presidenti Joe Biden, në fillim të kësaj vere.

Zyrtari tha se ekipet shkencore dhe autoritetet ligjore të të dyja vendeve kanë punuar së bashku për të siguruar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të vaksinave në Kosovë.

“Ne jemi krenarë që jemi në gjendje t'i dorëzojmë këto vaksina të sigurta dhe efektive për njerëzit e Kosovës. Ne po i ndajmë këto doza jo për të siguruar favore ose për të nxjerrë koncesione. Vaksinat tona nuk vijnë me prapavijë. Ne po e bëjmë këtë me synimin e vetëm - për të shpëtuar jetë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, po udhëheqin botën në një strategji globale të vaksinave “sepse është gjëja e duhur për të bërë. Është gjëja e duhur moralisht, gjëja e duhur nga një perspektivë globale e shëndetit publik, dhe e drejtë për sigurinë dhe mirëqenien tonë kolektive”.

Administrata Biden-Harris, tha ai, e ka të qartë se për t’i dhënë fund kësaj pandemie kërkohet eliminimi i saj në gjithë botën.

Përveç 2 miliardë dollarëve të dhuruar për programin COVAX, Qeveria amerikane ka blerë 500 milionë vaksina Pfizer/BioNTech për t’i shpërndarë ato gjatë gjithë vitit në Unionin Afrikan dhe 92 vende me të ardhura të ulëta. Kjo përfaqëson blerjen dhe dhurimin më të madh ndonjëherë të vaksinave nga një vend i vetëm dhe një angazhim nga populli amerikan për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve në të gjithë botën nga COVID-19.

Njoftimi për dërgimin e vaksinave në Kosovë, vjen në ditën kur Kosova regjistroi rekord të rasteve të reja me koronavirus, përkatësisht 2.236 infektime të reja.

Të enjten, Kosova shënoi edhe tetë të vdekur dhe 138 të shëruar.

Prej 13 marsit 2020, deri më 19 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 123.098 raste me COVID-19. Prej kësaj shifre, 2.303 raste kanë përfunduar me fatalitet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG