Ndërlidhjet

SHBA "mbetet e përkushtuar" për Afganistanin pavarësisht zvogëlimit të stafit diplomatik


Ndërtesa e Pentagonit. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Pentagonit. Fotografi nga arkivi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i kanë thënë presidentit afgan, Ashraf Ghani se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për sigurinë dhe stabilitetin e Afganistanit, teksa ky shtet përballet me dhunë të talibanëve”, pavarësisht vendimit të 12 gushtit për të zvogëluar kapacitetet në ambasadën në Kabul.

Dy Sekretarët e kanë siguruar Ghanin përmes telefonit, pas njoftimit për largim të disa civilëve nga ambasada.

“Sekretarët kanë theksuar se SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për lidhje të forta diplomatike dhe ato të sigurisë me Qeverinë e Afganistanit”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate.

SHBA-ja do të dërgojë rreth 3,000 trupa shtesë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, për të ndihmuar në evakuimin e një pjese të stafit diplomatik.

Trupat shtesë do t’iu bashkohen më shumë se 650 trupave që veçse janë në Kabul, të cilët kanë mbetur aty për të siguruar stafin e ambasadës, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Afati i fundit për tërheqje të trupave amerikane nga Afganistani mbetet 31 gushti, por 650 trupa do të vazhdojnë të qëndrojnë aty për të mbrojtur aeroportin dhe ambasadën.

Shtetet e Bashkuara po ashtu do të shpejtojnë procedurat për viza speciale të imigrimit për afganët që kanë punuar me forcat amerikane, ka thënë Price përmes një deklarate.

Price ka thënë po ashtu se personeli ushtarak do të ndihmojë në zvogëlimin e stafit diplomatik, mirëpo ka mohuar se SHBA-ja po braktis misionin diplomatik.

“Presim që aty të mbetet vetëm stafi i domosdoshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se ambasada nuk do të mbyllet.

Ambasada amerikane në Kabul u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që të largohen menjëherë nga Afganistani, duke shfytëzuar fluturimet komerciale.

Edhe Qeveria britanike ka thënë se do të dërgojë më shumë trupa për t’i ndihmuar ambasadës së saj për të larguar stafin dhe për të ndihmuar në bartjen e stafit afgan që ka punuar me forcat britanike.

Talibanët kanë zgjeruar ofensivën prej muajit maj, kur ka nisur tërheqja e trupave ndërkombëtare, duke pushtuar dy të tretat e shtetit.

Vetëm nga java e kaluar, ata kanë pushtuar kryeqytetet e 12 provincave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG