Ndërlidhjet

Irani e pranon se ka shtuar prodhimin e uraniumit


Makinat në një sallë në objektin bërthamor të Natanz.
Makinat në një sallë në objektin bërthamor të Natanz.

Irani ka konfirmuar se ka zgjeruar prodhimin e uraniumit të pasuruar.

Kështu thuhej edhe në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), në të cilin shkruhej se prodhimi i uraniumit po bëhet në shkallën 60 për qind të pastërtisë. Për të prodhuar bombë bërthamore, pasurimi i uraniumit duhet të jetë 90 për qind.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, tha më 18 gusht se veprimet e fundit janë si përgjigje e "moszbatimit" të marrëveshjes bërthamore dhe sanksioneve të SHBA-së.

Sipas tij, Irani do të rifillojë të zbatojë detyrimet sipas marrëveshjes së vitit 2015 me fuqitë bërthamore, sapo që dokumenti të zbatohet nga ana e këtyre vendeve dhe të shfuqizohen sanksionet amerikane.

Marrëveshja e vitit 2015 kishte kufizuar programin bërthamor të Iranit mirëpo Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 u tërhoqen nga pakti.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pati thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka shprehur gatishmëri që t’i rikthehet paktit mirëpo ka thënë se Irani fillimisht duhet të zbatojë gjitha kushtet e marrëveshjes.

Irani njoftoi në muajin prill se kishte në plan të fillonte pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind të pastërtisë nga 20 për qind në përgjigje të një sulmi në uzinën bërthamore Natanz, për të cilin fajësoi Izraelin.

Bisedimet për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore filluan në muajin prill në Vjenë, por edhe pas disa raundesh nuk është arritur ndonjë përparim.

Bisedimet përfshijnë përfaqësues të vendeve që nënshkruan marrëveshjen bërthamore me Iranin - Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Pjesëmarrja e SHBA-së është në formë indirekte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG