Ndërlidhjet

Mbretëria e Bashkuar do të pranojë 20.000 afganë


Shtetasit britanikë dhe disa afganë duke u larguar nga shteti përmes aeroportit të Kabulit Gusht 2021.
Shtetasit britanikë dhe disa afganë duke u larguar nga shteti përmes aeroportit të Kabulit Gusht 2021.

Mijëra refugjatë afganë do të shpërngulen në Mbretëri të Bashkuar, pas pushtimit të Kabulit nga talibanët, ka premtuar Qeveria britanike.

Skema e re do t’iu japë mundësinë 20.000 afganëve që të jetojnë në Mbretëri të Bashkuar në të ardhmen.

Në vitin e parë, 5.000 refugjatë do të mund të aplikojnë për t’u shpërnguluar atje, derisa gratë, vajzat dhe minoritetet fetare do të kenë prioritet.

Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, u ka bërë thirrje edhe vendeve tjera që të ofrojnë ndihmë.

“Ne duam që të jemi shembull, por nuk mund ta bëjmë këtë gjë vetëm”, ka thënë ajo për të përditshmen, Daily Telegraph.

Megjithatë, partitë opozitare kanë kritikuar këtë skemë, duke thënë se nuk është e mjaftueshme.

Plani i ri është shtesë e skemës ekzistuese për përkthyesit dhe stafin tjetër që ka punuar me Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të mërkurën para Parlamentit se bota është duke shikuar nëse veprat e talibanëve përputhen me fjalët e tyre, pasi militantët janë zotuar se nuk do të hakmerren ndaj kundërshtarëve dhe do të respektojnë të drejtat e grave, përmes një regjimi “ndryshe” nga ai i dy dekadave më parë.

“Ne do ta gjykojmë këtë regjim duke u bazuar në zgjedhjet që bën dhe nga veprimet, e jo nga fjalët, do ta gjykojmë nga qëndrimi ndaj terrorizmit, krimeve, narkotikëve dhe qasjes humanitare, si dhe për të drejtat e vajzave që të edukohen”, ka thënë Johnson para Parlamentit, i cili është rikthyer nga pushimi i verës për të diskutuar situatën në Afganistan.

Kryeministri Johnson ka folur të martën, 17 gusht, me presidentin amerikan, Joe Biden për evakuimet nga Kabuli, ka njoftuar kryeministria britanike.

Liderët “janë pajtuar për të vazhduar punën së bashku në ditët dhe javët në vijim për ofrimin e hyrjes të sa më shumë njerëzve që duan të ikin nga shteti”, ka thënë një zëdhënës qeveritar.

“Kryeministri ka theksuar rëndësinë se moshumbjes së përparimit që kemi arritur në Afganistan për 20 vjet, për mbrojtjes të vetes sonë kundër kërcënimeve nga terrorizmi dhe vazhdimit të mbështetjes për popullinë e Afganistanit”.

Teksa ka bërë të ditur Skemën për afganët, Johnson ka thënë se britanikët “ua kanë borxh mirënjohjen të gjithë atyre personave që kanë punuar me ne për ta bërë Afganistanin vend më të mirë në 20 vjetët e fundit”.

“Shumica prej tyre, sidomos gratë, tani kanë nevojë urgjente për ndihmë. Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar ka qenë në gjendje të ofrojë këtë mundësi dhe t’iu mundësojë familjeve jetë të qetë në Mbretëri të Bashkuar”.

Patel ka shkruar për Telegraph se ka dëshiruar të sigurohet që Mbretëria e Bashkuar “është duke bërë gjithçka që mundet për të mbështetur më të cenueshmit që ikin nga Afganistani, në mënyrë që të nisin jetë të re”.

Qeveria britanike ka thënë se skema e re nuk do të “rrezikojë sigurinë kombëtare” dhe është zotuar se ata që arrijnë në Mbretëri të Bashkuar “do të kalojnë kontrolle të rrepta të sigurisë”.

Shoqatat e bamirësisë kanë mirëpritur këtë njoftim, duke e konsideruar pozitiv, mirëpo kanë thënë se periudha e pranimit është e ngadalshme dhe mundësia për azil duhet të zgjerohet.

Përmes një skeme ndaras, Mbretëria e Bashkuar veçse ofron mundësinë që stafi afgan që ka punuar për qeverinë, të ketë mundësinë e shpërnguljes.

Rreth 5.000 pjesëtarë të stafit - kryesisht përkthyes – dhe familjet e tyre do të arrijnë në Britani këtë vit.

Gati 2.000 tashmë janë atje nga 22 qershori.

Afganët po fshihen për t’i shpëtuar ekzekutimit nga talibanët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Ministria e Jashtme britanike u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Britanisë që të largohen nga Afganistani.

Nënadmirali, Sir Ben Key, i cili është duke drejtuar programin e evakuimit nga Afganistani në Mbretëri të Bashkuar ka thënë se procesi është duke u zhvilluar me të gjitha kapacitetet dhe ndyrshimi i situatës politike nënkupton se procesi nuk e përballon pushimin apo pezullimin.

Në mesin e atyre që janë duke i ikur rregullit të talibanëve është edhe një ish-punëtor i Këshillit Britanik në Afganistan, i cili frikësohet nga hakmarrja e grupit militant.

Ky burrë, që ka folur në kushte anonimiteti për transmetuesin britanik BBC, ka thënë se ka aplikuar që një muaj për shpërngulje në Mbretëri të Bashkuar, por edhe nuk është pranuar.

“Talibanët po enden afër shtëpive tona, unë kam pranuar disa njoftime, disa paralajmërime nga ata”, ka thënë ai.

“Kam qarë shumë. Nuk qaj pse e kam humbur pagën dhe gjëra tjera, mirëpo po qaj për familjen time. Kam tri vajza dhe gruan dhe nuk kam askënd që t’i mbështesë ato”.

“Nëse vdes, kush do të kujdeset për to?”.

Talibanët: Nuk duam armiq

Talibanët kanë mbajtur të martën konferencën e parë zyrtare për media në Kabul, prej kur kanë marrë kontrollin e Afganistanit.

Ata kanë thënë se dëshirojnë marrëdhënie paqësore me vendet tjera dhe se do të respektojnë të drejtat e grave sipas kornizës së ligjit islamik.

“Ne nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm”, ka thënë zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid.

Ai ka thënë se gratë do të lejohen të punojnë dhe të studiojnë dhe "do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda rregullave që përcakton Islami”.

“Ne kemi të drejtë të veprojmë në përputhje me parimet tona fetare. Shtetet tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore tjera.. afganët kanë të drejtë të kenë të drejtat e tyre në përputhje me vlerat e tyre”, ka thënë ai.

“Ne jemi të përkushtuar për të drejtat e grave sipas ligjit islamik”, ka thënë Mujahid.

“Ato do të punojnë afër nesh. Ne duam ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar se nuk do të ketë diskriminim”.

Zyrtari taliban ka thënë edhe se të gjithë ish-ushtarët qeveritarë, përkthyesit dhe punëtorët tjerë, që kanë punuar me forcat e huaja, janë falur dhe se nuk do të ketë hakmarrje kundër tyre.

"Askush nuk do t'ju lëndojë, askush nuk do të trokasë në dyert tuaja", ka thënë Mujahid.

“Nuk do të strehojmë luftëtarë të huaj”

Zëdhënësi i talibanëve ka thënë përgjatë konferencës se toka e Afganistanit nuk do të përdoret kundër askujt, kur është pyetur nëse ka rrezik të strehimit të luftëtarëve të Al-Kaidës.

“Ne mund ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar për këtë gjë”, ka thënë ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar talibanët se aleanca nuk do të lejojë që Afganistani të bëhet strehë për terrorizëm, pasi militantët kanë marrë pushtetin në fundjavë.

“Ata që tani marrin pushtetin, kanë përgjegjësi për të siguruar se terroristët ndërkombëtarë të mos fitojnë terren”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media në Bruksel më 17 gusht.

Bashkëthemeluesi i talibanëve është kthyer në Afganistan më 17 gusht. Mullah Abdul Ghani Baradar ka arritur në Kandahar – vendin ku është krijuar grupi – nga Katari, ku ka kaluar muaj duke udhëhequr bisedimet me negociatorë për paqe nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas Afganistani.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

Ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Trupat amerikane janë duke kontrolluar aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ndërkohë që banorë të dëshpëruar janë duke tentuar të ikin nga shteti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga Afganistani duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.

"Jam shumë i trishtuar me faktet me të cilat përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t'i dhënë fund luftës në Afganistan", tha Biden në një fjalim drejtuar kombit më 16 gusht.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG