Ndërlidhjet

Trazirat në Afganistan përhapen në Azinë Qendrore


Ushtarët e Uzbekistanit duke bërë roje më 15 gusht, rreth 15 kilometra nga ura mbi lumin Amu Darya, që ndan Uzbekistanin dhe Afganistanin.
Ushtarët e Uzbekistanit duke bërë roje më 15 gusht, rreth 15 kilometra nga ura mbi lumin Amu Darya, që ndan Uzbekistanin dhe Afganistanin.

Ngjarjet që qeveritë e Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit, që në javët e fundit kanë pasur frikë se do të ndodhin, veçse kanë filluar që të ndodhin.

Qeveria afgane ka rënë në duart e talibanëve dhe pavarësisht që qeveritë e Azisë Qendrore kanë pasur vite për të menduar dhe planifikuar për një ngjarje të tillë, valët e goditjes fillestare nga kufijtë jugorë duket se e i kanë gjetur të papërgatitur veçanërisht Taxhikistanin dhe Uzbekistanin.

Taxhikistani, që prej qershorit, është përgatitur që të pranojë refugjatë nëse situata në veri të Afganistanit do të përkeqësohej – dhe pak kohë pas kësaj, refugjatët filluan që ta kalonin kufirin.

Por, shumica e atyre që erdhën nga Afganistani në Taxhikistan në fund të qershorit ishin ushtarë ose paramilitarë, rreth 150 prej tyre, të cilët kishin mbetur pa ushqim, municion dhe nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të largoheshin nga Afganistani.

Mijëra të tjerë erdhën më pas – rreth 2.300 sipas të dhënave të Qeverisë afgane – që të gjithë u raportua se u kthyen me aeroplanë për në Kabul.

Uzbekistani u përballë me situatë në ngjashme në fund të qershorit, por në një shkallë më të ulët, kur dhjetëra luftëtarë dhe paramilitarë afganë tentuan që ta kalonin kufirin, por u kthyen mbrapsht.

Dhe në fillim të korrikut, rreth 1.000 civilë afganë e kaluan kufirin dhe hynë në lindje të Taxhikistanit.

Por, duke filluar nga 14 gushtit, kur qyteti më i madh në veri të Afganistanit, Mazar-e Sharif, u mor nga talibanët, eksodi i njerëzve nga Afganistani u nis me helikopterë dhe avionë, gjë që duket se i befasoi autoritetet taxhike dhe uzbeke.

Raportimet kundërthënëse

Se sa avionë shkuan në Azinë Qendrore është ende e paqartë, pasi është raportuar për shifra të ndryshme.

Sipas një raportimi, më 14-15 gusht, të paktën 22 avionë ushtarakë dhe 24 helikopterë fluturuan nga Afganistani për në Uzbekistan dhe “u detyruan që të aterronin në aeroportin ndërkombëtar (në qytetin kufitar uzbek) të Temezit”.

Me këta helikopterë dhe avionë u raportua se udhëtuan 585 ushtarë afganë.

Edhe 158 civilë dhe ushtarë më 15 gusht kaluan lumin Amu Darya që gjendet në kufirin midis Afganistanit dhe Uzbekistanit.

Realitet i ri: Afganistani në duart e talibanëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Prokurori i Përgjithshëm i Uzbekistanit postoi një deklaratë më 17 gusht ku tha se ndërmjet 14 dhe 15 gushtit, 46 aeroplanë dhe helikopterë afganë (22 aeroplanë dhe 24 helikopterë) “kundërligjshëm” kaluan kufirin dhe u detyruan që të aterronin në Termez.

Kjo deklaratë më pas u tërhoq, për shkak të, siç tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, gabimeve faktike.

Kjo zyrë nuk sqaroi se si – me aq shumë civilë dhe zyrtarë ushtarakë në rajon së fundi – ka pasur gabime faktike në postimin origjinal.

Janes Defence ka raportuar më 18 gusht se imazhet satelitore kanë shfaqur “21 avionë” dhe “rreth 26 helikopterë” të Forcave Ajrore afgane në aeroportin në Termez më 16 gusht.

Kishte edhe raportime të tjera kundërthënëse që kishin të bënin me një avion luftarak afgan që fillimisht u tha se u rrëzua më 15 gusht në provincën Surhandarya të Uzbekistanit, që gjendet në kufi me Afganistanin.

Gazeta.uz ka raportuar se dy ushtarë afganë janë dërguar në një spital lokal, që duket se dolën nga avioni.

Më vonë u raportua se avioni ishte rrëzuar nga mbrojtja ajrore e Uzbekistanit, pasi ilegalisht kishte fluturuar nga Afganistani përgjatë kufirit.

Për ta shtuar konfuzionin, ka pasur raportime më 16 gusht se tre avionë ushtarakë afganë kishin hyrë në hapësirën ajrore uzbeke më 15 gusht dhe kishin kërkuar leje që të aterronin në bazën ajrore Khanabad.

Por, kontrollorët ajrorë uzbekë i kanë udhëzuar avionët afganë që të aterronin në Termez dhe dërguan dy avionë uzbekë të tipit Mig-29 për t’i shoqëruar.

Një prej avionëve afgan raportohet se është përplasur me një avion uzbek dhe është rrëzuar në qarkun Sherabad në provincën Surhandarya. Pilotët e të dy avionëve raportohet se kanë arritur të hidhen nga avionët.

Më 14 gusht, autoritetet uzbeke lejuan 84 ushtarë afganë që të hynin në shtet për të marrë trajtim mjekësor dhe për t’u strehuar përkohësisht, edhe pse u raportua se “qindra” afganë ishin grumbulluar mbi urën Dustlik, që lidh dy shtetet.

Ministria e Jashtme e Uzbekistanit tha se në atë kohë po mbaheshin bisedime për t’i kthyer mbrapsht afganët.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se do të ngrehë aktakuzë ndaj afganëve për kalim të paligjshëm për në Uzbekistan. Për shumicën e këtyre ushtarëve, qëndrimi në burgjet uzbeke ndoshta preferohet më shumë se sa ajo që do i priste në Afganistanin e kontrolluar nga talibanët.

Televizioni i Afganistanit, Tolo TV ka raportuar se më 15-16 gusht kanë qenë 46 fluturime nga Afganistani në Taxhikistan dhe për në qytetin uzbek, Termez.

Shërbimi taxhik i Radios Evropa e Lirë, që njihet si Ozodi, raporti më 16 gusht se burimet nga Komiteti shtetëror për Situata Emergjente thanë se tre avionë dhe dy helikopterë nga Afganistani aterruan në qytetin jugor taxhik të Bokhatarit. Në bordin e këtyre avionëve dhe helikopterëve u tha se ishin 143 ushtarë afganë.

Sipas ueb-faqes së pavarur taxhike Asia-Plus, Ministria e Jashtme taxhike tha se “kemi pranuar sinjalin e ndihmës, pas së cilës, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të vendit, u mor vendimi për të lejuar avionët ushtarakë afganë që të aterronin në aeroportin në Bokhtar”.

Ministria e Jashtme tha se kanë qenë vetëm dy avionë dhe që të dy “fluturuan mbrapsht” për në Afganistan, pasi pasagjerët zbarkuan.

Ushtarët afganë raportohet se janë strehuar në konviktet e një universiteti lokal.

Asia-Plus po ashtu ka raportuar duke u thirrur në një burim në Ambasadën afgane në Taxhikistan, që ka pretenduar se 18 avionë afganë – dy avionë pasagjerësh dhe 16 ushtarakë – kanë fluturuar për në Taxhikistan.

Në anën tjetër, ka pak informacione lidhur me situatën në kufirin ndërmjet Turkmenistanit dhe Afganistanit.

Media shtetërore në Turkmenistan, siç edhe pritej, nuk ka raportuar për asnjë nga ngjarjet e rëndësishme që kanë ndodhur së fundmi në Afganistan.

Por, shërbimi turkmen i Radios Evropa e Lirë, që njihet si Azatlyk, ka raportuar se autoritetet turkeme po ndalojnë çdo afganë – qoftë ushtarë apo civilë, përfshirë edhe turkmenët etnikë – që të kalojnë kufirin për në Turkmenistan.

Afganët e njohur zyrtarisht nuk janë në Azinë Qendrore

Kur presidenti afgan, Ashraf Ghani u largua nga shteti i tij më 15 gusht, u raportua se ai ishte nisur drejt Taxhikistanit.

Zyrtarët taxhikë mohuan se Ghani kishte arritur në Taxhikistan edhe pse është raportuar se Ghani fluturoi drejt Taxhikistanit, pasi u nis nga Kabuli.

Është të paktën një version që thotë se Ghani kishte një marrëveshje për të fluturuar për në Taxhikitan, por në momentin e fundit, për “arsye të panjohura”, Taxhikistani refuzoi ta pranojë atë.

Zyrtarët në Emiratet e Bashkuara Arabe thanë më 18 gusht se Ghani dhe familja e tij gjendeshin në Dubai, edhe pse ende nuk dihet se kur ai arriti në këtë shtet.

Më 14 gusht, ish-zëvendëspresidenti afgan dhe kryekomandanti i famshëm, Abdul Rashid Dostum – i cili ditëve të fundit ka udhëhequr forcat qeveritare afgane në veri të Afganistanit – dhe ish-guvernatori i provincës Balkh, Ata Muhammad Nur raportohet se u larguan nga Mazar-e Sharif së bashku me shumë trupa dhe makina ushtarake dhe tentuan që të kalonin kufirin për në Uzbekistan.

Ka pasur raportime se Dostum dhe Nur ende janë në Uzbekistan, por sipas shërbimit uzbek të REL-it, që njihet si Ozodlik, Ministria e Jashtme e Uzbekistanit ka mohuar se Dostum, Nur apo edhe Ghani kanë qenë në Uzbekistan.

Çka do të ndodhë tash?

Taxhikistani deri më tani nuk ka dhënë indikacione se do të kthejë mbrapsht afganët që aktualisht janë në këtë shtet.

Por, autoritetet në Uzbekistan po tentojnë që të mos i tensionojnë raportet me talibanët dhe kjo është arsyeja që ata nuk po pranojnë refugjatë.

Afganët e parë i shpëtojnë kaosit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Ministria e Jashtme e Uzbekistanit, përmes një deklarate, më 17 gusht tha se ishte në kontakt të afërt me talibanët dhe “çdo përpjekje për të shkelur kufijtë shtetërorë do të shtypet ashpër”.

Autoritetet turkmene, siç u tha, nuk kanë bërë asnjë koment publik lidhur me situatën në Afganistan edhe pse paraprakisht kishin bërë thirrje për stabilitet në shtetin fqinj, dhe Ashgabati pothuajse asnjëherë nuk thotë asgjë për situatën përgjatë kufirit ndërmjet Turkmenistanit dhe Afganistanit.

Zyrtarët turkmenë janë takuar me përfaqësuesit talibanë të paktën tri herë më 2021, por pavarësisht sigurive që palët i dhanë njëra-tjetrës, presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymukhammedov duket se është i pasigurt lidhur me sigurinë e shtetit të tij.

Përveç se kanë dërguar trupa dhe pajisje ushtarake – shumica e pajisjeve janë blerë gjatë gjashtë vjetëve të fundit – në zonat përgjatë kufirit afgan, Berdymukhammedov gjithashtu ka pranuar ftesën që të jetë mysafir në Taxhikistan në mesin e shtatorit, për të marrë pjesë në samitin e Organizatës për Bashkëpunim të Shangait, ku presidenti turkmen ka marrë pjesë edhe dy herë më herët, më 2007 dhe 2016.

Ai në Dushanbe do të marrë pjesë në një takim me Organizatën për Traktatin për Siguri Kolektive, ku Berdymukhammedov nuk ka marrë pjesë më herët.

Nëse ajo çka ndodhi në ditët e para pasi Qeveria afgane ra në duart e talibanëve është gjëja më e rëndë që shtetet e Azisë Qendrore do të përballen në të ardhmen, këto shtete duhet ta konsiderojnë veten me fat.

Por, gjithashtu është një përkujtesë që Azia Qendrore dhe Afganistani janë të lidhura ngushtë dhe çfarëdo që ndodh në Afganistan, vështirë se mund të parandalohet që të përhapet edhe në Azinë Qendrore.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG