Ndërlidhjet

Sa ka kapacitete Kosova për të pranuar refugjatë?


Forcat amerikane ruajn; perimetrin në aeroportin e Kabulit teksa mijëra afganë tentojnë të largohen nga vendi. Kabul, 16 gusht 2021.
Forcat amerikane ruajn; perimetrin në aeroportin e Kabulit teksa mijëra afganë tentojnë të largohen nga vendi. Kabul, 16 gusht 2021.

Institucionet e Kosovës janë deklaruar se janë duke bërë përgatitjet e duhura logjistike e teknike, por edhe të sigurisë dhe sociale për strehimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Deri më tani ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë, derisa t’iu përfundojnë procedurat e vizave amerikane.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Kryeministri Albin Kurti tha të martën se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

Ekipi nga Kosova, i përbërë ne krye me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe shefin e kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, tha Kurti, janë në diskutime me partnerët dhe aleatët amerikanë lidhur me çështjen e strehimit të afganëve.

“Kosova ka SHBA-në aleaten kryesore dhe partneren strategjike të pazëvendësueshme. Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të marrë detaje rreth vendit të strehimit të qytetarëve afganë në Kosovë, numrit të mundshëm të qytetarëve afganë që pritet të strehohen, por edhe kapaciteteve që ka Kosova. Megjithatë, ata nuk kanë ofruar informacione.

Dy qendra të azilkërkuesve

Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës.

Këto dy qendra kanë kapacitet të vogël dhe në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se deri në 100 persona.

Si vend i mundshëm i strehimit është përmendur Parku i Inovacionit dhe i Trajnimeve në Prizren, i cili në të kaluarën kishte shërbyer si kamp ushtarak gjerman.

Ish-kampi ushtarak gjerman përbëhet ka një sipërfaqe prej 40 hektarë dhe me 52 ndërtesa.

Parku i Inovacionit dhe i Trajnimeve në Prizren. Fotografi nga arkivi.
Parku i Inovacionit dhe i Trajnimeve në Prizren. Fotografi nga arkivi.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar përfaqësues nga Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) të cilët bëjnë menaxhimin dhe zhvillimin e Parkut.

Ata nuk janë prononcuar për këtë temë duke thënë se është çështje bilaterale në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar më pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme për të parë kapacitetin e qendrave të mundshme ku mund të strehohen qytetarët afganë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur pyetjeve tona.

Zeka: Kosova mund të pranon refugjatë, por për kohë të shkurtër

Në anën tjetër, Izmi Zeka, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tregon se në kohën kur ai ishte në këtë ministri në vitin 2019, kanë punuar në adaptimin e disa objekteve për refugjatë.

Me adaptimin e këtyre objekteve dhe me dy qendrat e azilkërkuesve, Zeka thotë se Kosovë ka kapacitet për strehim të refugjatëve jo më shumë se 3.500 persona.

“Unë besoj që Kosova ka duhet t’i ketë përfunduar punët rreth disa objekteve që kanë qenë në adaptim e sipër dhe besoj që në kushte optimale deri në 3.500 persona do ta ketë mundësinë për t’i pranuar. Kjo është llogaritur në raste të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Kosova, shton Zeka, me kapacitet e saj mund të pranojë refugjatë, por jo për kohë të gjatë, por të shkurtër, si vend transit dhe pastaj ne bashkëpunim me Bashkimin Evropian apo Shtetet e Bashkuara të vendoset për më tutje.

Në vitin 2017, kur Kosova filloi të pres numër të refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme, autoritetet në atë kohë patën deklaruar se kishin një plan dhe ishin të gatshëm të strehonin më shumë se 3.000 refugjatë, nëse paraqitjen nevoja.

Kosova nuk ka pasur numër të madh të refugjatëve, por vendi kryesisht përdoret si transit për në vende të ndryshme të Evropës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG