Ndërlidhjet

Talibanët: Të drejtat e grave do të respektohen sipas ligjit islamik


Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid në konferencën e parë për media në Kabul, pas marrjes së pushtetit.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid në konferencën e parë për media në Kabul, pas marrjes së pushtetit.

Talibanët kanë mbajtur të martën konferencën e parë zyrtare për media në Kabul, prej kur kanë marrë kontrollin e Afganistanit.

Ata kanë thënë se dëshirojnë marrëdhënie paqësore me vendet tjera dhe se do të respektojnë të drejtat e grave sipas kornizës së ligjit islamik.

“Ne nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm”, ka thënë zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid.

Ai ka thënë se gratë do të lejohen të punojnë dhe të studiojnë dhe "do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda rregullave që përcakton Islami”.

“Ne kemi të drejtë të veprojmë në përputhje me parimet tona fetare. Shtetet tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore tjera.. afganët kanë të drejtë të kenë të drejtat e tyre në përputhje me vlerat e tyre”, ka thënë ai.

“Ne jemi të përkushtuar për të drejtat e grave sipas ligjit islamik”, ka thënë Mujahid.

“Ato do të punojnë afër nesh. Ne duam ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar se nuk do të ketë diskriminim”.

Zyrtari taliban ka thënë edhe se të gjithë ish-ushtarët qeveritarë, përkthyesit dhe punëtorët tjerë, që kanë punuar me forcat e huaja, janë falur dhe se nuk do të ketë hakmarrje kundër tyre.

"Askush nuk do t'ju lëndojë, askush nuk do të trokasë në dyert tuaja", ka thënë Mujahid.

“Nuk do të strehojmë luftëtarë të huaj”

Zëdhënësi i talibanëve ka thënë përgjatë konferencës se toka e Afganistanit nuk do të përdoret kundër askujt, kur është pyetur nëse ka rrezik të strehimit të luftëtarëve të Al-Kaidës.

“Ne mund ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar për këtë gjë”, ka thënë ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar talibanët se aleanca nuk do të lejojë që Afganistani të bëhet strehë për terrorizëm, pasi militantët kanë marrë pushtetin në fundjavë.

“Ata që tani marrin pushtetin, kanë përgjegjësi për të siguruar se terroristët ndërkombëtarë të mos fitojnë terren”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media në Bruksel më 17 gusht.

Ai ka thënë se ndonëse NATO-ja ka tërhequr forcat nga Afganistani, aleanca do të mbetet në vëzhgim nëse ka shenja që grupet terroriste janë duke u rigrupuar, apo nëse mund të ketë sulme nga distanca.

“Ky ka qenë proces evolucionar”

Zyrtarët talibanë kanë thënë se Afganistani është komb mysliman, qoftë 20 vjet më parë, qoftë tani.

“Mirëpo sa i përket përvojës, maturisë dhe vizionit, natyrisht se ka dallim të madh në mes nesh tani dhe atyre që kemi qenë 20 vjet më parë”, ka thënë Mujahid.

“Ka dallim të madh në vendimet që do të marrim, ky ka qenë proces evolucionar”.

Duke iu përgjigjur pyetjes rreth negociatave për të formuar qeverinë e re, Mujahid ka thënë se talibanët kanë qenë në kontakt me negociatorët Abdullah Abdullah, udhëheqës i Këshillit Kombëtar për Pajtim, ish-presidentin Hamid Karzai dhe Gulbudin Hekmatyar, lider i grupit politik dhe paramilitar, Hizb-e-Islami.

"Talibanët duan qeveri gjithëpërfshirëse, mirëpo brenda vlerave të Islamit”, ka thënë ai.

Bashkëthemeluesi i talibanëve është kthyer në Afganistan më 17 gusht. Mullah Abdul Ghani Baradar ka arritur në Kandahar – vendin ku është krijuar grupi – nga Katari, ku ka kaluar muaj duke udhëhequr bisedimet me negociatorë për paqe nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas Afganistani.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

Ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Trupat amerikane janë duke kontrolluar aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ndërkohë që banorë të dëshpëruar janë duke tentuar të ikin nga shteti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga Afganistani duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.

"Jam shumë i trishtuar me faktet me të cilat përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t'i dhënë fund luftës në Afganistan", tha Biden në një fjalim drejtuar kombit më 16 gusht.

Afganët po fshihen për t’i shpëtuar ekzekutimit nga talibanët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

"Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të vdesin dhe të luftojnë në një luftë që afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë për veten e tyre", ka thënë presidenti Biden.

Sipas tij interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara në Afganistan ka qenë gjithmonë kryesisht në parandalimin e sulmeve terroriste.

Presidenti amerikan ka thënë se Qeveria afgane nuk arriti të dëgjojë këshillën e tij dhe të negociojë një zgjidhje politike me talibanët, duke shtuar se kolapsi i Qeverisë afgane ndodhi shumë më shpejt sesa që kishte pritur administrata e tij.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG